Libër mbi një dramë individuale

29 Gusht, 2018 - 9:28 am

Shkruan Ibrahim Kadriu.

Mbresa nga “Rrugëtimi i një jete të dhuruar” të dr. Ramadan Myrtajt

Është një botim interesant, i rrallë për nga përmbajtja, i jashtëzakonshëm për nga përkushtimi, shumë i veçantë për nga qasjet të cilat ngërthejnë në vete konglomerat aspektesh me dedikim te jeta e njeriut buzë vdekjes. Njeriu si qenie natyrore e ka lindjen pastaj jetën, hapësirën jetësore të ngarkuara me sfida të ndryshme dhe, natyrisht – vdekjen e cila, në një moment të caktuar, ushtron pushtetin mbi të gjallin, duke ia mbyllur të gjitha rrugët… Disi kësisoj mund të definohet historia e lindjes dhe vdekjes, por kur kjo e fundit, domethënë vdekja, afrohet përmes sëmundjeve më të rënda nga të cilat (thuhet) nuk ka shpëtim, individit të rrezikuar nuk i mbetët tjetër pos të pajtohet me fatkeqësinë dhe të kërkojë hallallëkun nga më të afërmit. Në këtë gjendje të përshëndetjes me të afërmit në prag të vdekjes, ishte edhe dr. Ramadan Myrta, meqë e kishte kancerin e mëlçisë, por e kishte edhe bindjen e ekspertëve të mjekësisë që i thoshin se do të vdiste. Fundja, edhe vetë e kishte atë bindje, por nuk deshi të dorëzohej dhe nuk u dorëzua.

Lufta e dr. Ramadan Myrtës për t’i ndihmuar jetës të shkelte mbi vdekjen pati gjatësi kohore dhe gjithë atë periudhë kohore, gjithnjë i shoqëruar me atë kancer në mëlçi, e përshkroi me aq detaje në librin e rrallë “Rrugëtimi i një jete të dhuruar”, rrugëtim ky “i gjatë, i mundimshëm dhe shpesh me tmerre, duke filluar në Kosovë dhe vazhduar në Shqipëri, Beograd, Zvicër, Turqi, Suedi… duke e pasur mbështetje të bijën, studenten e mjekësisë Arnisen, e cila ia dha pjesën e mëlçisë dhe shpëtoi babën.

Libri, edhe pse është nisur si autobiografi dhe ai rrugëtim “shpalon” ngjarjet që nga fëmijëria (dhe varfëria e skajshme) e autorit, i prirë nga vullneti për shkollim, është një dramë e shkuar dramave, i konceptuar me shumë aspekte përmbajtjesore qoftë nga ana morale e filozofike, nga aspekti psikik e sociologjik, me aq shumë premisa medicinave e historike, duke ofruar çdo gjë relevante për mëlçinë dhe mbi të dhënat për këtë organ delikat dhe përvoja që, në mënyrë teorike e praktike, është ushtruar mbi të që nga antika e deri më sot. Libri (me 650 faqe) i këtij autori me përvojë të gjatë në mjekësi, i ngritur me subspecializim nga gastroentero-hepatologjia dhe kardiologjia në Zagreb, përveç dramës psikologjike të përjetuar,shtron aspektin teorik mbi mëlçinë, por edhe mbi medikamentet që janë të përdorshëm për raste të tilla. Përgjithësisht libri e ka rolin edhe të një leksikoni që mund t’iu hyjë në shërbim personelit mjekësorë, por edhe studentëve të mjekësisë. Lidhur me këtë mendim, ia vlen të shënohet edhe qëllimi i autorit, kur thotë “jam përpjekur të pasqyroj dhe ta trajtoj në mënyrë më të gjerë të mundshme gjendjen psikologjike të të smëruëve nga kanceri që nga momenti kur atyre u kumtohet se janë të goditur nga kjo sëmundje shpesh fatale për jetën. E gjithë këtë e kam bërë duke u nisur nga përvoja ime dhe qëllimet më fisnike dhe humane, për t’iu ndihmuar të tjerëve…”

Dr. Ramadan Myrta , pas gjithë atij rrugëtimi nëpër vite, duke kaluar nga një shtet në tjetrin, nga një klinikë në tjetrën, që nga qendrat ekzaminuese fillimisht te KFOR-i gjerman në Prizren, për të vazhduar tutje, duke arritur në Izmir (ku e bëri transplantimin) dhe duke arritur edhe në Suedi e Amerikë për rishikim, e deri te kthimi në Kosovë, i shëruar tërësisht./ KultPlus.com

Të ngjajshme