Më dhuro një lule Anemone

7 Mars, 2020 - 9:15 pm

Nga: Shpresa Komani-Frrokaj

Nesër është 8 Marsi dhe nuk është si çdo ditë tjetër për mua, për motrën, për gruan dhe për nënën dhe vajzën tënde.

Këtë herë e kam zgjedhur lulen që preferoj të ma bësh dhuratë, “ANEMONE”quhet. Nëse e ke të vështirë t’a gjesh, të ndihmoj unë…e gjen në Gjakovë në qytetin e luleve të bukura, aty diku tek Kroi i Pangjallës, afër lumit KRENA, tek më i bukuri vend.

Nëse në Gjakovë nuk mund të vish nesër, lule mund të gjesh edhe në Prishtinë, sepse këtë herë më është krijuar një mundësi më shumë. Këtë 8 Mars ka plot lule afër Pallatit të Rinisë, të Rinisë sime… në Monumentin e NEWBORN-it që këtë herë më erdhi si dhuratë me 17 Shkurt, në ditën e të gëzuarës Pavarësi.

Nesër, e pres një buqetë ndryshe, një buqetë shumë të madhe se jemi shumë, e më duhet t’a shpërndaj. Një buqetë e cila nuk ka diskriminim e as paragjykim. Një buqetë që më thotë të mos kem frikë që lufta do të vjen prapë…

Një buqetë me plot lule ngjyrë të verdhë dhe vjollcë, si lulja ime.

8 Mars është nesër, e unë kërkoj të më pranosh që nuk desha të e kisha këtë fat, të më besosh që nuk munda të ikë nga duart e tyre, të më dëgjosh kur të tregoj rrëfimin tim, të më ndihmosh mua dhe shumë grave e vajzave që ishim bashkë…dua të më duash ashtu siç jam, e jo të më mohosh, siç e bëre tash e 20 vjet.

8 Mars është nesër, unë nuk pranoj të më urosh pa njohur dhimbjen time, nuk pranoj të më shkruash “URIME” nëse me dorën dhe mendjen tënde më ke mohuar, dhe vazhdon.

Nesër, unë do të festoj, vetëm nëse goja jote nuk shpreh mohim e paragjykim dhe vetëm nëse në dorën tënde e mbanë buqetën me lule ANEMONE dhe vjen drejt meje.

Kushtuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës. Me zemër! /KultPlus.com

Të ngjajshme