Letërsia bashkëkohore në veprën “Testamenti” të Sabri Hamitit

7 Qershor, 2019 - 11:00 pm

Elhame Demi

Testamenti’ është vepra më e re e studiuesit Sabri Hamiti, e cila përmban shkrime kritike për letërsinë shqipe, si dhe është vepër që na ndihmon në krijimin e një kritike të re për letërsinë. Ky studim apo reflektim i ri me shkrime kritike, na vie me koceptin e thellë të trashëgimisë, dhe si një testament në kuptimin e asaj që u lihet lexuesve në duar, si vlerë e trashëgueshme.

Në analizat e tekstit dhe në përkufizimet krijuese kemi një kontakt të dyfishtë, nga njëra anë me poetin dhe dukurinë letrare, ndërsa nga ana tjetër njihemi me përceptimin shpesh të pazakontë të studiusit Sabri Hamiti.

Libri Testamenti ndahet në tri pjesë: Lirika shqipe, leksione dhe testamenti.
Në pjesën e tretë “Testamenti” përfshihet letërsia filolobiblike, romantike, moderne, bashkëkohore dhe historia e letërsisë.

Letërsia bashkëkohore përfshin letërsinë shqipe në Shqipëri, Kosovë e diasporë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Letërsia e kësaj periudhe kaloi nëpër shtigje të vështira, duke u detyruar të kufizohet brenda metodës së realizmit socrealist. Pati edhe autorë të shumtë që krijimtarinë e tyre u detyruan ta ndërprenin për periudha të ndryshme kohore.

Këtë pjesë studimore me vizion gjithëpërfshirës Hamiti e fillon me një studim të hollë bërë karshi autorëve më të qëndrueshëm të kohës, duke theksuar që veprat letrare arrijnë t’i rezistojnë kohës, pavarësisht që fshesa e rrafshimit kolektiv, komunizmi, kishte përmbysur autoritetet letrare të epokës pararendëse.
“Fishta ka vdekur më 1940. Me fshesën e rrafshimit kolektiv me kriter të karikaturimit provincial, komunizmi përmbys autoritetet letrare të epokës pararendëse. Mid’hat Frashëri e Koliqi emigrojnë, Lasgushi e Kuteli heshten, Vangjel Koça mbytet, Haxhiademi e Floqi burgosen, Prenushi e Anton Harapi burgosen e vriten. Autorët e rinj, të artikuluar, të periudhës pararendëse konvertohen në metodën letrare” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.351)

Letërsinë shqipe në dy dekadat e para e zotëronin fryma të ndryshme, siç ishin: lufta çlirimtare, utopia e përparimit, internacionalizmi, si dhe nënvizime të forta të ideologjisë komuniste.

Shkrimtari më i famshëm i letërsisë bashkëkohore shqipe, i cili gëzon edhe njohje ndërkombëtare është Ismail Kadare (1936), i cili me romanin “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”(1963), krijoi përmbysje të habitshme duke krijuar shpirtin liridashës të popullit shqiptar. Kadare shkroi e botoi edhe vepra të tjera, që për letërsinë shqipe patën një vlerë të jashtëzakonshme, sepse në to trajtoheshin tema të ndryshme të aktualitetit shqiptar me referenca reale-historike, poashtu ai mes tjerash kritikoi edhe psikologjinë provinciale dhe traditat prapanike. Kadare është poashtu shkrimtar i propozuar për Nobel.

Plejadën e autorëve në këtë pjesë e përbëjnë edhe shumë emra të tjerë të autorëve siç janë: Jakov Xoxa, Dritëro Agolli, Bilal Xhaferri, Kasëm Terbeshina, Fatos Arapi e shumë të tjerë.

Edhe në Kosovë letërsia bashkëkohore kishte nisur të shkruhej e të botohej, autorët që nisën të botonin të parët ishin: Esad Mekuli, Martin Camaj e Hivzi Sulejamani në vitet 50-të.

“Këta autorë duke pasur përvojën letrare të periudhës së përparme, bëhen referencë për brezat e ardhshëm. Kjo letërsi e nisur si adhurim për kulturë e arsim, nëpër decenie shpalos mënyra krijimi, duke arritur kështu deri në krijimin e një letërsie me vlera estetike. Kalon nga letërsia e utilitaritetit te letërsia e literaritetit, që është provë e modernitetit letrar shqiptar” shkruan Hamiti. (Testamenti, f.354)

Gjatë viteve të 60-ta artikulohet një brez shkrimtarësh të shkolluar për letërsi. U rrit numri i krijuesve dhe veprave letrare. Kështu dalëngadalë në letërsinë shqipe filloi të depërtojë fryma e drejtimeve dhe e ndjeshmërive të reja krijuese e letrare.

Poashtu edhe kritika letrare pati një zhvillim të hovshëm gjatë kësaj periudhe. Duke njohur situatën delikate nëpër të cilën zhvillohet dhe funksionon kritika letrare, duhet vlerësuar kontributi i saj, që vazhdon të jetë i pranishëm edhe në ditët e sotme. Kritika letrare ka historinë e vlerave të krijuara dhe përcjellësit e këtyre vlerave mbeten personalitetet më të çmuara të botës shqiptare. Sabri Hamiti kritikët letrar i konsideron si njerëz me virtyte shumë të larta dhe më të shquarit në këtë fushë ai cilëson: Ali Aliun, Rexhep Qosjen, Mensur Arifin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Ismajlin, Agim Vincën si dhe Sabri Hamitin.

Letërsia gjatë periudhës së krijimit kontrollohej e censurohej nga shteti, si pasojë e rrethanave politike. Hapësirat në të cilat shkruhej letërsia e asaj kohe ishte mjaftë e ngushtë. Poashtu edhe komunikimi i autorëve dhe i librave është bërë me shkëputje. Mirëpo me kalimin e kohës, letërsia filloi të shfaqej më e hapur. Liria në shkrim solli një dyndje veprash letrare, por jo të gjitha ishin në nivelin e pëlqyeshmërisë./KultPlus.com

Të ngjajshme