‘Provokimet e përvjetshme serbe nuk janë “pelegrinazh”, ekstremistët nuk janë “pelegrin딑

6 Janar, 2019 - 12:48 pm

Shkruan: Shqiptar Oseku

Pfff, ani kur thonë ”pelegrinët serbë”…

Pelegrin~i/ë: ai/ata që shkojnë në kohë të caktuar rituale në një *vend të shenjtë*, haxhi~u,nj. Pelegrinazh, në fenë muslimane pra haxhillëk.

Kur përdorim termet ”pelegrinë” e ”pelegrinazh”, ”haxhillëk”, për provokimin e përvjetshëm të ekstremistëve serbë në Gjakovë. Ne vetë me gojën tonë quajmë Gjakovën (!) vend të shenjtë të Serbisë. Ja pra sa kafshore e lehtë jemi ne, edhe sot e kësaj dite.

Nuk është e rastit pse shteti serb organizon provokime të përvjetshme pikërisht në Gjakovë. E para e punës, për arsye të revidimit të historisë. Provokimet e rregullta atje janë pjesë e narrativit serb për luftën, ku viktima do shfaqur si kriminel dhe anasjelltas, krimineli — Serbia dhe kontigjenti i serbëve lokalë — si viktimë. Beogradi e di se kur arrin ta revidojë historinë, shemb argumentin madhor, atë moral, për shkëputje të Kosovës nga Serbia.

E dyta, për arsye gjeografike. Komuna e Gjakovës puqet me Tropojë, Nikaj-Mertur, e Bajram Curr. Nëse atje qenka vend i shenjtë për serbët, imagjino ti vetë se c’qenkan enklavat veriore në kufi me Serbinë: viset ku pushtetin de facto ende e ushtron shteti serb.

E treta, për konsum të brendshëm. Projektimi i ndikimit serb me kilometra larg Serbisë, në zemër të kufirit të vjetër ndërshqiptar, konfirmon potencën e cdo qeverie serbe. Ai ringjall aleancën e shtetit me agjentët e nacionalizmit, kishën serbe dhe shoqatat e serbëve kosovarë në Serbi. Si dhe validon në mënyrë rituale koncensusin publik për armikun tradicional, ”barbarët nga jugu”, shqiptarët, gjakovarët… Për ca kohë, shoqëria serbe gjen paqe e kohezion në urrejtje të përbashkët për Tjetrin.

Për këto tri arsye, e sidomos për arsyen e tretë, këto provokime nuk ka gjasë të zhduken vetvetiu. Po nuk i bëmë zap ne, ato biles do të forcohen, sa më shumë që të këndellet shteti serb.

Por këto provokime vdiren, nëse kujtohet tê veprojë shteti i Kosovës. Në radhë të parë, të veprojë me polici kufitare: Kosova duhet t’i ndalë provokimet, e t’i kthejë mbrapsht ekstremistët që në kufi. Skandal për skandal, është më e mencur — biles mund të jetë edhe e vyeshme!— që ky skandal të ndodhë çdo vit në kufi me Serbinë, e jo në zemër të shqiptarisë.

Njëherit, shteti i Kosovês duhet të veprojë juridikisht, duke nisur hetim special të krimeve të luftës në Gjakovë. Hetimi duhet tê përfshijë edhe sjelljen e kishës serbe. Para se tê kthehen mbrapsht nê kufi, ekstremistët duhet të merren në pyetje nga një ushtri hetuesish. Edhe shoferët duhet të intervistohen, e autobusët e kompanisë që transportojnë provokatorët të konfiskohen e të zbërthehen imtësisht.

Nëse hetimet zgjasin (e hetimet për krime lufte janë të ndërlikuara) ka mundësi që ekstremistët serbë të humbin ditë pune, e kompanitë të pësojnë humbje kontratash. Kjo ua ngrit atyre koston e provokimeve, e i orienton gradualisht drejt sjelljesh më konstruktive.

Por para së gjithash, ne duhet të reshtim së foluri shqip gjuhën e Serbisë. Provokimet e përvjetshme serbe nuk janê ”pelegrinazh”. Ekstremistët nuk janê ”pelegrinë”.

Nuk është se Jeshua i Nazaretit lindi në Gjakovë, as se kisha serbe në Gjakovë ishte strehë e mëshirës së Zotit. Ajo ishte strehë e kriminelëve të luftës. Klerikë urrejtës aty bekonin me timjan policët, ushtarët, e kontingjentin e serbëve lokalë të cilët kryenin krime kundra njerëzimit.

Mjaft normalizuat gjuhën e errët të Serbisë! Ekstremistët serbë nuk jane te ndryshem nga ata protestantë që organizojnë çdo qershor provokime në Irlandë. E pra atje të gjitha qeveritë, edhe ajo britanike, i quajnë troc: ekstremistë.

Çfarë ”pelegrinazhi” i mutit. Në Gjakovë nuk vijnë ”pelegrinë” të Krishtit, po ekstremistë serbë. Është koha e fundit që t’i quajmë me emrin e vet të saktë.

Të ngjajshme