‘Le ta durojmë edhe gëzimin e të tjerëve, dasmat le të jehojnë, ato janë dashuri’

22 Gusht, 2019 - 5:23 pm

Dasma, si dhelpra me rrushtë…

Luela Myftari

Edhe unë nuk i kam dashur dasmat, por…

Kishte një periudhë të jetës sime kur thoja që nuk do martohesha kurrë sepse ato para do t’i harxhoja në një udhëtim. Ishte e njëjta periudhë kur thoja se nuk doja të kisha shumë fëmijë. Një do ishte mjaft. Gjërat ndryshuan. Unë u rrita.

Nisa të punoja në një produksion fantastik, ku dasmat konkurronin me njëra – tjetrën. Unë isha skenari, historia e bukur e dashurisë së dy personave. Sido të ishin ata, të shëmtuar, të shkurtër, me tule, me zë aspak televiziv, kishte edhe nga ata që u ngecte fjala sa kamera regjistronte fill pas fjalës aksion. Por, atë kohë jam mbushur me emocione, më shumë se kurrë më parë. Dëgjoja rëfim pas rrëfimi, të njëjtën dashuri të treguar në dy versione. Unë duhet të ndërtoja një. Isha vetëm ajo që shkruante, por u futa brenda çdo rrëfimi. Me ”Luftën e nuseve”, unë ”luftova” Unin brenda meje, atë egoisten që kishte menduar vetëm për vete, vetëm të udhëtonte, që nuk donte fustan të bardhë dhe as nusërim, asnjë vallëzim adhe as shumë fëmijë pas kësaj.

Atë periudhë mësova se nata e parë e martesës në shumicën e herëve është nata e numërimit të parave, por mësova se familjet shqiptare e bëjnë dasmën edhe me borxhe, në emër të disa emocioneve që nuk do t’i harrojnë kurrë. Sepse një dashuri duhet festuar. Sepse një vallëzim me babain nuk blihet as me miliona, kur ai të mos jetë më. Një puthje e nënës në ballë, me lotët në sy, është emocioni që nuk e blen dot. Sepse vëllezërit që të dorëzojnë tek ai që ke zgjedhur nuk do të përsëritet kurrë, e sidomos kur vëllezërit i ke larg.

Unë që dikur nuk i urreja dasmat, por e thoja këtë në pamundësi për të pasur para edhe për udhëtime, edhe për dasmën, sot kujtoj sa pa fjalë mbeta kur shkruaja këto histori. Kam parë babain që kish humbur një djalë, që në një dasmë të fitonte një motiv më shumë për ta vazhduar jetën më i qetë sepse biri tjetër kish hapur dyert e një gëzimi. Kam ndier gëzimin e fëmijëve teksa shihnin prindërit të rimartoheshin pas 20 viteve. Më së fundi një dasmë më ka ngrirë fjalën, kur një vajzë pa prindër, që do të donte të kishte babain ta shoqëronte drejt altarit, mendonte se s’kish askënd në krah, por me një dasmë kuptonte se i përkiste një familjeje dhe se kishte më shumë njerëz se sa mendonte.

Dasma shqiptare mund të ketë ‘’trupin në Janinë e kokën në Stamboll’’, ka pafund para të shpenzuara edhe më kot, por ka emocionet që nuk blihen dot. unë nuk e humba egoizmin, apo dashurinë për veten, duke ndryshuar mendje, thjesht kuptova se dashuria është gjë e madhe. Egozëm është të mendosh të bësh pushime me ato para, por e do më shumë veten kur mendon se fustani i bardhë në lëkurën tëndë sado e shëmtuar të jesh është velloja që i fal lumturi babit teksa të sheh, nënës që e mbush zemrën vetëm me urata, vëllezërve që janë gati të gjejnë edhe qindrakat që do të hedhin mbi kokë kur të të marrin. Dasma është celebrimi i një dashurie përtej dy njerëzve, është ndarja e lumturisë me ato që do më shumë.

Tani unë jam dhelpra që nuk kap dot rrushtë, por që them atë që besoj, rrushi ka qenë, është dhe do të mbetet I mirë. Jam prapë unë, ajo që mendoja se të bësh fëmijë është egoizëm sepse ne njerëzit bëjmë fëmijë se duam të përmbushemi. Por ky është rrugëtimi ynë. Të gjithë duam më shumë, të gjithë duam edhe diçka më shumë. Dhe unë i dua dasmat sepse ato janë dashuri. Le të bërtasin, le të zgjasë një javë, le të jehojë lodra e malësorit, le të tundet gjoksi, le të sillet vallja nga saranda në delvinë, le të vishen teminat, ato janë jehona e një gëzimi. Mjaft të kemi ca më shumë, se vdekjet i kemi të prenotuara. Kuja është më e keqe, por respekti më i madh. Ndërsa lëçitemi të respektojmë kujën në vaje, le ta durojmë edhe gëzimin e të tjerëve. Dasmat le të jehojnë, ato janë dashuri.

Të ngjajshme