30 Qershor, 2025 - 11:01 pm
Latif Mustafa
Libri me poezi “Më quaj Izmir” është libri i parë i autores Tinka Kurti. Libri përmban dyzet e pesë poezi, të rradhitura pa ndonjë strukturë të caktuar. Ky libër me poezi është manifestim estetik që ndërtohet mbi një reflektim dhe akumulim dijesh mbi njeriun, trupin, gjuhën dhe raportet e tij me botën, pushtetin dhe tjetrin. Tinka Kurti nuk flet vetëm për përvojën intime, por për strukturat ideologjike që formësojnë jetën dhe kuptimin mbi të, si patriarkati, kulturën e konsumit dhe bjerrjen ontologjike si realitet i kudogjendshëm njerëzor. E shprehur pa mistifikim dhe lojëra gjuhësore të panevojshme, poezia e saj refuzon të jetë mjegullim simbolik, siç e quan edhe ajo vetë në poezitë e saja.
Poezia e saj, gjithashtu, nuk është thjesht shpërthim stihik emocional apo përpjekje për vetë-çlirim, por një akt politik dhe etik që sfidon idealet shoqërore të bukurisë, normat mbi trupin dhe gjuhën, dhe strukturat e kontrollit si patriarkati dhe kapitalizmi. Bukuria, si formë arketioper e njëmendësisë, shndërrohet në një akt qëndrese ndaj fashizmit estetik dhe moral, që në vete është përjashtues dhe monocentrik. Në kuprimin individual, ajo refuzon të flasë për mainstream-in kulturor dhe estezisin që ka imponuar pushtetshmi, dhe si e tillë ajo rikthen të përjashtuarin në qendër të ndërgjegjes kolektive. Pa ndjekur një trajektore tradicionale të vargut apo një sistem hierarkik konceptual, poezia e saj pasqyron fragmentimin e subjektit modern, që e legjitimin vetëreferenca dhe vetëautorsia.
Mungesa, gjuha dhe kërkimi i kuptimit
Poezitë si “Zbrazëti” dhe “Fragment” artikulojnë mungesën si kusht themelor të qenies. Subjekti është i çarë, i përbërë prej copëzash të thyera dhe pasigurie. Kjo qasje heideggeriane përshkruan njeriun si qenie e hedhur në botë, gjithmonë e zhytur në paplotësi dhe mospërmbushje. Mungesa nuk është boshllëk, por trualli ku lind kuptimi, në vetminë e tjetrit, zbulohet vetëvetja.
ZBRAZËTI
kur të mungon diçka
kënd e pyet
a ekziston një pjesë e vogël e imja sado e vogël
brenda teje
Në poezinë “Solamente una vez”, ndjenja dhe gjuha përplasen si dy sisteme të papërkthyeshme. Gjuha është gjithmonë vonesë, gjurmë e jo prani, një qasje thellësisht derridiane. Fjala vjen pas ndjenjës, kurrë me të. Po aq sa ndjenja është e vërtetë, po aq fjala duket si një përpjekje e përhershme për ta kapur atë, dhe për ta humbur.
sikur të dija më mirë spanjisht
do ta kërkoja më shpesh të më duash
kur e vulos këtë kërkesë në shqip
ndjej se po përdor të drejtat autoriale
të përkthyesve të zotë të letërsisë
por ndjenja ime diku – diku është latine
shpirti im nuk ka nevojë për qetësi
po për një calma
mi alma
sikur të gjitha nënat që njoh artikulohen spanjisht
(fragment nga “Solamente una vez”)
Trupi, Bukuria dhe Pushteti i tjetrit
Në poezitë “Zoom In”, “Zhveshtorja” dhe “Bukuria është lufta kundër fashizmit”, trupi shfaqet si hapsirë e shtrirë ideologjike ku nguliten normat e pushtetit, reklamës dhe patriarkatit. Poezia nuk e romantizon trupin apo bukurinë, përkundrazi, i dekonstruon si forma të dominimit simbolik dhe kulturor. Kjo qasje është thellësisht foucaultiane: trupi është vendi ku projektohet kontrolli, por edhe ku mund të artikulohet qëndresa.
e zmadhova
foton e të dashurës tënde
nuk ia shoh ndonjë rrudhë
kur ndeshem me të
takoj shpejt
sytë e saj
flakëroj
mos ka mbetur tek ajo diçka nga ti
nga mbrëmë a parëmbrëmë
e diçka nga unë te ti
që është ngjit tek ajo
prej jetëve të shkuara
(fragment nga “Zoom in”)
Përtej vëzhgimit të tjetrit, këto poezi ndërtojnë një projektim të subjektit mbi boshllëkun që lë mungesa e një tjetri të tretë, aty ku lind kuptimi. “Zhveshtorja” është një hapësirë vetëreflektimi, por edhe konsumimi, një pasqyrë ku njeriu zbulohet si objekt. Ndërsa në “Bukuria është lufta kundër fashizmit”, e bukura konceptohet si emancipim, mosnënshtrim dhe etikë. Kjo e bukur nuk është platonike, por adorniane, ajo sjell dhimbjen në vetëdije si formë qëndrese. E bukura është e konceptuar ardhje në qenie pa ndonjë përpjekje të subjektit për ta njohur atë. Është kantiane. Ajo thjesht del, çelet. Por jo vetëm kaq, bukuria bëhet universaliste dhe totalitare. Bukuria bëhet hegjemone dhe shtyp çdo gjë të shumtuar, private, unilaterale dhe monocentriste, siç mund të jetë fashizmi.
Poezitë e Tinka Kurtit nuk ofrojnë zgjidhje. Ato nuk japin ngushëllim, por ftojnë në ndërgjegjësim. Në këtë kuptim, poezia e saj është akt etik: ajo kujton, pyet, vë në dyshim. Dhe si e tillë, nuk është vetëm letërsi, është filozofi në formë poetike./ KultPlus.com