Mallkimi i femrës për të krijuar lirinë

17 Shtator, 2020 - 12:56 pm

Ballsor Hoxha

Krijimi i lirisë do të thotë përgjegjësi për lirinë tënde, ndaj vetes, dhe tjetrit. Është të jetuarit dhe të jetësuarit të lirisë me përvojën tënde, me kognicionin tënd dhe, shumë herë, me plagë të dhembshme të zjarrit të lirisë tënde.

A. gruaja nënë, në të tridhjetat e saj, me flokët rozë dhe me lirinë e saj të krijuar, dhe po ashtu edhe E. nënë me dy fëmijë, derisa pinë birra, e derisa gjykohen për tërë atë që janë dhe kanë qenë, nuk janë gra që kanë ardhur prej qiellit. Ato mund të jenë nga Lipjani, apo edhe nga Peja, apo edhe nga një familje me vështirësi të pakrahasueshme. Në të vërtetë, asnjë nuk ka rëndësi, është me rëndësi, për ne, sa i ngjajnë gruas këto me flokët e tyre rozë apo të rruara? Sa janë gra? Sa janë nëna këto dyja?

Apo, mund lehtë të pyetemi, derisa jemi të humbur në shndërrimin e simboleve të lirisë dhe të parashikueshmërisë së lirisë, çka është gruaja? Çka e bën gruan grua?

Gruaja është interpretimi ynë i lirisë së shoqërisë sonë. Varësisht. Ose në të parit se “përdalja” e saj është devijim dhe dobësim i instinktives së shoqërisë sonë. Ose se jemi të mallkuar për nënshtrim ndaj të resë, dhe të huajës.

Gruaja në të vërtetë është bartësja dhe fronti i ndryshimit, dallimit dhe momenti ku krijohet liria, jo vetëm e saj, por e tërë shoqërisë. Derisa në interpretimin tonë të femrës, krejtësisht dhe rrënjësisht posesiv, ne shohim fytyrën dhe burrninë tonë, të mbrojtur apo të devijuar. Ajo është në dyshim të përhershëm dhe në gjykimin e përhershëm të saj, si potencial dhe dobësi e jona. Gruaja në këtë është fundi i shoqërisë sonë, jo i menduar vetëm në kuptimin e shtypjes dhe patriarkalizmit, por edhe në të kundërtën e kësaj, të arritjes dhe vetë të prekjes së lirisë, përmes saj.

“Unë edhe femnën ta marr”

është një varg i një kënge thënë pikërisht nga një femër në një këngë shumë e populluarizuar. Si dëshmi e pushtetit të një gruaje. Si dëshmi e pushtetit të lirisë së një gruaje. Si dëshmi e pushtetit të aftësisë seksuale (të komercializuar). Liria bëhet e pamatë.

Aq më shumë, në rrjetet sociale, shumë shpesh kalon fytyra (facebook) nga fytyra jote në fytyrën e diçka që nuk je ti, nuk është as shoqëria jote dhe as tërë ajo që di dhe njeh. Je pre e masës dhe sjelljes së masës. Arrin në moment kur në të vërtetë ke fytyrë tjetër, fëmijë tu të huaj për ty, burrë të huaj, dhe jetë tënden të huaj.

Në këto dy shembuj përkufizohet tmerri i lirisë. Ankthi i pamatësisë së lirisë. Ankthi i mungesës së përgjegjësisë për lirinë. Por mbi të gjitha ankthi i pamundësisë për të vënë nën kognicion lirinë.

Por liria është edhe më e tmerrshme: kur këto shembuj në fjalë, bëhen mënyrë jete. Kur këto bëhen jeta dhe jetësimi i saj.

Këtu lind masakra, e çorodisë dhe e pamundësisë së interpretimit të lirisë. Jo si zgjedhje dhe pavarësi në krijimin e saj, por në depersonalizim në tjetrën dhe aq më shumë në tëhuajsim brenda plotësimit të dëshirave të parealizuara. Masakra ndër-familjare, dhuna bashkëshortore, janë tmerri i mishëruar dhe i vënë në veprim derisa ndodh ankthi i lirisë dhe pamatësisë së saj. Pamundësisë për ta kundërshtuar atë. Në anën tjetër shkurorëzimi dhe mundësia e shkurorëzimit, apo edhe pamundësia e shkurorëzimit, janë momenti i kalimit të shoqërisë sonë në zgjedhje, në liri që e krijon vetë, në liri që e kërkon vetë, apo stagnim brenda parashikueshmërisë së lirisë në të kundërtën e saj. Është moment i krisjes së sitemit ku gruaja është e parashikueshme.

Por në të vërtetë liria është edhe më e tmerrshme: kur liria jote është shenjë dhe bartëse e “dyshimit” të shoqërisë tënde.

A. si nënë, me përpjekjen e saj për të krijuar lirinë e saj, gatuan oriz dhe “chilli con carne (pasul, e menduar si ironi), dhe gjatë ditës punon për ardhmërinë dhe mirëqenien e fëmijëve të saj. Ajo sillet, duket dhe ka qëndrim ndryshe në shoqëri, në masë dhe më tutje.

Por mallkimi i saj për të krijuar lirinë e saj, zgjedhja e saj për të krijuar jetën e saj, e ka bartur në mure të trishtueshme, të pandjeshme dhe traumave të jetës nën këtë mallkim. Ajo ka vuajtur po ashtu masakrën, pandjeshmërinë e shoqërisë, ftohtësinë përballë zgjedhjeve të saj, dhe aq më shumë dhembjen e të qenit ndryshe. Të jetuarit ndryshe, të zgjedhurit ndryshe, të krijuarit ndryshe.

Kush e di çfarë vështirësi në jetë ka pasur, ka dhe vazhdon t’i ketë.

Por, çka nëse roza e flokëve të saj është rebelim ndaj nesh. Ndaj mungesës së një strehe të saj, dhe në këtë strehë e saj e vetme. Ndaj një jete të rëndë në fëmijërinë, rininë dhe adoleshencën e saj. Çka nëse roza e flokëve të saj është përballë teje si guxim dhe konfirmim i lirisë së saj të krijuar mbi të gjitha, mbi tragjedinë familjare. Mbi tragjedinë e të qenit e braktisur në jetë.

A. sot është në punë. Kush e di cili nga burrat që takon e ngacmon seksualisht, i verbër ndaj guximit të saj të ngjyrosur në lara rozë, si shenjë refuzimi dhe rezistence.

A. sot është në punë dhe kush e di cili nga burrat që takon mirësjelljen e saj të ëmbël e sheh si kurvëri.

Derisa gazetat janë të mbushura me masakër ndër-familjare, derisa njerëz të shastisur nga liria vuajnë përgjakjen e familjarëve dhe të afërmve në gazeta, ajo kryen punën e saj, dhe shndritë lara e saj rozë në flokët e saj, si triumf ndaj tragjedisë së saj, jo vetëm asaj familjare, por edhe asaj mbi tërë shoqërinë./ KultPlus.com

Të ngjajshme