Në Departamentin e Letërsisë Shqipe kanë aplikuar vetëm gjashtë studentë, Apolloni me letër të hapur për ministren Nagavci

25 Korrik, 2023 - 12:38 pm

E dashur ministre Nagavci,

meqenëse jeni në krye të arsimit, po ju shpalos shqetësimin tim për një departament që është lënë në bisht. Ky departament (Letërsi Shqipe) që ka krijuar identitetin nacional të universitetit publik të Prishtinës, javën e kaluar e ka mbajtur provimin pranues, ku kanë kandiduar vetëm gjashtë studentë. Në departamentet e tjera jofilologjike të Fakultetit të Filologjisë nuk ka krizë, ndërsa në këtë departament ku mësohen edhe metodat e studimit filologjik, ka pasë një rënie të vazhdueshme viteve të fundit, deri sivjet, kur kriza i ra kambanës.

Në afatin e parë, vitin e kaluar kanë konkurruar rreth njëzet studentë, kurse sivjet vetëm gjashtë, dhe kështu s’kishte si të mos më dukej salla si skena e dramës “Gjashtë personazhe në kërkim të autorit”. Këta gjashtë persona(zhe) mund të jenë të fundit, nëse Autori (ju, rektori, dekanja, shefi) nuk gjen zgjidhje.

Është krejt e qartë që një departament me rënie të tillë të interesimit i ka ‘ditët’ e numëruara. Prandaj, këtë shqetësim para dy muajsh ia kam paraqitur rektorit (sepse e dija që përafërsisht kaq do të ishte interesimi), por ai ka një ftohtësi robotike jo vetëm për një departament nacional si ky për të cilin po flas, por edhe për vetë universitetin, tek i cili e vetmja gjë që i ndez alarmin është emri i Hasan Prishtinës, të cilit ia ka mbledhë betë, por me të cilin, me sa di unë, ende s’ia ka dalë t’i qërojë hesapet.

E dashur ministre, përderisa rektori vazhdon betejën me mullijtë e erës, ju duhet të ndërmerrni diçka për tejkalimin e kësaj krize. Letargjia juaj s’ju bën mirë as ju, as ne. Zgjohuni, çohuni, takoni profesorët, dëgjoni sugjerimet e tyre, jepuni mundësi t’i modifikojnë programet dhe, mbi të gjitha, kthejani departamentit tonë kompetencat që ia kanë marrë fakultetet dhe departamentet e tjera! Pas Letërsisë Shqipe, Gjuha Shqipe është departamenti filologjik i radhës i rrezikuar. Pa këto dy departamente, si mund të quhet filologjik Fakulteti i Filologjisë?

Me mbylljen e departamenteve filologjike që studiojnë, krijojnë dhe promovojnë vlerat e kulturës sonë, si mund ta ëndërroni zhvillimin e arsimit shqip në Kosovë?

Reflektoni për këtë!

Me respekt,

Ag Apolloni/ KultPlus.com

Të ngjajshme