займ на карту онлайн потребительский кредит

Kulti Kadare

8 Qershor, 2019 - 12:30 pm

Lisandri Kola

Krahas pikiatës shqiptare të këtyne kohëve, si politike, sociale, kulturore e po ashtu edhe shkencore, kryeqyteti po lulon me evente. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, z. Veliaj, ndjek linjën e tij për vêmendje. Gja që duket krejt normale, në drejtimin e nji qyteti.

Së mbrami, u promovue edhe Shtëpia Studio Kadare, me statusin e nji muzeu vendor. Nji paralajmrim që përflitet tash pak nëpër media.

Me aq sa na lejojnë insertet dhe lajmet, projekti në fjalë dukej me shumë angazhim. Na ishte pajtue nji arkitekte italiane, që me e konceptue banesën e Kadaresë për nji studio të hapun për vizitorët, kundrejt pagesës natyrisht. Çdo shqiptari, sado të mesëm me formim, ia rrok mendja se projekti duhet me pasë qenë ‘ambicioz’ në fonde. E natyrisht këto fonde Bashkia e Tiranës i merr nga qeveria, e cila mendon ditë e natë po për vêmendje qoftë edhe në pikën ma akute të shtetit.

Përpos mbështetjes ministrore (MK) për shtëpinë e lindjes së z. Kadare, në Gjinokastër, tash publikut dhe vizitorëve u ofrohet dhe kjo Studio që me pasë akses. Me këtë rast, guidat e Tiranës kanë me e futë me germa kapitale këtë lokacion. Ose tue përdorë fjalët e z. Veliaj, kjo studio ‘do të jetë një stacion fantastik për turistët’ së bashku me Bunkerët(art) dhe Shtëpinë e Gjetheve. Për momentin ky asht trekandëshi ma i suksesshëm i Tiranës. Në vijim ky trekandësh, ka me u ba me katër kande posa të bahet dhe shtëpia e Agollit, studio a muze. S’do mend se duhet me e kënaqë dhe mëhallën tjetër të Rrugës së Dibrës. Me shpresën se në shtëpinë e ardhshme të Agollit (mos rastsisht!), do të gjenden dhe letrat e Kadaresë kundër tij, drejtue shokut Mehmet ose shokut Ramiz.

Por, i privilegjuemi i pushteteve në Shqipni, me rastin e 83-vjetorit të lindjes, duket se asht i ‘prekur nga kjo’. Dhe interesante madje rezulton sesi asht ndërtue rubrika televizive në disa media. Në ma shumë se nji media thuhej se Kadare ‘e ka mirëpritur këtë ide’. Tash nënpyetja asht: e ka ‘mirëpritur’ apo e ka ‘nxitur’? Sepse na rezulton, se po ai vetë gjatë vizitës së tij në atë studio do të shprehej (kinse turbullt prej emocioneve) se ‘kjo e afirmon kombin shqiptar’. Pra, ne me Kadarenë jemi afirmue ndërkombtarisht, apo thanë ndryshe asht ai që na ka ba të mujtun me u afirmue si komb, sepse asht shkrimtar i njohun e pretendent i Nobelit dhe i larguem nga regjimi i tmerrshëm i Hoxhalisë.

Si fillim më lejoni me përmendë se kandidati i parë shqiptar për Nobel, Padër Gjergj Fishta, sot që po flasim nuk ka shtëpi muze (as të lindjes as ndonji tjetër). Përpos nji pllakate, ndoshta tash të shlyeme boje, në Fishtë të Lezhës se këtu ka lindë Gj. F., prej ku ne shohim veç do gurë themelesh e kurrgja tjetër. Ndërkohë as protagonisti i shpalljes së Pavarësisë, ish-ministri e shkrimtari Luigj Gurakuqi, sot nuk ka shtëpi se Bashkia e Shkodrës u tregue bujare në rrenimin e saj. Me fjalë tjera, mbylli sytë e veshët, e sot kulmin dhe themelet e asaj shtëpie i gëzon tjerakush.

