Nderohet me “Nobel” shkrimtari austriak që përkrahte hapur idenë e Sllobodan Millosheviçit

10 Tetor, 2019 - 2:37 pm

Shkruan: Bujar Meholli

Sot, Akademia Suedeze i ndau çmimin “Nobel” shkrimtarit austriak Peter Handke, i cili njihet si njeri kontrovers me qëndrime të hapura antishqiptare.

Ky shkrimtar madje erdhi edhe në Kosovë dhe i ndihmoi me të holla serbët që jetojnë në Kosovë, e po ashtu përkrahu haptas idenë për spastrimin e shqiptarëve.

Handke mori pjesë në varrimin e njërit prej udhëheqësve më famëkeq në botë Sllobodan Millosheviç.

Ishte viti 2006 kur Sllobodan Millosheviçi ndërroi jetë, dhe në funeralin e tij laureati i sotëm i “Nobelit” për letërsi, i mallëngjyer u shpreh: “Afër Jugosllavisë, afër Serbisë, afër Millosheviçit”.

Siç dihet, Milloshevici, u akuzua për gjenocid dhe krime të tjera, e për këtë u gjykua derisa vdiq.

Shtrohet pyetja, kush është fituesi i sotëm Peter Handke?

Ai konsiderohet si një shkrimtar i shquar, me stil të veçantë prozaik, por krahas saj Handke njihet në mbarë botën për mbrojtjen e vazhdueshme për kriminelin serb. Kjo edhe e bën shkrimtar që shkakton shumë polemika.

Për Handken, gjithë ajo çfarë ka bërë Millosheviçi ka qenë “për ta mbrojtur popullin e tij”, këto i tha në funeralin e serbit, në Beograd, para një turme të madhe të nacionalistëve radikalë serbë.

Opinioni u befasua sot kur Akademia Suedeze ndau një çmim prestigjioz siç është “Nobeli” për arritjen në fushën e letrave – pikërisht këtij autori kontrovers, i cili në të shumtën e rasteve njihet më shumë për përkrahjen e vazhdueshme që i bëri Millosheviçit sesa për krijimtarinë letrare.

Tani, ç’po ndodh realisht me Akadaminë Suedeze?

Edhe ashtu në vitin e kaluar ajo u desh që ta ndalë dhënien e çmimit për shkak të disa aferave brenda saj, këtë vit ajo i ndau dy çmime njërin prej të cilëve shkrimtarit austriak.

Me t’u ndarë çmimi i dytë për vitin 2019, shpërthyen reagimet anekënd. Siç duket komiteti i “Nobelit” po i merr vendimet në bazë të politikave të caktuara.

Kohë më parë, saktësisht në vitin 1961 Akademia Suedeze pat marrë vendim skandaloz dhe i pati ndarë një çmim “Nobel” shkrimtarit serb Ivo Andriç, i njohur botërisht si antishqiptarë dhe hartues i elaboratit me përmbajtje raciste, ku kërkonte ndarjen e Shqipërisë.

Siç duket, në vitet e ardhshme vlera e këtij çmimi do të bjerë vazhdimisht, sepse derisa vite më parë laureoheshin shkrimtarë të mirëfilltë si Xhejms Xhojs, Samuel Beket, Tomas Man, Herman Hese, Zhan-Pol Sartri e të tjerë – të laureohen shkrimtarë që përkrahin haptas ide fashiste si Handke, është gjithçka veçse jo vlerësim i artit.

Është ofendim për letërsinë! /KultPlus.com

Bujar Meholli

Të ngjajshme