Në 21-vjetorin e vrasjes dhe djegies së gjyshit e gjyshes time

18 Prill, 2020 - 4:56 pm

Shkruan: Gentë Retkoceri-Rrahmani

Në 21-vjetorin e vrasjes dhe djegjes së gjyshit e gjyshes time

(Gjyshi Fehmi dhe Gjyshja Hyrë)




Poza e tyre e preferume, edhe të paktën 5 foto tjera i mbaj në mend me po të njejtën pozitë. Duken sikur e kanë marrë me shumë seriozitet dhe përgjegjësi detyrën që dikush ua ka dhënë për me dalë në foto.

Gjyshi, nuk ka thënë shumë fjalë, veq nëse ka thënë diçka ajo edhe u bë. “Abës i pat bërtit nihere shumë” thonin nana dhe tezet e mia, e krejt gjeneratat e ardhëshme janë eduku’ mbi këtë shprehje, tu’ pasë shumë kujdes mos po qaraveshen pa nevojë para gjyshit si Aba, kusherina ime. Është e vërtetë që nga jasht dukej si një ari i rrezikshëm dhe autoritativ, i cili nuk e ndalte cigaren kaqak, asnjë moment, mirëpo unë e mbaj në mend po të njejtin gjysh me një personalitet të butë si pambuk me ngjyrë kaltër qielli. Gjyshi, me shumë dashuri e rrihte një të kuq të vesë me një lugë sheqer dhe pastaj i hedhte qumësht të ftoht’, pije freskuese që e përdornim si ‘snack’ mes shujtave të mrekullueshme që i përgatiste gjyshja. Po po, gjyshi ma përgatiste këtë pije, dhe jo vetëm mua, por nganjëherë të njejtën ua përgatiste edhe 15 ose 20 fëmijëve të tjerë që vinin për vizitë vikendeve duke i përfshi të gjithë kusherirët e mij të rrethit të ngushtë dhe të gjerë. Nuk e kuptoj si dy të moshuar na menaxhonin aq bukur dhe pa stres të gjithë neve. Sot, më duket goxha punë ti përgatis atë lloj ‘snack’-u dy fëmijëve të mij’, e as nuk dua ta imagjinoj si është ti kesh 20 fëmijë për vizitë gjatë një vikendi të zakonshëm, jam e bindur se ashtu ndihen të gjithë kusherirët e mij’ që tashmë janë të rritur dhe kanë fëmijët e tyre.

Gjyshja, ka qenë si një makinë e përgjithshme gjermane, ka prodhu plot sende t’bukura edhe me shumë kualitet. Ka qepë fustane, ka bë punë dore me tentene ose me lomsh, ka rritë lule të shumëllojshme, dhe bashkë me gjyshin kanë kultivu pemë e perime të ndryshme. Dredhëzat=sheqer, arrat=karamel, ftojt=sherbet, manat=mjaltë. Mos të flasim për ushqimet që gjyshja i ka përgatit, shije që më kthehen shpesh. Gjyshja ime ka qenë grua pedante dhe e organizume. I mbaj në mend këmishat e bluzat e saj si i paloste të gjitha në një vijë… edhe pasi i vranë, e i djegën, e i shkrumuan, gjyshin e gjyshen aty brenda në shtëpi, këmishat e bluzat ashtu të djegura kishin mbetur të palosura në një vijë. Vetëm se tash, nëse e prekje një cep, të gjitha këmishat bijnin poshtë në formë të hirit, duke i humb të gjitha gjurmët që gjyshi edhe gjyshja ime i krijuan me vite e vite.

Sot po i mendoj prindërit e mij’, dhe sa shumë ata kanë dashuri për dy të vegjëlit e mij’, dhe energji, që zakonisht nuk e kanë, e ende nuk e kuptoj se si e gjejnë atë energji për ta.

Sot po mallëngjehem për gjyshin e gjyshen time. Bile edhe disa lot më rrjedhën.

Por sot, jam e lumtur që kam mundësi të kthehem prapa në kujtime e të hulumtoj në to, e të gjej sa shumë momente të mrekullueshme që ma mbushin zemrën me dashuri dhe motivim.  Sot, qofsha më e ndjekura në instagram, ose yll në tik tok, ose ‘millennial’ që më pasionon elektromuzika ose super qika me flokë shumëngjyrëshe, ndjenja e humbjes së gjyshit e gjyshes është e njejtë, ajo therr dhe nuk njeh se kush jam unë sot, por shpirti im e njeh triumfin e tyre përjetësisht. 

Për gjyshin e gjyshen time sot po e pij një gotë. Për të gjithë gjyshet e gjyshat e botës.

Ky shkrim le të jetë si një udhëzim për gjeneratat e tashme, dhe të ardhëshme, që të mos i harrojnë sakrificat e gjyshërve tanë, e sidomos të atyre që i vranë gjatë luftës.

18 Prill 2020 /KultPlus.com

Të ngjajshme