Kraki: Filmat që tregojnë pjesë nga jeta e Oppenheimer përjetohen, përbrendësohen, ritregohen e adhurohen

20 Janar, 2024 - 9:47 pm



Shkruan: Nezir Kraki

Oppenheimer 2023 / The Imitation Game 2014
(Kritikë e krahasuar)

Derisa anglezi Alan Turing, babai i « makinës që mendon », në një vend sekret tentonte dekodimin e Enigmës gjermane gjatë Luftës së Dytë, matanë Atlantikut, në të njejtën kohë, një tjetër gjeni, Robert Oppenheimer, babai i bombës atomike, edhe ai në vend e mision sekret, e mendonte përfundimin e asaj lufte me një goditje të vetme.

Këto dy itinerare jetësore të këtyre dy mendjeve të njëhershme që formësuan të jetuarit e të menduarit mbi Tokë, tregohen, sipas meje, pa iu tradhëtuar esenca të vërtetës historike, në dy nga më të mirët filma biografikë prej që fotografia është bërë e gjallë, gati një shekull më herët. Këta dy filma kanë gati dhjetë vite largësi kohore në realizim e publikim por që të dy flasin për dy mendje gjeniale që jetuan në të njejtën kohë, patën të njëjtin armik, u përdorën dhe u linçuan nga idiotë të politikës në të njëjtën mënyrë, u harruan për një kohë dhe u rikthyen post mortem në mendjet dhe respektin e secilit.

Prandaj filmat që tregojnë pjesë nga jeta e amerikanit Robert Oppenheimer (Oppenheimer 2023 – Christopher Nolan) dhe nga ajo e anglezit Alan Turing (The Imitation Game 2014 – Morten Tyldom), s’munden të jenë filma normalë, që shikohen, pëlqehen e harrohen. Jo ! Këta dy filma përjetohen, përbrendësohen, ritregohen e adhurohen. Janë tregime me pamje të gjalla që shikuesin e teleportojnë jo në skenën ku luhen por në ngjarjen dhe në ndjesitë e asaj kohe. Shikuesi është në film, jo përballë tij. Pse këta dy filma janë kaq depërtues sipas meje? Sepse në ta dhe me ta shfaqet gjeniu njerëzor në kapacitetet e tij të pakufishme për shpëtim e për shkatërrim. Shfaqet ajo vija e hollë deri në padukshmëri e cila i jep drejtim fatit njerëzor individual e kolektiv në momente që shënjojnë kohën e hapësirën. Nuk e di a i duhej njeriut bomba atomike e Oppenheimer por e di që pa « makinën që mendon » të Alan Turingut këta rreshta do shkruheshin sot veç në letër.

S’do mend se këta dy filma bëhen monumentalë edhe falë mishërimit besnik dhe magjistral të dy gjenive shkencorë nga dy gjeni të lojës teatrale, irlandezi Cillian Murphy si ‘babai i bombës atomike’ dhe anglezi Benedict Cumberbatch në rolin e ‘babait të makinës që mendon’. Makina që mendon apo që mëson/imiton ishte elaboruar nga Alan Turing si teori shkencore disa vite pas dekodimit të Enigmës, makinës gjermane të mesazheve të koduara. Në eloborimin e tij Turing fliste për ‘inteligjencën artificiale’ qysh në atë kohë. Historianët e Luftës së Dytë sot pajtohen me faktin se dekodimi i Enigmës nga Alan Turing ka mundësuar shpëtimin e qindra mijëra jetëve dhe ka përshpejtuar debaklin nazist në momentin kur Hitleri do i vërsulej Londrës.

Megjithatë, Lufta e Dytë do kryhej me « goditjen atomike » të Robert Oppenheimer e cila në 20 sekondat e saj të parë mendohet se vrau 200 mijë njerëz në Hiroshima. Vite më vonë, në një intervistë ku dëgjohet të flet frëngjisht, vetë Oppenheimer shprehet i ‘habitur’ nga përmasat shkatërrruese të krijesës së tij atomike « Kur kemi bërë testime në shkretëtirat e Amerikës nuk e kemi menduar me saktësi sa impakt në jetën e njerëzve do kishte lëshimi i bombës. Misioni ka qenë ndërpreja e luftës, jo vrasja… ».

Shikojini e rishikojini këta dy filma e bashkë me ta futjuni pak rrugicave të historisë së shkruar, me apo pa vullnetin e tyre, nga tipa si këta dy me të cilët jetojmë dita-ditës. Krijesa e Oppenhaimerit do vazhdojë të mbetet kërcënimi më i madh real mbi kokën e njerëzimit edhe për shumë shekuj ndoshta derisa makina që mendon e Turingut është e pranishme në çdo aspekt të jetës sonë dhe, për fat të keq, është duke shkuar drejt krijimit të « njeriut të ri », me mendje mbinjerëzore por pa ndjesi.

*Këtë kritikë e kam shkruar si klient i sjellshëm i artit të mirëfilltë dhe si ithtar i vakive historike që na sqarojnë veten tonë. Jam i vetëdijshëm që nuk i ndjek rregullat e kritikës së filmit por unë nuk jam kineast. Paralelen në mes dy filmave e kam tërheq ditën kur e kam shiku Oppenheimer në kinema. Atë ditë e kam shkru këtë tekst dhe sot e kam korrigju për postim. / KultPlus.com

Të ngjajshme