Një humbje e madhe për Arbëreshët e Italisë dhe për Albanologjinë

30 Korrik, 2017 - 3:57 pm

Me rastin e vdekjes së arbëreshit, prof. Antonio Guzzetta

Pak ditë më parë në Horën e Arbëreshëve (afër Palermos) në Itali ndërroi jetë një nga intelektualët më të shquar të botës arbëreshe, prof. Antonio Guzzetta (Guxeta), titullar shumëvjeçar i Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Palermos.

Gjatë veprimtarisë së tij të vijueshme intelektuale dhe pedagogjike, për shumë vjet udhëhoqi Katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe albanologjisë të Universitetit të Palermos dhe studimet dhe botimet shkencore që u bënë aty. Nga viti 1968 drejtoi Qendrën Ndërkombëtare të Studimeve Shqiptare “Rosolino Petrotta” (Centro Internazionale di Studi Albanesi “Rosolino Petrotta”) që zhvilloi një veprimtari të pasur në ngritjen e studimeve arbëreshe – shqiptare në Itali dhe në Evropë. Një çështjet e qenësishme e veprimtarisë së prof. Guxetës qe puna pedagogjike arsimore në Universitetin e Palermos dhe përgatitja e një varg brezash arbëreshë.

Profesor Guxeta qe vazhdues i denjë i traditës së intelektualëve arbëreshë në Itali, sidomos në Sicili dhe në Kalabri, për zgjimin e vetëdijes për prejardhjen e tyre dhe për ruajtjen e trashëgimisë së tyre kulturore dhe shpirtërore.

Më 1974 u emërua profesor i rregullt i gjuhës dhe i letërsisë shqipe pranë Institutit Oriental të Napolit (themeluar më 1900). Pas një viti kaloi në Universitetin e Palermos, ku kreu detyrën e udhëheqësit të Katedrës së gjuhës dhe letërsisë shqipe në Fakultetin e letërsisë dhe të filozofisë. Në vitet 1987-1990, me daljen në pension të mikut të tij, prof. Francesco Solano, prof. Guxeta dha mësim në Universitetin e Kalabrisë, duke siguruar vazhdimësinë didaktike dhe shkencore të njërës prej katedrave albanologjike më të vlerësuara në Evropë.


Midis viteve 1973-1997 prof. Guxeta organizoi 23 kongrese ndërkombëtare të studimeve shqiptare, ku morën pjesë studiuesit dhe albanologët më të shquar nga Evropa dhe SHBA- të. Nga viti 1991 në këto kongrese morën pjesë edhe studiues nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia.

Prof. Guxeta është autor i disa veprave të rëndësishme dhe fitues i disa mirënjohjeve ndërkombëtare, duke përfshirë këtu dhe çmimin Naim Frashëri (më 1992).

Për rëndësinë e veprimtarisë së prof. Guxetës, prof. Françesko Altimari, ndër intelektualët sot më të shquar të botës arbëreshe, në letrën ngushëlluese që më dërgoi me rastin e vdekjes së arbëreshit të madh nga Hora, shkruante sa vijon:

“Me të shuhet një ndër shtyllat e albanologjisë në Itali, i cili siç di shumë mirë edhe ti në kohë për ne shumë të vështira – kishte mbetur i vetmi titullar katedre në Itali pas vdekjes së Ernest Koliqit në pjesën e dytë të viteve ’70 – arriti me urtësi dhe me largpamësi jo vetëm ta mbronte hapësirën tonë të vogël akademike që ishte në rrezik, por arriti edhe ta fuqizonte me lidhjet e tij të shumta dhe të forta që kishte me studiuesit më të shquar, gjuhëtarë dhe albanologë, italianë dhe të huaj. Kujtojmë edhe lidhjet e veçanta që krijoi me Universitetin tonë (të Kalabrisë – v. ime), duke favorizuar krijimin e katedrës albanologjike të drejtuar nga prof. Solano dhe kontributin e madh që i dha botës arbëreshe duke e lansuar atë në panoramën shkencore, kombëtare dhe ndërkombëtare, dhe duke e bërë të njohur nëpërmjet kongreseve ndërkombëtare albanologjike që organizoi çdo vit në Palermo pothuajse për 20 vjet me radhë!”

Prof. Guxetën e njoha në nëntor të vitit 1993, kur mora pjesë në Kongresin ndërkombëtar të studimeve albanologjike në Palermo, që ai i organizonte çdo vit. Sa kisha filluar punën e pedagogut në Universitetin e Kalabrisë. Ishte një njeri i afër dhe i dashur, fort i përzemërt, gjallërik, jashtëzakonisht komunikues dhe kishte një aftësi të parëndomtë të organizimit të takimeve të tilla shkencore që kërkojnë një zotim të vijueshëm e të mundimshëm. I nderonte studiuesit e moshuar, po kishte një qëndrim të ngrohët e dashamirës sidomos për të rinjtë.

Me vdekjen e prof. Guxetës bota arbëreshe dhe albanologjia në përgjithësi pësuan një humbje të madhe. Emri i tij tashmë është amëzuar në një varg të mbërrimesh arbëreshe dhe do të shërbejë shembull se si duhet flijuar për botën arbëreshe dhe për pasurimin e saj.
Anton Nikë Berisha

Të ngjajshme