Lexuesi i vërtetë e braktis Shqipërinë!

23 Nëntor, 2018 - 4:32 pm

Nga Rezart Palluqi

Një shkrimtar, zakonisht nuk mund të krijojë vepra dinjitoze nëse ai vuan për bukën e gojës, ndeshet me probleme jashtzakonisht serioze familjare ose vuan prej ndonjë semundjeje të rëndë. Atëherë përse u dashkërka të kërkojmë prej shqiptarëve jo-krijues të lexojnë rregullisht? Të gjithë e njohim jetesën mizerabël të shqiptarëve. Qindra mijëra famlje shqiptare e mbajnë frymën gjallë duke blerë ushqime me listë. Normale që atyre as që u shkon ndër mend që të lexojnë.

Nëse një holandez lexon mijëra herë më shumë se një shqiptar këtë e bën kryesisht sepse magja e bukës së tij është plot. Se ai e ka të sigurtë një pension dinjitoz, një asistencë të fortë për të mbijetuar në kohët e papuna. Po shqiptari? Shqiptari lexon gazetën sepse ajo i ka paraprirë librit. Zgjidhjet morale dhe ekonomike shqiptarit nuk ia jep as libri por as diploma, përvecse gazetës, që edhe i ushqen me zhvillimet e fundit politike. Me këtë ushqim të përditshëm shqiptari gatuhet dhe përgatit manovrat politike për t’u punësuar ose që të pasurohet nëpërmjet pazarave politike me lloj lloj partishë. Por Shqiptari lexon edhe me porosi ngaqë janë krijuar klane të mbyllura letrare. Ashtu sic përzgjidhen me porosi edhe tekstet letrare në programin shkollor të cikleve të ulëta dhe të larta. Kjo ka lënë jasht tregut letrar një letërsi cilësore e cila nëse do t’ishte lexuar në kohë do tia kishte përmirësuar imazhin letërsisë shqipe dhe fituar besimin e humbur të lexuesit shqiptar tek letersia shqipe.

Kur morali nuk vlen asnjë grosh

Arsyeja e dytë, sipas mendimit tim, më e fuqishmja ndoshta, është morali i kalbur shqiptar. Letërsia e madhe është zakonisht një moral i madh. C’i duhet shqiptarit letërsia kur gënjeshtra, krimi, mashtrimi, denigrimi janë armët e vetme me të cilat dikush mund të mbijetojë në Shqipëri ? Ja, ta zemë se lexuam një roman që dënon krimet diktatoriale, dhunën në familje, kafshërinë e politikës shqiptare, etjer. E pastaj! Të gjitha vlerat apo mesazhet që i jep lexuesit ai roman bien në vesh të shurdhër. Ato nuk i hyjnë në punë lexuesit shqiptar. Ato nuk ia bëjnë jetën më të lehtë, në të kundërtën edhe më të hidhur. Sepse sa më shumë të të ndërgjegjësojë letërsia, aq më e rëndë bëhet jetesa kur dija që ke grumbulluar prej letërsisë vlen më pak se sa shamia e hundëve të kriminelëve shqiptarë që janë përhapur si një mortajë e madhe në të gjitha shtresat politike dhe kulturore shqiptare. Shqiptarët do të lexojnë rregullisht kur ata ta ndjejnë thellë në shpirt se Shqipëria do të bëhet. Se politikani më i lartë lexon të paktën 1 roman në muaj dhe se shpirtin e tij e demonstron sadopak në mënyrën se si ai udhëheq dhe e menaxhon pushtetin dhe besimin që populli atij i mirëbesoi.

Nëse në Shqipëri ekziston ende një numër i konsiderueshëm lexuesish, letërsia ata i zhyt në një vetmi akoma më të madhe. Ata distancohen edhe më shumë prej realitetit barbar shqiptar. E në këtë rast, letërsia ndoshta shërben si një varkë shpëtimi për ta, mirëpo nuk shndërrohet në një urë komunikimi lexues-shoqëri-kohë. Jo! E kjo e margjinalizon dobinë e letërsisë, e cila në vendet e zhvilluara e bën më pozitiv dhe bashkëveprues njeriun në shoqëri. Në rastin më fatlum pra, letërsia i ofron lexuesit elitar shqiptar një fole të sigurtë për të mos e ngrënë gjarpëri, ndërkohë që në kohët moderne letërsia e ka mësuar njeriun që ta kuptojë gjarpërin, ta zbusë, tia heqë helmin ndonjëherë edhe të jetojë paralelisht me të.

Leximi në periudhën hoxhiste

Shqiptarët lexonin pa dyshim më shumë gjatë gjysmëshekullit terrorist të Enver Hoxhës. Ai vërtetë ka qenë i detyruar, pa dyshim që ka pasur efekt të frikshëm trushpëlarjeje tek shqiptari, ama lexohej. Dhe ndoshta e vetmja arsye legjitime përse lexohej ka qenë siguria e mbijetesës. Edhe pse me vuajtje të papërshkrueshme secili në atë kohë e hante një copë bukë. E më e rëndësishmja ishte gënjeshtra hipnotike: krenaria artificiale që ne atëherë ushqenim për vendin tonë, Shqipërinë na ka frymëzuar të lexojmë. Mijëra shqiptarë lexonin rusët e mëdhenj e përpiqeshin që filozofinë apo shpirtin e tyre ta përshtatnin në jetën e tyre të përditshme. Pa dyshim që përkthyesit në atë kohë kanë qenë më mjeshtërorë. Letërsia e rilindasve, Kutelit, Lasgushin, na shijonte mjaft.

