Kraki: Drenica nuk doli nga dheu në luftën e fundit, ajo ishte në luftë prej vitit 1912 kur Serbia e pushtonte Kosovën

5 Mars, 2021 - 10:30 pm

Nga Nezir Kraki

Drenica…

Viteve të fundit Drenica shpesh është përballë me fushata linçuese sidomos shkaku i bindjeve të saja politike të pasluftës.

Ajo shpesh përqeshet edhe për ‘prapambetjen’ e saj në raport me zonat tjera të Kosovës dhe banorët e saj padrejtësisht stigmatizohen nga ‘gjeneratat jugosllavizuese’ të qyteteve me solitera.

Po, Drenica është e prapambetur sepse në ato treva kurrë jugosllavizmi as serbizmi nuk lulëzuan. Ato treva u menjanuan nga partia komuniste dhe u lanë jasht çdo investimi kapital. Drenica gjatë një shekulli ishte e denuar nga secili pushtet e secili pushtues. Madje ishte e linçuar edhe nga shqiptarët e bashkim-vllaznimit.

Me fjalë tjera, Drenica nuk doli nga dheu në luftën e fundit. Ajo ishte në luftë prej vitit 1912 kur Serbia e pushtonte Kosovën e lënë nga Otomanët. Prandaj Drenica ishte n’takim me historinë kur terrori serb e kaloi çdo kufi. Prandaj në ato treva kishte Adem Jashara e trima tjerë që s’ishin rritë nën dardhen e bashkim-vllaznimit jugosllav por e kishin luftu atë pa pushim dhe kishin vuajt prej tij.

Prandaj heroizmi vetmohues i Jasharajve nuk duhet të shihet si risi sepse Drenica gjithmonë ka qenë heroike dhe vetmohuese. Ajo meriton respekt dhe përkrahje, jo linçime e tallje.

Unë jam nga Juniku i Dukagjinit dhe jam rritë me tregimet e heroizmit të Drenices. Ndoshta as 10 vjeç s’kam qene kur e dija me saktesi kush ishte Shaban Polluzha, falë librave dhe tregimeve të Bacës tim.

Edhe sot e mbaj po atë respekt e admirim për atë rajon trim e t’përvuajtur. Për ata njerëz që zgjodhen ‘prapambetjen’ dhe s’u bënë kurrë argatë të dreqit. Për Adem Jasharin e secilin trim që s’pranoi as Jugosllavine as Serbinë. / KultPlus.com

Të ngjajshme