Mediokriteti në artin shqiptar, i parë si virtyt estetik

6 Mars, 2020 - 3:30 pm

Nga: Shpëtim Kelmendi

Panoramë e shpejtë mbi realitetin e sotëm të artit shqiptar dhe rishqyrtimi i një termi.

Sa herë duam të përkufizojmë mungesën e talentit dhe nivelin e ulët të ndokujt në fushën e arritjeve të artit apo të kulturës, rëndom na pëlqen të përmendim termin mediokër. Duke shqiptuar këtë term, mendja na thotë se i kemi larë duart me individin të cilit ia mveshim, dhe kujtojmë se e kemi përulur sa më s’ka. Në fakt, shpeshherë, me apo pa vetëdije, ne i mveshim akshit një cilësi që, s’duhet të jemi edhe aq të sigurtë se e zotërojmë edhe ne vetë. Kohë më parë, një miku im artist, të cilin vazhdimisht e kam çmuar për shijen, përkorjen dhe maturinë në zejen e vet, më pati thënë se një ndër synimet e tij të mundshme, synim që do përbënte një stacion të rëndësishëm në lëvizjen drejt kësaj të panjohure që quhet art, do të kishte qenë pikërisht mediokriteti. Nëse i thoje mediokër, sigurisht që s’ta jepte kënaqësinë e duhur për të pretenduar se po e ofendoje. Në Shqipëri mund të gjesh ose jo ndonjë artist të mirëfilltë, e një numur të vogël mediokrish, thoshte ai; të tjerët as që numurohen fare. Kësisoj, ne gabojmë kur mëtojmë ta përdorim termin “mediokër” në cilësinë e asgjësimit terësor estetik të dikujt, kur në fakt, ky term do të thotë thjesht mesatar. Por, të jesh mesatar, ju duket vërtetë diçka e kollajtë? Assesi: do të thotë të jesh diçka. Për ta merituar këtë emërtim, duhet shumë punë dhe përpjekje serioze. Sepse një mediokër është i përkushtuar, i kulturuar dhe jo pa talent. Talent mediokër, por ama talent! Le të mos ngutemi të themi që kultura dhe arti ynë nuk e meriton të quhet mediokre, sepse do të përbënte kësisoj diçka. E, nuk mund të ndjehemi edhe aq të sigurtë se kultura dhe arti ynë është diçka. Sigurisht, ne themi po, por rezultatet na kundërshtojnë me tërë forcën. Parë nga ky këndvështrim, të thuash përshembull se, “Realizmi socialist arriti të prodhonte vetëm art mediokër”, është shumë e gabuar. Shprehja e duhur do të qe: “Ajo që arriti të prodhonte realizmi socialist nuk ka kurrfarë lidhje me artin”. Kësisoj, mediokër mund të quajmë vetëm dy-tre më të mirët e kësaj gjëje apo gjëme që e patëm quajtur gabimisht art. Mes të gjithë atyre individëve shqiptarë që kanë vendosur ta çojnë jetën dëm duke u marrë me art, mbase vetëm nja dyqind vetë meritojnë mbase të quhen mediokër, kurse rreth nja njëzet të tjerë mund të kuturisim t’i quajmë artistë të vërtetë. Kusuri, jo që s’janë artistë fare, as prej vërteti e as prej betoni, por kurrsesi nuk meritojnë të quhen qoftë dhe mediokër, sepse në këtë rast ky term do të përbënte titull për ta, si psh. kont, kalorës, markez, sër, a si të doni. Sepse, pavarësisht nëse duam ta besojmë apo jo, deti as është bërë e as do të bëhet ndonjëherë kos. Në artomaninë shqiptare, që veç shqiptare nuk është për nga vizioni estetik, tematika, stili, -përkundrazi, një aliazh i përbindshëm keqkuptimesh, imitimesh e plagjiaturash-, është e zorshme dhe pothuaj e pamundur të ndeshësh artistë që zotërojnë parametrat e një arti bashkëkohor që lëviz në të njejtin rrafsh cilësor me vëndet e tjera. Është aq e pamundur të hasësh punë origjinale dhe bashkëkohore e njëkohësisht shqiptare, saqë, nëse iu krijohet ndonjëherë bindja e një zbulimi të tillë, besojeni se është thjesht iluzion. Në këtë pikë, po iu shmangem përgjithësimeve, duke thënë se, personalisht, meqë s’më pëlqen fare ta ha sapunin për djathë, kur më qëllon të ndodhem para një pune me cilësi artistike mbi mesataren, e shijoj, por, njëherësh, më duhet edhe të zbuloj se ku e ka kopjuar. Që e ka kopjuar, në të shumtën e rasteve nuk vihet fare në dyshim, por çështja është të zbulohet se ku. Vini re se ç’ndodh me këngën shqiptare, që veç shqiptare s’është. Mbizotërojnë ritmet e muzikës e evgjite, turke, greke, hispanike, amerikane, etj. Këtu s’bëhet fjalë të gjesh mediokritet, por thjesht shpifësirë dhe kutërbim. Shih pikturën shqiptare. Në punët e shumicës së autorëve shqiptarë do gjesh Van Gog, Renuar, Brak, Pikaso, Magrit, Miro, Matis, Shagall, e sa e sa të tjerë. Do gjesh impresionistë, kubistë, surrealistë, futuristë, fokistë, tamburistë, e gjithçka tjetër që, në mjedisin bashkëkohor perendimor janë shndërruar tashmë në histori. Por, mesa duket historia jonë nuk ka të bëjë fare me Historinë. A ka këtu mediokritet? A meritojnë këta të quhen mediokër? Sigurisht që jo.