Ndërkohë, as të larguemit e tjerë padyshim ma me dinjitet se Kadareja, si p. sh. Martin Camaj, Arshi Pipa e Lin Delija (po ndalem vetëm te këta se lista vazhdon) nuk e kanë asnji shêjë guraleci se kjo apo ajo asht shtëpia e tyne e lindjes. Duket qartë nga kjo se ‘njeriu i madh dhe gjeniu i letrave’ po mendon për mbasvdekjen, sepse për gjalljen ka mendue boll edhe në qoftë se asht shkrue me shkue moshë me Adamin. Me randësi asht, kur të shkojë matanë bote, që me lanë gjurmë.

E për këtë ushtria asht e madhe, me thanë të drejtën, sepse në radhët e saj janë kritikë, akademikë, pedagogë, drejtues, botues e turlifarësoji tjetër. Të gjithë munden me e mbjellë fidanin e kultit.

Kulti për vetveten asht sindromë e regjimit, ku me devocion Kadareja ka marrë pjesë. Paçka se ai, me ardhjen e asaj që shqiptarët po quejnë demokraci, gja që unë prej kohësh e cilësoj zgjatje të komunizmit, na doli para me duert përpjetë si Ponc Pilati: ‘Ja, unë jam për me hapë dosjet e komunizmit’. Me fjalë tjera: me hapë ato që kanë lanë pa asgjasue. E, megjithatë, me figurën e tij intelekuale ai ka prodhue si Ponc Pilatin si Judën. Herë tue u tregue gjoja konfuz, herë se shqiptarët i kanë kuptue gabim pohimet e tij, herë tue i cilësue disa opinione absurditet shqiptarësh, herë tue u shitë ndryshe në sy të tjerëve, herë përgojime e ndikime lidhun me Akademinë suedeze e gjithqysh. Natyrisht, askush nuk pretendon prej tij, me pasë qëndrimin e bashkëqytetasit të tij, [rofesor Çabejt në lidhje me dhambët e egër të Enverit për ‘gjuhën e njësuar’. Këtë e din çdo shqiptar.

Nuk asht Kadareja asì brumi. Por, brum që e xên bukën edhe me shtatë presidentë të tjerë, pas vdekjes së Sekretarit të parë të Partisë. E, ma e keqja e gjithë kësaj, asht (e ripërsëris) heshjta. Heshtja e kolegëve, e intelektualëve. Këta kolegë e intelektualë munden me jargitë nëpër media sa për protestën e studentëve – nji cicmic që nuk u zbardh ende – sa për Ramën, sa për Ruçin, sa për Lleshin, sa për Tufën e sa për Gjinushin. Situatat dhe rastet kanë emnues të përbashkët, e nuk asht çasti me drejtue gishtin kah tjetri. Këtë punë, na shqiptarët dimë me e ba ma së miri. Na rrin dora pezull në hava tue kërkue përgjegjësin.

Na, të dashtun, jemi përgjegjës për shumëçka. Por, jemi mësue me futë veshët aty ku nuk bjen drita, e mos me ba za prej frike, ngaqë e kemi lepurin gjashtë kilesh në bark. Akademia asht në atë gjendje, si shumë punë tjera, sepse dashtas asht lanë me degradue ashtu. E, në këtë pikë, nuk kanë faj as vetullat as artikujt e Gjinushit. E, as trajektoret e Ministrit të Brendshëm që dikur vetë ia rritët veshët po mandej batë aktin ‘e bukur’ me marrë gërshanët e hardhive. As factotum-i i ndonji drejtuesi institucioni, që veshë kostumin të cilin ia ka pré ati i vet shpirtnor [paradite drejtor, në drekë shkencëtar, në darkë analist]. Po as Ruçi me të tjerët, sepse nuk u dënuen kurrë për krimet e veta. As kritika letrare klienteliste a për favore të tjera. E as deliret e nji kryeministri që e ka mprehë shpatën ndaj mullijve të erës.

Po në fund të fundit as Kadare nuk ka faj… Ajo çka pritet asht… thjesht nji riciklim i fjalimit të Ramiz Alisë – si akt i fundit i venerimit – që Universitetit të Tiranës herëdokur, in honorem, me iu vû emni ‘Ismail Kadare’./KultPlus.com

Të ngjajshme