“Leonardo Da Vinçi, një libër sa një bibliotekë”

15 Nëntor, 2019 - 4:00 pm

Nga Dr. Bledar Kurti

Nëse pretendoni se dini gjithçka, pasi të lexoni biografinë e Leonardo da Vinci me autor Walter Isaacson, dalë së fundmi në të gjitha libraritë dhe me rastin e panairit të librit, mundësuar nga botimet MINERVA, do mësoni se dini asgjë. Por, nëse jeni modest në dijen tuaj, pasi të lexoni këtë libër do frymëzoheni e do kuptoni që dija është shumë pranë nesh, në gjërat e vogla që na rrethojnë, në grimcat e rëndomta të cilat nëse vrojtohen me vëmendje shpalosen si kryevepra. Do zbuloni se i gjithë kozmosi gjendet brenda vetë njeriut; i gjithë krijimi në krahët e një pilivese; e gjithë natyra në gjuhën e një qukapiku; shpirti i njeriut në sytë e një femre; vetë hyjnia në tablotë e një dore mëngjarashe si ajo e Leonardos.

Ky libër refuzon ta quajë gjeni, por e shpalos Leonardon ashtu siç ai ishte në të vërtetë, një njeri i pashkolluar, me një aftësi vrojtuese të jashtëzakonshme, me etje për të kuptuar misteret e universit, dhe pikërisht këtu gjendet gjenialiteti i Leonardos, i cili me qasjen e tij kureshtare arriti të krijojë tablotë më të shquara të botës, bukuritë e të cilave udhëtojnë e rezistojnë përtej çdo kohe e hapësire, duke na dëshmuar bukurinë dhe madhështinë krijuese të mendjes njerëzore.

Lexojeni këtë libër dhe bota do ju duket ndryshe, dhe vetë ju do jeni ndryshe.

Në të Leonardo na shfaqet njeri plot vese, i paduruar, trillant, arrogant, e një artist e shpikës plot të meta, dhe janë pikërisht këto papërsosmëri të tij, ato që na magjepsin në veprat dhe shpikjet që ia la si trashëgimi epokave, dhe me mënyrën si ai e shihte botën, njeriun, artin dhe dijen.

Një bibliotekë e tërë brenda një libri të vetëm. Këtë mund ta arrinte vetëm Walter Isaacson, profesor historie, drejtor e kryeredaktor i CNN dhe Times, autor i biografive të tjera si Albert Einstein, Benjamin Franklin, Henry Kissinger, Steve Jobs, dhe së fundmi Leonardo Da Vinci, të cilin pata privilegjin ta shqipëroja, dhe përmes shtëpisë botuese MINERVA të shtohej si një pasuri e jashtëzakonshme në letrat shqipe edhe për lexuesit shqiptarë.

Nëpër rreshtat e këtij libri Mona Lisa do ju buzëqeshë si kurrë më parë; Darka e Fundit do ju zbërthehet siç nuk e keni kuptuar kurrë më parë; e bashkë me kryeveprat e mjeshtrit do ju shpaloset mendja e një fëmije të jashtëligjshëm me emrin Leonardo, i cili vetëm në pak dekada përligji përjetësinë e artit dhe bukurisë.

Trashëgimia e Leonardos na tregon se ai mund të bënte gjithçka. Ai do krijonte dy pikturat më të famshme të historisë, Darka e Fundit dhe Mona Lisa., por në mendjen e tij, ai ishte po kaq i talentuar si njeri i shkencës dhe inxhinjerisë. Me një pasion të gjallë por edhe të fiksuar, ai kreu studime që përbënin risi në anatomi, mbi fosilet, zogjtë, mbi zemrën, makineritë fluturuese, optikën, botanikën, gjeologjinë, rrjedhën e ujit, dhe armatimet. Duke u bërë kështu prototipi i Njeriut të Rilindjes, një frymëzim për të gjithë ata të cilët besojnë se “veprat e pafundme të natyrës” siç i quante ai, janë të thurura së bashku në një harmoni të mbushur me motive të mrekullueshme. Aftësia e tij për të ndërthurur artin dhe shkencën, e shndërruar në ikonë përmes vizatimit të tij të një njeriu me përmasa perfekte, krahë hapur brenda një rrethi e katrori, i njohur si Njeriu Vitruvian, e bëri atë gjeniun më krijues të historisë.