Shikoni letërsinë shqipe! Ende ka letërsibërës që vijojnë të krijojnë të frymëzuar nga shkrimtarë të shekullit XVIII, XIX, duke rrëfyer gjëra të mërzitshme, që s’kanë të bëjnë asfare me shijen dhe ritmin e brëndshëm të lexuesit bashkëkohor. Stili i tyre rrëfimor i ngjan një karroce të vjetër që kërkëllin nëpër kalldrëmin tonë mesjetar, a thua se ndërkohë nuk është zbuluar energjia atomike, njeriu nuk ka zbritur ende në hënë, sondat nuk po vrapojnë për në Mars, nuk ekzistojnë ende avionët supersonikë dhe mjetet e stërholluara të komunikimit dhe informacionit. Duhet patur parasysh se njeriu i kohës sonë, në rastin tonë lexuesi, nuk jeton më në qyp; ai ka mundësi të mëdha njohjeje, kulture, informacioni, përdor celularin, internetin, e sa e sa mjete të tjera ndihmëse që, sigurisht, jo gjithmonë mund të të japin përparësi. Por, dua të them se, letërsibërësit në fjalë nuk mund t’i trajtojnë këta lexues si veten e tyre, pra si injorantë dhe të prapambetur. Një pjesë e më të përkushtuarve në letërsibërje, arrin deri tek Kamy e Sartër; ca të tjerë mbërrijnë tek letërsia hispanamerikane, dhe rropaten duke na vizatuar dofarë personazhesh që s’kanë lidhje me realitetin dhe mendësinë tonë shqiptare. Jetojmë në mijëvjeçarin e tretë, njerëz, ndaj bëjmë mirë ta mbajmë parasysh këtë fakt. Shqipëria jonë është një vend që ofron një terren të shkëlqyer për shkrimtarët mediokër. Por, sa keq që i kemi me aq pakicë.

