Kultura si pika e fortë e Kosovës

14 Prill, 2018 - 12:02 pm

Arbër Selmani

Vitin e kaluar, në Bienalen e Venecias në Itali, Petrit Halilaj morri një Mirënjohje Speciale për punën e tij si artist. Çdokush që e njeh artin e Kosovës e njeh edhe emrin Petrit Halilaj. Petriti, me disa pjesëmarrje të tija në këtë Bienale arti, bëri që Kosova të depërtonte në këtë organizim artistik prestigjioz, kësisoj duke thyer kufijtë e arritjeve.

Halilaj, me disa punë të tij në këtë Bienale, mbushi hapësirën e Arsenale – lokacionit të madh ku vendosen punët e artistëve pjesëmarrës. Ai punoi disa qilima tradicionalë, me ndihmën e nënës së tij e cila është bashkëudhëtare tanimë e Petritit në disa punë artistike. Në një Bienale ku përfaqësohen mbi 80 shtete dhe qindra artistë bëjnë të pamundurën të marrin vëmendjen e vizitorëve, lëngojnë për pak kritikë të shikuesve apo profesionistëve, Petrit Halilaj i la të gjithë pas tij. Dikur një refugjat dhe djali i vogël nga fotografia legjendare e refugjatëve, Petriti i theu kufinjtë edhe për Kosovën.

Edhe këtu dua të dal. Artistët e tejkalojnë limitin gjeografik, shkëmbejnë përvoja por edhe reflektojnë, dhe e vendosin Kosovën në hartën kulturore të kontinentit. Dhe kjo hartë nuk është një hartë dosido, por është një soj i arenës së boksit ku etnitë e ndryshme vijnë me luftëtarët e tyre më të fortë – në këtë rast artistët, me anë të të cilëve mund të ndërrohet pse jo edhe një mendësi kolektive dhe mentalitet popullor.

Dhe ja pra, kaq afër Evropës jemi ne.

Jo vetëm me Petritin, por me anë të kulturës më shumë sesa me anë të sektorëve tjerë të jetës, kemi arritur të futemi mirë në skenën – arenën kulturore të Evropës.

Ta përmendim këtu Sislej Xhafën. Punët e tij fokusohen në turizëm, në varfëri, në statusin legal të Kosovës, në siguri e në qëndrueshmëri. Së fundmi, një telefon që nuk cingëron asnjëherë, më përpara një varr prej graniti, një anije kozmike, dhe punë të tjera të Sislejit nga Peja që jeton midis Evropës e Nju Jorkut, janë dëshmia e gjallë se si një shtet i vogël si Kosova mund të futet në listë me shtetet ku arti është kryefjala dhe djepi i shoqërisë, kjo me anë të emrave që çdo ditë e më shumë nga Kosova po e prezantojnë veten në ekspozita e në ngjarje kulturore të rëndësisëshme.

Kompleksitetet e Kosovës kësisoj po i shfaqen syve të Evropës, dhe kjo mbetet një meritë e kulturës. Realiteti social, ekonomik e politik i Kosovës po prezantohet përmes artit e kulturës vis-à-vis modernitetit evropian. Mund të themi lirshëm që artistët nga Kosova kanë bërë më shumë sesa që është pritur nga ta, në aspektin e diplomacisë. Ata, nëse jo diç tjetër, kanë krijuar një “autoritet kulturor” në Kosovë, duke i treguar Evropës se një shtet i vogël dhe i sapo-lindur ka potencial të shëndrisë artistikisht, edhe me problemin e vizave dhe me problemet tjera financiare.

Dhe kjo është mbi të gjitha, fuqia e kulturës, kur çon kanarinat dhe dheun e Kosovës në Bienalen e Venecias (Petrit Halilaj), kur shkronja N nga NEWBORN prezantohet në ekspozitë në Londër (Fisnik Ismaili), kur i fton refugjatët për një gotë çaj dhe për diskutim (Alketa Xhafa Mripa), kur Placido Domingo lavdëron një tenor shqiptar dhe shprehë dëshirën të koncertojë në Kosovë (Ramë Lahaj), kur billbordat me gratë e vrara nga Kosova bëhen lajm në The Guardian (HAVEIT) dhe shembuj e shembuj të tjerë ku kultura nga Kosova po futet në ekspozita e në ngjarje në të cilat diçka e tillë as nuk do të paramendohej para rreth dy dekadave.

E vërtetë, Kosova ka plot tregime, ka plot kujtesë, ka plot drejtësi që nuk erdhi asnjëherë e ka plot telefona që nuk cingëruan kurrë. Megjithatë, kemi artistët që shumë qartë e kanë shprehur mesazhin e tyre gjithandej, që Kosova është e pasur kulturalisht dhe e fuqishme artistikisht të jetë pjesë e hartës kulturore të Evropës, pa marrë parasysh çmimin.

Marrë nga EUICC ( http://euicc-ks.com/sq/kultura-si-arma-e-forte-e-kosoves/ )

Të ngjajshme