“Monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni”

7 Gusht, 2020 - 4:03 pm

Së shpejti pritet të ndërtohet Kompleksi Memorial “Fëmijët Martirë të Kosovës 1981-1999″, shumë afër Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, shkruan KultPlus.

Autori i këtij kompleksi është Rrezeart Galica. Por ky kompleks memorial ka marrë kritika të shumta.

Duke e krahasuar me memorialët në botë që i janë kushtuar fëmijëve që kanë humbur jetën në luftëra, memoriali i ideuar nga Galica po konsiderohet i dobët.

Gazetarja Arbana Hajredinaj ka reaguar sot përmes një statusi në Facebook teksa është shprehur se monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni si simbolikë që në realitet simbolizon vetëm moshën e fëmijëve që e përdorin biberonin.

Ky është reagimi i plotë i Arbanës:

Ne duhet të mësohemi që ta respektojmë artin. Duhet të mësohemi që ta respektojmë historinë. Duhet të mësohemi që ta respektojmë viktimën. Duhet të mësohemi që ta respektojmë fëmiun. Duhet të mësohemi që ta respektojmë veten dhe vendin tonë sepse vetëm në atë mënyrë mund të ndërtojmë monumente. Monumenti duhet të ndërtohet në bazë të historisë reale dhe jo në bazë të një biberoni si simbolikë që në realitet simbolizon vetëm moshën e fëmijëve që e përdorin biberonin. Jo biberoni si monument sepse kufizon moshë dhe nuk ka kurrfarë domethënie. Monumenti ndërtohet në bazë të ngjarjes, historisë dhe me shumë ndjenja e dashuri. Po nuk i dhe jetë atij monumenti do të thotë që nuk ke bërë kurrgjë. Me një monument me biberon do të dukemi edhe më qesharakë sepse do të kuptohet që i kemi kushtuar monument biberonit. Po e bërë për famë e për para më mirë mos ja nis. / KultPlus.com

Të ngjajshme