Ndue Ukaj: Letërsia i edukon njerëzit me ndjenjat e lirisë, i bënë empatik, i bënë më human, më kërkues e më refuzues

23 Prill, 2024 - 11:49 am

Ndue Ukaj

Sot është Dita Botërore e Librit, një ditë, për mua e shenjtë, në kuptimin më të epërm të fjalës, në të cilën, me pietet e nderim, mendoj për këtë pasuri të madhe njerëzore, mendoj për sa e sa shkrimtarë, që më kanë magjeps e formuar, mendoj për pasurinë më sublime njerëzore, pa të cilën, qytetërimi, as që do të mund të imagjinohej.

Prandaj, në këtë ditë, dua ta sjell në vëmendje një mendim shumë me vlerë, të shkrimtarit Mario Vargas Llosa, laureat i Çmimit Nobel për Letërsi, autor i shumë veprave mahnitëse letrare, i cili në një rast ka thënë: “nëse ne si qytetarë nuk duam të jemi thjesht zombi, qenie që pranojnë gjithçka që u imponohet nga lart, duhet ta ngopim shoqërinë me letërsi.”

Libri ka forcë magjepse, edukuese, njohëse, çliruese, një libër i mirë është si një krua gurgullues e i pashtershme, që të freskon, të mëson, të bën t’i kuptosh limitet dhe njëkohësisht të jep forcë t’i thyesh ato, që të luftosh t’i thyesh muret që të rrethojnë e të guxosh të sfidosh përherë të keqen, tiranitë, frikën që të mbërthen e pasigurinë që të trazon. Prandaj, i mbështjellë me shenjtërinë e librit, lexuesi bëhet më imun kundrejt forcave shtypëse, nuk pranon lehtësisht nënshtrimin dhe kërkon përherë lartësi e vlera sublime. Sepse, libri i jep njeriut flatra dhe e bënë të fluturojë nëpër kohë e hapësirë, të sheh me sytë e të tjerëve dhe të formojë sensin e të bukurës.

Po, libri është shuajta prej së cilës njeriu duhet të ushqehet përditë, sepse kjo shujtë mund ta bëjë jetën e tij më të shëndetshme e më të bukur, dhe njëherësh, lexuesit ta edukojë që t’i përballojnë më lehtë tërmetet shpirtërore.

Libri i letërsisë, arti, duke qenë një botë paralele, më e vërtetë se të gjitha të vërtetat tjera, e thërret lexuesin t’i thyej muret e izolimit, ngaqë, siç thoshte Franz Kafka, “një libër duhet të jetë sëpata për detin e ngrirë brenda nesh.”

Dhe njeriu shpeshherë ndodhet në këtë det të ngrirë, të izolimit, frikës, shtypjes, dhimbjes, e libri, mund të jetë sëpatë për ta thyer këtë det e për të udhëtuar me të nëpër ujëra të ëmbla, në një botë ku të vërtetat janë të amshueshme, të pacunsurueshme, sepse janë të lidhura me temat esenciale të ekzistencës njerëzore.

Letërsia i edukon njerëzit me ndjenjat e lirisë, i bënë empatik, i bënë më human, më kërkues e më refuzues, prandaj letërsia ka treguar përherë ç’rëndësie ka liria, ajo e njëmenda.

Po, libri i mirë, lexuesin e merr nën flatrat e veta të ëmbla të bukurisë së gjuhës dhe të imagjinatës, e shetit, dhe lexuesi ngjitet në lartësi, prej ku i mahnitur sheh botën, gëzohet, vuan, udhëton nëpër kohë e hapësirë, qytete e vende, ballafaqohet me doke e zakone, tiranë të egër e dashuri përvëluese, për jetën dhe lirinë.

Por, një libër, po ashtu ka forcë që të futë në ferr, si Dante apo Zef Pllumi ynë, ku sheh të keqen njerëzore dhe përmasën tmerruese të saj, dhe të ndihmon të gjakosh që të kalosh në epërsi të lumtura, në botën e lirisë, në parajsën e lumtur.

Ka shumë mendime domethënëse e me peshë për librin, por mua pëlqen të kujtoj Hessen, i cili thoshte se librat janë shpikja ma e vlefshme e njeriut, kurse erudit tjetër, Borgesi, fliste për lumturinë e librit e për parajsën si një bibliotekë, ku jetojnë shpirtrat e shenjtë dhe veprat e tyre madhështore.

Sot është Dita e Librit, pra ditë nderimi e falënderimi, në të cilën duhet t’i kujtojmë me pietet dhe nderime, të gjitha ata shkrimtarë që shkruan vepra të mëdha dhe na ushqyen mendjen e shpirtin me rrëfime madhështore.

Dhe kjo botë është e madhe, një univers infinit.

Në këtë ditë të veçantë të shenjtërisë së librit, duhet të kujtojmë librin e shkruar në gjuhën e bukur shqipe, pa forcën e së cilit nuk kuptohet kombi ynë. Të kujtojmë sot Gjon Buzukun, themeluesin e kulturës dhe shkrimit shqip, njeriun që shkroi për dashni ndaj popullit dhe gjuhës. Pastaj atë çetën e profetëve letrarë shqiptarë, Budin, Bogdanin, Bardhin e Varibobën, De Radën, Frashërlinjtë, Mjedën, Fishtën, Konicën, Kutelin, Koliqin, Camajn, Reshpjen, Shkrelin, Pashkun, Pllumin, Podrimjën, Markon, Rugovën, Kadarenë, dhe po ashtu, t’i lexojmë dishepujt e sotëm të gjallë, që shkruajnë bukur e me devocion letërsi të mirë shqipe. Dhe këta, janë të shumtë./ KultPlus.com

Të ngjajshme