Na thonë se flytyroi gomari… ne e besojmë!

12 Korrik, 2019 - 1:41 pm

Nga: Faik Konica

Nofta kombi ynë do kish sot një faqe tjatër, fare të ndryshme nga e sotmja, po të qe populli pak më serios dhe t’i gërmonte punët pak më thellë e me më tepër gjykim.

Mjerisht, ne Shqipëtarët jemi njerës superficialë, njërës që shohim vetëm cipën dhe nuk çajmë kokën të hyjmë në të thellat. Mjafton për ne që të na thonë se kemi qetësi, pa se vriten njërës dita me ditë (e në mes të ditës), se bëhen vjedhje, se grabitet mall e gjë toptan, se rrëmbehen gra e bëhen qindra turpe të tjera, aqë na bën.

“Zyra e shtypit” nxjer një prokllamatë: “qetësia mbretëron kudo”; kjo është mjaft të na qetësojë dhe të na kandisë se me të vërtet populli gëzon qetësinë. Dhe me këtë ide në trutë tona habitemi e shkumbëzohemi, kur dëgjojmë një tjatër të na thotë se vrasjet e vjedhjet po e tepërojnë zullumin në Shqipëri, e themi: “Ç’thotë ky sharllatan? Nuk ka sy të shohë dhe tru të gjykojë?”

Po kur nuk jemi gënjyer që të mos gënjehemi edhe sot?

Kurdoherë, në çdo kohë e në çdo rast, Shqipëtari është gënjyer aq prej vëllezërve të tij sa edhe prej të huajve. Neve dhe arsya më e vogël na kandis e na mbush mendjen, dhe aqë, sa vetëm batërdia dhe prishja na ka sjellë nër vehte. Po kur na vijnë mëntë nuk i hanë as qentë! Pendohemi dhe i biem kokës, kur zogu ka shpëtuar nga duart tona.

Po nuk është vetëm kjo e keqe që na prish ne Shqipëtarëve. Edhe kombet e tjerë janë gënjyer e gënjehen. Ajo që na shquan neve është se pësimet nuk na bëhen mësime. E harrojmë të shkuarën me një frazë të ndyrë “ç’i gris t’ëmën”, dhe biem prapë në grackat e para. Me këtë mentalitet do mos mundim kurrë të bëjmë një shtet serios. Sa kohë që ne besojmë edhe kur na thonë se flytyron gomari, le të mos presim ngritjen tonë sociale dhe politike. Se ç’pret prej një populli që sheh me syt’ e tij vrasje, vjedhje, grabitje e të këqia të tjera dhe duartroket qeverinë, kur i thotë ajo se ka qetësi të plotë!

Ka keq edhe më keq dhe vendi ynë ka parë ditë më të errëta se të sotmet, po të paktën, le të mos mburremi; dhe le të mos qërtojmë e të shajmë ata që përpiqen për një qetësi të vërtetë, për një qetësi të dalë nga shpirti dhe dëshira dhe jo të shkakëtuar prej drurit dhe prej burgut. Na thonë, se qetësia mbretëron në Shqipëri; e besojmë. Na thonë, se për tre javë do ndodhet eksperti i financave në Shqipëri, gëzohemi.

Na thonë, se qeveria do blejë dhjetë aeroplanë dhe japim me duart plot. Na thonë, se për pak kohë Shqipëria do të bëhet oksidentale, duartrokitim. Na thonë, se qeveria e shpëtoi shtetin nga një rrezik i madh, thërrasim me tërë fuqinë: “Rroftë qeveria kombëtare!” Na thonë se flytyroi gomari… ne e besojmë! /Gazeta “Dielli”, Boston Mass, e shtunë, 17 shkurt 1923/

Të ngjajshme