Apo duam të flasim për ata që bëjnë teatër? Druaj se këta individë përbëjnë detashmentin më të prapambetur të artit shqiptar. Këta nuk janë fare këso bote. Shumica dërrmuese e tyre janë qënie që nuk kanë lexuar gjë tjetër veç librave të shkollës. Sa për doktrinat dhe platformat estetike të vetë zhanrit të tyre, as që bëhet fjalë, nëmos, i kanë lexuar siç lexohet një roman, sa për të kaluar radhën e për të cituar ndonjë emër si Stanislavskij, Lee Strasberg, Giorgio Strehler apo ndonjë tjetër! Nuk kanë lexuar, e them me siguri, gjithë duke e ditur se kultura e një artisti paditet hapur nga cilësia e punës së tij artistike. Kemi një mungesë të theksuar talenti dhe bashkëkohësie, që fshihet kujdesshëm mbas autorëve të mëdhenj të teatrit botëror. Asnjeri prej tyre nuk e zgjat kokën përtej gardhit kulturor shqiptar, për të parë se me çfarë dreqin po i mbjellin fqinjët tanë perendimorë ngastrat e tyre estetike. Në teatrin shqiptar, fatkeqësisht, mediokrit gjendet më me pakicë se kudo.

Mandej kemi filmin, ku sundon rrëfimi i mërzitshëm linear e patetizmi, klisheja e imitimi, ku mungojnë detajet e holla artistike dhe ku më shumë dëgjon sesa shikon, aq sa, në një fare pike nuk e merr vesh më nëse ndodhesh para radios apo para ekranit. Gjithnjë duke u treguar dorëlirë, mund të themi se nga e tërë trashëgimia jonë kinematografike, rrinë apo jo më këmbë nja pesë a gjashtë filma. Pjesa që mbetet nga këta individëve-kineastë, të dikurshëm apo të tashëm, kanë harxhuar e harxhojnë më kot ca shuma parash, të cilat mund të përdoreshin në mënyrë mjaft më të volitshme: pra, për të ushqyer të varfërit dhe lypësat, të cilët i kemi me aq shumicë në rrugët tona. Pra, edhe në këtë zhanër, mediokrit i kemi mjerisht në një numur mjaft të kursyer. Kurse të mirët, mund të jenë dy ose tre, secili me nga një apo dy punë. Por, meqë jemi në temë, po shtoj edhe diçka. Në Shqipëri bëhen edhe festivale ndërkombëtare filmi, mor aman, (pa llogaritur shfaqjet e filmave në televizor e kinema), por një gjë nuk e marr vesh: si ka mundësi që regjisorët dhe aktorët tanë nuk mësojnë diçka të hajrit nga mjeshtrat e botës, xhanëm? Nuk dinë ç’është e bukur, nuk dinë ta lexojnë të bukurën, apo nuk janë në gjendje të përfitojnë prej saj? Në këtë pikë, nuk mund të rri pa e përmendur rastin kur, teksa në Millenium shfaqej filmi “Tickets” i Ken Loach, mjaft nga regjisorët dhe aktorët tanë të nderuar ndiqnin tërë interes një ndeshje futbolli të Ligës së Kampionëve. Hata fare! Sigurisht, asnjëri prej tyre nuk është mediokër, por prapë… dreqi e mori, kinema ishte përplot me njerëz të thjeshtë, megjithëse nuk shpresonin të bëheshin ndonjëherë mediokër.

Kësisoj, them se duhet të matemi mirë përpara se ta cilësojmë dikë “mediokër”, sepse në fakt jemi duke e vlerësuar goxha, jemi duke i atribuar një cilësi që fitohet vetëm me punë dhe përkushtim. Sepse, e thamë: mediokri nuk është njeri pa talent, pa përkushtim dhe seriozitet, por një individ që ka luftuar pajada për ta merituar këtë status. Pra, ka artistë të vërtetë, ka mediokër, e më poshtë akoma ka vetëm njerëz të thjeshtë të cilët, në kohën e lirë zbaviten me një lojë që quhet art. Do Zoti e na shtohen me bollëk mediokrit, sepse pa këta, të jemi të sigurtë se nuk do mund të shtrohet kurrëndonjëherë rruga e vërtetë e artit, mbi të cilën, në një të ardhme jo dhe aq të largët, do të parakalojnë kalorësit: artistët e mëdhenj shqiptarë. /KultPlus.com

Të ngjajshme