Po sot?

Sot, nuk kemi as bukë në magje, por më e tmerrshmja ne nuk besojmë më. Akoma edhe më optimisti, nuk beson se ky vend do të bëhet për të jetuar. Si guxojnë atëherë politikanët shqiptarë të akuzojnë shqiptarët për dembelinë, neglizhencën e tyre ndaj Letërsisë? Politikanët tanë mjafton që të përdorin piramidën Maslow, e njohur dhe që përdoret masivisht në Perëndim. Ajo njeh 5 shkallë dhe dy shkallët e para nuk janë as letërsia, as arti. Jo! Dy shkallët e para i garantojnë qytetarit mbijetesën dhe zhvillimin profesional. Ndërsa arti e shfaq kokën në shkallën e tretë dhe të katërt. Evropa perëndimore e dinte mjaft mirë që shoqëritë nuk civilizohen vetëm prej lexuesit elitar por kryesisht prej lexuesit masiv. Evropa e përkrah fort letërsinë mesatare, rozë, policore. Një lexues i turmës më mirë të lexojë një roman rozë sesa një gazetë të kapur prej mafies politike. Ndërsa në Shqipëri kjo nuk ndodh sepse turma ushqehet me idenë e letërsisë së madhe, asaj që është stërfryrë prej makinerive propagandastike enveriste dje dhe sot. Dhe në rastin më fatlum turma argëtohet me letërsinë që lind në klanet e mbyllura letrare.

Rrjedhimisht, më duket një padrejtësi e madhe që të akuzojmë lexuesit masivë shqiptarë përse nuk lexojnë. Pa dashur që t’i shkarkoj nga kjo njollë antiqytetare, ata kanë të drejtë që librin, qoftë ai rozë, lemonadë apo policor, ta zëvendësojnë me gazetën. Shqipëria rrallë herë, në mos kurrë ,nuk është përfaqësuar prej politikanësh që e duan artin dhe më konkretisht librin. Politikanët tanë kanë komunikuar me turmën ( e ky është shqetësimi më i madh sepse lexuesi elitar do të lexojë gjithnjë) shqiptare kryesisht nëpërmjet gazetave propagandistike.

Përkrah lexuesit masiv kemi edhe lexuesin elitar. Ata shqiptarë që ende nuk janë arratisur përzgjedhin si ushqim letrar kryesisht letërsinë e huaj. E bëjnë këtë për arsyet e lartpërmendura. Letërsia shqipe është fundosur në klane të mbyllura letrare. Qeveria e përkrahur prej bilbilëve të saj, bën tentativa që të dekurajohet letërsia e angazhuar shqipe. Lihet në hije letërsia cilësore shqiptare, si ajo e Camajt, Trebeshinës, Gëzim Hajdari, Shpend Sollaku, etjer dhe po kultivohet një brez shkrimtarësh të rinj që krijojnë në prehërin e oborrit qeveritar.

Ndaj, fushata më e fundit e Ministres së Kulturës për të lexuar më shumë zhvlerësohet totalisht nëse ajo dhe qeveria që ajo përfaqëson nuk zgjidh tri probleme: 1) Shqipëria të bëhet vend i jetueshëm sepse atëherë turma do të lexojë masivisht dhe qytetërohet në nivele të admirueshme. 2) Lexuesi elitar të mos lexojë VETËM për të mbijetuar si murg në atdheun-shpellë. 3) Të shkatërrohen klanet e mbyllura letrare enveriste që i ngjajnë ekonomive diktatoriale ku mbizotëron monopoli shtetëror.

E duke qenë se bota ndryshohet duke filluar nga vetvetja, shkrimtarët shqiptarë duhet të marrin lamtumirë prej dashurisë apo nvarësisë se oborreve qeveritare. Ata duhen të sillen si individë të pavarur. Përkrah këtyre, ata pak shkrimtarë që krijojnë pa u ndikuar prej politikës vrastare shqiptare, kryesisht jasht Shqipërisë, duhet të hedhin egon e tyre në koshin e plehrave. Të krijohet një bashkëpunim ndërkolegial kur bëhet fjalë për kauza të mëdha, si ndërgjegja kolektive, freskimi i kujtesës së të keqes, marrja në mbrojtje e palës së dobët, origjinaliteti letrar etjer. Shembuj të tillë bashkëpunimi i kemi. Mjafton Martin Camaj dhe revista e tij e famshme letrare… E nëse shkrimtarët e pavarur nuk bashkëpunojnë me njëri-tjetrin për kauzat e mëdha, atëherë ata janë sipas mendimit tim po aq përgjegjës sa vetë qeveritë post-enveriste. /KultPlus.com

Rezart Palluqi

Amsterdam, 23 november 2018

Të ngjajshme