Ai qëronte lëkurën nga fytyrat e kufomave, analizonte muskujt që kryejnë lëvizjen e buzëve, e më pas pikturoi buzëqeshjen më të paharrueshme të botës. Ai studioi kafkën njerëzore, bëri vizatime të detajuara të kockave dhe dhëmbëve, dhe krijoi agoninë në skeletin e veprës Shën Jeromi në Shkretëtirë. Ai eksploroi matematikën dhe optikën, pasqyroi se si rrezet e dritës godasin kornean e syrit njerëzor, e kështu prodhoi iluzione magjike të ndryshimit të perspektivës pamore tek vepra Darka e Fundit.

Teksa plakej, ai vazhdoi me zbulimet e tij shkencore jo për t’i shërbyer artit por i udhëhequr nga një instinkt ngazëllyes për të kuptuar sa më mirë bukuritë e thella të natyrës. Aftësia për të lidhur disiplina të ndryshme si arti dhe shkenca, shkencat shoqërore dhe teknologjia, përbëjnë çelësin e risisë, imagjinatës, dhe gjenialitetit.

Duke i vënë Leonardos etiketën “gjeni” në një farë mënyre ia ulim disi vlerat pasi e bëjmë të duket sikur ishte i goditur rrufeja, komenton Isaacson. Në fakt, gjenialiteti i Leonardos ishte njerëzor, beson biografi i njohur, i nxitur nga vullneti dhe ambicia e tij. Nuk vinte si dhuratë hyjnore, ashtu si Newton apo Einstein, të cilët kishin një mendje me një fuqi aq të madhe funksionale saqë ne njerëzit e thjeshtë nuk mund ta kuptojmë. Leonardo pothuajse ishte pa shkollë dhe me vështirësi arrinte të lexonte latinisht apo të bënte përllogaritje matematikore disa shifrore. Gjenialiteti i tij i përkiste një lloji të cilin ne mund ta kuptojmë, e madje edhe ta përdorim si shembull. Ishte i bazuar mbi aftësi të cilat ne mund të aspirojmë që t’i arrijmë tek vetja jonë. Ai kishte një imagjinatë aq joshëse e cila lodronte me skajet e fantazisë, gjë që edhe ne duhet të përpiqemi ta ruajmë tek vetja jonë dhe duhet t’ia pasojmë edhe fëmijëve tanë.

Aftësia e tij për të zbutur vijën ndarëse midis realitetit dhe fantazisë, ashtu si edhe teknika e sfumaturës për zbutjen e vijave në pikturë, ishte çelësi i krijimtarisë së tij. Aftësia pa imagjinatë është shterpë. Leonardo dinte si të mblesëronte vëzhgimin me imagjinatën, ndaj edhe mbetet novatori më i madh i historisë.

Ndonëse në përgjithësi ai konsiderohej nga bashkëkohësit e tij si miqësor dhe i sjellshëm, kishte raste kur Leonardo ishte i zymtë dhe i trazuar. Shënimet dhe vizatimet e tij janë dritare e qartë e mendjes së tij përndezëze, imagjinare, manjake, e me raste edhe e ngazëllyer. Nëse do kishte qenë student në fillim të shekullit të njëzetë e një, do i kishin dhënë një recetë me ilaçe për të stabilizuar luhatjet e humorit dhe çrregullimin e mungesës së vëmendjes, e shkruan me humor Isaacson. Askush nuk duhet t’i bashkohet opinionistëve të cilët e konsiderojnë atë si një artist gjeni i trazuar, për të besuar se ne jemi me fat që Leonardo ishte i lirë të përdorte veset e tij për të masakruar demonët e tij e për të zgjuar dragonjtë.

Shekulli i pesëmbëdhjetë i Leonardos, Colombus dhe Gutenberg, ishte koha e novacionit, e zbulimit, dhe përhapjes së dijes përmes teknologjive të reja. Thënë shkurt, ishte një kohë si kjo e jona. Ndaj edhe ky libër i shërben shumë mirë kohës që po jetojmë. /KultPlus.com

Të ngjajshme