Kurti: Ata që thonë se rrobat lahen me një gisht janë të njëjtit që nuk e lëvizin atë gisht

7 Mars, 2021 - 10:21 pm

Shkruan Tinka Kurti

Në prag të 8 Marsit – Manifest i vitit 2021

Nuk kemi asgjë, bash asgjë pos trupave tanë. Kemi veç punën tonë, mendjen dhe njëra – tjetrën. Por edhe kaq na e kontestojnë.

Ne jemi produkt i okupimit serb, më pas varfërisë në Kosovë, e përjashtimit shoqëror. Ne e kemi lindur vetën. E kemi ndërtuar me përpjekjet tona. Jemi produkt i mundimeve e stërmundimeve të gjysheve e stërgjysheve tona.

Jemi luleshitëset që paguhen sa një trëndafil.

Jemi rrobaqepëset që e hamë bukën në këmbë. Na i heqin dy ditë pagë për një ditë mungese kur fëmijën e kemi sëmurë.

Jemi studentet kursimtare.

Ato që ecim pa e kthyer kokën prapa.

Ato që zgjohemi të parat e shtrihemi të fundit.

Jemi ato që flasim për jetën.

Ato që e duam jetën.

Ato që luftojmë për jetën.

Përditë.

Ata që flasin në emër tonin janë të njëjtit që na akuzojnë pse nuk flasim.

Ata që na akuzojnë për konkurrencë mes grave janë të njëjtit që e luftojnë njëri – tjetrin që prej shekujsh.

Ata që na analizojmë se pse nuk votohemi janë të njëjtit që na kthejnë mbrapsht kur fitojmë.

Ata që i shqyejnë sytë janë të njëjtit që na moralizojnë.

Ata që thonë se rrobat lahen me një gisht janë të njëjtit që nuk e lëvizin atë gisht.

E ne ende i ndajmë shtretërit në lindje me  shoqja – shoqen në spitale.

Kemi veç shefa burra edhe pse gratë janë shumicë në shëndetësi, arsim e gezetari.

Paguhemi më pak prej rrogës së parë e deri në pension.

Madje, nuk paguhemi fare deri në pensionin e parë.

BOLL ËSHTË BOLL. Ne do të luftojmë. Do të luftojmë çdo padrejtësi që na del përpara. Do të shpartallojmë çdo pengesë.

Ne do të humbim vetëm nëse nuk luftojmë./ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme