Në të kaluarën tonë, shtënia me armë kishte qëllim konkret, sot shpërfaqë “folklorizëm”

18 Janar, 2018 - 3:30 pm

Shkruan: Elizabetë Qarri

Megjithëse trashëgimia e një populli konsiderohet si tërësi unike kulturore, individi trashëgon specifika vendore regjionale të cilat në rrethana të caktuara dhe i motivuar nga stimuj të ndryshëm, shpërfaq ato si fenomene të cilat reflektojnë përkatësi kulturore gjeografike, por jo rrallëherë edhe inercion momental arkaik.

Harta dhe konteksti gjeografik duke pasur parasysh jetën sociale si faktor kulturor, janë determinantë kryesorë të përcaktimit të sjelljeve njerëzore në shoqëri, e rrjedhimisht edhe fenomeneve të ndryshme që shfaqen në një kontekst të caktuar shoqëror.

Disa procese që lidhen me historinë e një populli apo edhe me vetë jetën e individit si qenie, ashtu sikur kanë kohën kanë edhe momentin e tyre. E tillë ishte edhe shtënia me armë, e cila në të kaluarën tonë kishte qëllim dhe funksion konkret, pra kushtrimin përkatësisht lajmërimin e krushqve kur “merrnin nusen“ apo manifestimin e ceremonialeve e gëzimeve të ndryshme familjare. Por, bartja e këtyre fenomeneve nga një hapësirë autentike burimore para një populli nga përmbajta heterogjen, në rrethanat e sotme ka një transpozicion të madh si emocional ashtu edhe psikologjik dhe si e tillë shkakton gjendje objektivisht të papranueshme.

Një popull i qytetëruar ruan dhe çmon kulturën e tij autentike, por keqinterpretimi dhe keqpërdorimi i karakteristikave apo ritualeve të caktuara në emër të “tradicionales” qoftë me apo pa vetëdije, cenon vlerat e secilit popull, komb apo edhe vetë individit. Në qoftëse problemit i qasemi nga pikëpamja socio – kulturore, bartja e “ritualit” të shtënies me armë nga origjina e tij autientike paraqet një problem tejet kompleks për shoqërinë tonë, e mbi të gjitha shpërfaq një mentalitet të ashtuquajtur ”folklorizëm” i cili qoftë edhe nga ky këndvështrim i trajtuar, dëmton sërish trashëgiminë shpirtërore të popullit.

Tipar kundërthënës neve shqiptarëve na kanë karakterizuar historikisht, si psh. temperamenti në njërën anë dhe durimi në anën tjetër, por jo rrallëherë këto karakteristika janë përcjellur edhe me nevojën e pamposhtur për tu identifikuar me “tiparë burrërorë”. Deliri i manifestimit të gëzimit bashkë me dramën e rrezikut për jetën brenda një uniteti binar, sintetizon egon njerëzore dhe logjikën e stoicizmit, e këto bashkë shpeshherë për bilans kanë sjellë fatalitetin njerëzor, fenomen ky që na ndjek edhe sot, e fatkeqësisht, akoma nuk po ia dalim të mohojmë akte të tilla.

Duhet të kuptojmë se me ndryshimin e kushteve dhe rrethanave të jetës, natyrshëm ndodhin edhe transformimet në shoqëri. Si pranimin, ashtu edhe refuzimin e fenomeneve të caktuara në shoqëri, duhet trajtuar si probleme socio-kulturore, që lëndojnë integritetin njerëzor por dhe të pengojnë emancipimin e tyre. Duke qenë shoqëri në zhvillim, duhet të kuptojmë se krahas saj evoluojnë edhe proceset shoqërore në përgjithësi, pra evoluimi ecë paralelisht me të gjitha transformimet që ndodhin brenda saj në të gjitha sferat e jetës, e këto etapa duhet akceptuar si normale.

Përveç tjerash, evoluimi nënkupton edhe trasnformimin e nivelit të traditës nga një periudhë kohore në një tjetër. Duke e ndjekur këtë trasnformim në shoqëri, njeriu modern i nënshtrohet një dinamike të caktuar shoqërore, duke respektuar një rend sistematik, i cili apriori nënkupton respektim të normave të asaj shoqërie. Pra, ç’do tendencë për të justifikuar apo relativizuar aktin e fenomeneve të tilla qoftë edhe aktin e shtënies me armë gjithnjë në emër të ”tradicionales”, paraqet elementë të theksuar të problematikave etnopsikologjike.

Në anën tjetër, paraqitet fenomeni homo duplex dhe individi i ndrydhur në mes veprimeve e dëshirave të nxitura nga instikti, si dhe kufizimeve shoqërore si ndërgjegje kolektive, e cila në njëfarë mënyre disiplinon dëshirat e vullnetit individual. Në këtë antagonizëm, gjejmë rivalitet midis integrimit apo jo të individit brenda normave shoqërore. Në shoqëritë e bazuara në lidhje farefisnore ndërgjegjia kolektive është më e ulët, që do të të thotë se sa më i pa integruar të jetë komuniteti, aq më “normal” cilësohet fenomeni. Duke qenë homogjene për nga struktura, në këto rrethana është mjaft i theksuar solidariteti, i cili poashtu është nxitës i madh i këtyre dukurive. Në të kundërtën, një shoqëri e integruar dhe me ndërgjegje të lartë, marrëdhëniet shoqërore i vendos në funksion të artit dhe shkencës ndërkaq perspektivën e saj e ndërton drejt normave universale, si parime të vetme të një një mjedisi modern./KultPlus.com

Të ngjajshme