Kush po i dëbon të rinjtë nga Kosova?

21 Qershor, 2019 - 7:16 pm

Bajram Mjeku

Rrjetet sociale kanë avancuar aq shumë, sa të rilidhin me miqt e vjetër, të cilët mund t’i kesh konsideruar pothuajse të harruar. Para katër vitesh, rastësisht mu kujtua njëri nga miqt e mi slloven gjatë shërbimit të detyruar ushtarak në ish-Jugosllavi, të cilin e gjeta saora në rrjetin social. Me Matkon gjashtë muajt e parë të shërbimit ushtarak i kemi kryer në kryeqytetin e Malit të Zi në Podgoricë. Ishim miq të mirë dhe neve na lidhnin tri gjëra; kultura e dy popujve, rocku dhe letërsia. E kur në mesin tonë gjendej edhe miku ynë i mirë Xhavit Rexhaj nga Peja, i cili tash është njëri ndër njohësit më të mirë të arsimit në Kosovë, atëherë ndodhte qershia mbi tortë. Flitnim shumë pak për çështje politike. Vetëm një vit më parë në Kosovë kishin ndodhur demonstratat e vitit 1981 dhe në ushtrinë jugosllave ishin vitet më të rënda për të rinjët shqiptarë.
Para pak muajsh derisa flitnim me Matkon, i cili në vendlindjen e tij në Slloveni aktualisht menaxhon një qendër turistike, e pyeta edhe për gjendjen e punësimit në Slloveni, mbasi nuk thuhet kot; gjuha shkon aty ku dhemb dhëmbi.
– Tek ne është hapur shumë punë mik i dashur, – më tha Matko dhe më pyeti menjëherë: “Ke nevojë për çunat?! Fol miku im mos ngurro. Jam i gatshëm të bëj gjithçka për ty…
Para pak ditësh, Agroni vëllai i një miku tim, i cili është kuzhinier i mirë dhe këtë zanat e ka pasion, më foli gjatë për vështirësitë në vendin e tij të punës dhe për mënyrën se si është trajtuar si skllav nga shefi i tij në një zingjir supermarketesh në Prishtinë. Ka kohë që e dimë dhe këto dëshmi tashmë nuk prodhojnë as lajm se mbrapa zingjirëve të supermarketeve dhe mbrapa të gjitha kompanive në Kosovë, pronarë real janë klasa jonë politike. Në fund të muajit të kaluar, Agroni i cili punonte padrejtësisht nga 12 orë gjatë ditës, pranon nga shefi i tij plikon me vetëm 200 euro, derisa marrëveshja kur ai e kishte filluar punën si kuzhinier ishte bërë në vlerë prej 500 euro. Kur Agroni reagon ndaj shefit të tij se mos i është ngatërruar plikoja e tij me ndonjë kamarier?, atëherë shefi reagon ashpër duke i thënë se gjatë muajit të fundit kishe shumë pak punë, prandaj edhe paga e tij është më e vogël dhe këtij “fakti” është zor t’i besosh. Vetëm në Kosovë e askund tjetër në Ballkanin Perëndimor pagat merren në të zezën. Të gjitha punët në institucionet shtetërore dhe kompanitë private bëhen në të zezën, madje shqiptarët janë të prirur që edhe në të ashtuquajturat “shtëpi pushimi”, të cilat më së miri shpërfaqin horllëkun tonë dhe që shtrihen përgjatë autostradave gjithandej Kosovës, edhe seks bëjnë në të zezën.
Agronit i erdhi si një zbulesë kur i thashë se përmes mikut tim Matko i kemi gjetur punë në Slloveni, ndërkohë që javën e kaluar i ka mbërrijtur leja e punës, derisa pardje në Ambasadën sllovene ai e mori edhe vizën për të udhëtuar të mërkurën që vjen.
Mbrëmë jam ndier keq. Kisha ndjesinë se isha unë shkaktari që po largohet edhe një i ri nga Kosova. E thirra Agronin për kafe më shumë për të ngushëlluar veten dhe për t’ia dhënë udhëzimet elementare si të gjendej me çështjen e strehimit dhe gjërat tjera elementare sapo të mbërrinte në Lubjanë, por ai duke buzëqeshur tha:
– Që të gjitha më janë siguruar nga miku yt Matko, madje edhe akomodimin në hotel dhe ushqimin falas!
Trendet e ikjes së të rinjëve nga Kosova janë në rritje dhe shqetësuese, derisa bosët e kompanive, më saktë udhëheqja jonë politike vazhdon t’i diskriminojë si të ishin skllav në epokën e Mesjetës. Kujtoni vetëm vitin e kaluar kur në vendet e punës, për mungesë të mbrojtjes elementare dhe sigurisë në punë u mbytën rreth 20 të rinj, derisa institucionet e drejtësisë u shndërruan si të ishin mumie dhe u bënë sikur asgjë nuk është duke ndodhur në këtë vend. Pikërisht nga këto pasoja dhe për mungesë totale të perspektivës, brenda pak muajsh jo vetëm qytetet tona, por edhe hapësirat e kompanive private do të shndërrohen në fantazma, më saktë do të duken si uzinat e industrisë së rëndë kur ra kampi komunist. Pse jo, derisa udhëheqja aktuale politike në Kosovë është trashëgimtare politike e këtij kampi, prandaj gjatë viteve që vijnë, gjendja do të jetë e rëndë dhe e nderë, mbasi nuk thuhet kot: Çdo fillim i keq e pret fundi i keq.

Të ngjajshme