Marin Mema: Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd

19 Maj, 2023 - 1:00 pm

Marin Mema

Propozimi për heqjen e emrit të Hasan Prishtinës nga Universiteti i Prishtinës është absurd. Ne duhet të krenohemi me figura të tilla. Unë e kuptoj që ka probleme apo procedura që ndikohen nga faktorë të tjerë, por kjo nuk duhet të na bëjë të tërhiqemi nga e drejta.

Propozimi me sa është bërë e ditur lidhet me pengesat që krijon universiteti i hapur ilegalisht nga strukturat paralele serbe në veri të Mitrovicës. Dhe duke qenë se ai universitet ilegal është emërtuar qëllimisht “Universiteti i Prishtinës” , në arenën ndërkombëtare , Universiteti i vërtetë i Prishtinës emërtuar “Hasan Prishtina” ka probleme në rankimet e procedurat ndërkombëtare. Ky është justifikimi zyrtar. Por pse duhet hequr emri “Hasan Prishtina” UP- së dhe jo delegjitimuar universiteti paralel në Mitrovicën veriore ? Po sikur “nesër” serbët me këtë precedent të ndikojnë në ndryshimin e emërtimeve të tjera ? Të imponojnë gjithnjë e më shumë ? Sot universitetin, nesër aeroportin, stadiumin etj etj etj. Çfarë është kjo ?

Emrat e universiteteve “Ismail Qemali” në Vlorë, “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, “Eqerem Çabej” në Gjirokastër apo “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan, “Haxhi Zeka” në Pejë, “Kadri Zeka” në Gjilan, “Isa Boletini” në Mitrovicë etj etj janë krenari, identitet. Ne duhet ti vlerësojmë e ruajmë figurat tona e jo ti largojmë, fshehim, shuajmë sipas imponimeve e dëshirave të të tjerëve. Me emrat e figurave nuk luhet.

Të ngjajshme