Mbi shpifësin dhe shpifjen

18 Korrik, 2025 - 11:02 am

Shkruan: Avni Spahiu

Nga kush duhet pasur drojë më shumë: nga mediokrit, snobët, paragjykuesit apo nga gënjeshtarët, meskinët e shpifësit?

Mes mediokrit, snobit, paragjykuesit, gënjeshtarit, meskinit dhe shpifësit, më i paskrupulli është ky i fundit. Shpifësi është ai që shpif dhe i bie më qafë dikujt duke e etiketuar apo duke gënjyer për të njollosur dikë në sytë e të tjerëve. Madje, definicioni i shpifësit mishëron të gjitha sinonimet negative për përgojues, keqdashës, tradhtar, përçmues, gënjeshtar, cinik, përgjues e spiun, detyrë e të cilit është që të nënvlerësojë dikë apo diçka dhe të hedh hi mbi vlerat e  vërteta dhe  njerëzit që nuk meritojnë etiketa. 

         Andaj, shpifësi mund  të jetë edhe mediokër, edhe snob, edhe paragjykues, gënjeshtar dhe meskin e shpirtngushtë. Vështirë të gjendet një ves më i rëndë për dikë që përpiqet të cenojë reputacionin e dikujt apo të përhap fjalë të dëmshme dhe të rrejshme për një person. Të gjitha ato vese negative në karakterin e një njeriu të pakarakter janë pjesë e këtij lloji të personit. Shpifës mund të jetë dikush që është i pakënaqur me sukseset e  njerëzve, shpreh xhelozi dhe ndihet i irrituar ndaj njerëzve të suksesshëm. Ai shpif për kolegët, për fqinjët, për miqtë e tij. Ai fut  sherr mes miqsh, mes bashkëshortësh, mes kolegësh, tek të gjithë ata që ai ndjen një negativitet. Këtë  tip shpifësi e gjejmë gjithkund në mesin e tonë dhe ai  paraqet shembullin më tipik të shpifësit patologjik dhe personit primitiv dhe të pa ditur. 

Por  ka dhe një lloj shpifësi tjetër, ku si rezultat i shpifjeve, shumë njerëz kanë pësuar në jetën e tyre. E them këtë duke pasur parasysh të kaluarën në të dy anët e kombit të ndarë. Në diktaturën komuniste në Shqipëri me qindra njerëz janë dënuar, gjykuar e vrarë në bazë të shpifjeve të krijuara dhe fajeve të sajuara e  të shpikura nga sistemi apo edhe nga njerëz që kanë qenë shërbyes  të vërtetë të sistemit. Me qindra  njerëz në Kosovë janë ndjekur e persekutuar për arsye të ngjashme, edhe në bazë të denoncimeve të spiunëve dhe njerëzve hakmarrës nga që nuk kanë qenë në gjendje të tolerojnë suksesin apo ndershmërinë e dikujt.

Me rënien e sistemeve autokratike, ky lloj tipi nuk u tret, por për më tepër vazhdoi avazin e vjetër tani nga ana e kundërt e pozicioneve të ndryshuara. Këta tipa, që patjetër kanë qenë të rekrutuar dhe spiunë të  vegjël a të mëdhenj kanë vazhduar të kryejnë detyrat e tyre prej shpifësish edhe  në demokraci. Ata tani, si në Shqipëri ashtu dhe në Kosovë, vazhdojnë të denoncojnë dhe njollosin njerëzit për shërbim dhe bashkëpunim me diktaturat dhe pushtetin e huaj. Njollosin figurat e kombit, gënjejnë për të kaluarën e  tyre, madje edhe botojnë artikuj e libra me denoncime për pothuajse të gjithë njerëzit me vlerë që kanë ekzistuar në sistemet e mëparshme. Të targetuar kanë qenë dhe janë, sidomos intelektualët dhe klasa elitare, njerëz që i kanë kontribuar kombit, prej të cilëve buronte disidenca dhe që asnjëherë nuk kanë qenë të ledhatuarit e diktaturave. 

Natyrisht, këtu nuk dua të keqkuptohem se qëndroj kundër hapjes së arkivave të diktaturës për hir të së vërtetës historike. Këtu e kam fjalën për njerëz me  probleme  psikologjike që gjejnë kënaqësi në njollosjen dhe bezdisjen e njerëzve… Mbase, këtë e  bëjnë nga që ata asnjëherë nuk kanë hequr dorë të iu shërbejnë agjenturave të huaja dhe bëjnë shërbime edhe sot. Ky, pra është ai model emocionesh negative dhe veprimesh shpifëse prapa shpinës, nga të cilat njeriu ynë duhet të ketë drojë dhe t’iu kundërvihet  me tërë fuqinë për ta shmangur shpifësin kudo në shoqërinë tonë…

(Në “Arti i bashkëbisedimit”, 2024)/ KultPlus.com

Të ngjajshme