займ на карту онлайн потребительский кредит

“Një vend ku adoleshentët njohin çdo lloj modeli arme, por s’të thonë dot një titull libri”

Mars 31, 2019 - 12:00 pm

Nga Besard Jacaj

“Atentat. Vrasje. Viktima. Zhdukje. Palermo. Makinë e djegur” 

Po bëhet një mot që drejt Shkodrës nuk udhëtojnë më gazetarë kulture për të bërë reportazhe për biçikletat, por kolegë kronike që shkojnë për të parë provat në qytetin e kthyer tashmë shpesh në vendngjarje. Në “Scutarin” e ahengut (të dy terma që vërtetojnë lashtësinë e saj) krismat e armëve po dëgjohen më shpesh jaret e pazëvendësueshme të shpirtit qytetar.

 Një vit po bëhet edhe që “tuj shetit në mal e në kodër”, lulebora nuk është më në kopshtin më të bukur në Shkodër, sepse u vyshk duke parë se ç’po ndodh në lagjet e vjetra me banesa karakteristike e me njerëzit që nga mungesa e qetësisë nuk flejnë më në zheg.

 Në gjithë këtë situatë, gjëja me e parëndësishme është çorba e institucioneve me gishtin e ngritur të përgjegjësisë (zakon shqiptari) që drejtohet nga kushdo që del përpara, duke harruar se secili kur akuzon, katër të tjerët i ka nga vetja.

Në një vend ku rrisim fëmijët me shprehjet: “i forti ka gjithmonë të drejtë”, “s’të vret kush kot”, “plumbi del me plumb”, e ku adoleshentët njohin çdo lloj modeli arme, por s’të thonë dot një titull libri, shpresa e vetme mbetet ai lart, (jo kryeministri), Zoti!

O Zot, ti e di më mirë se ne ku ka mirë bëjmë keq, e ku ka keq e bëjmë më keq prandaj vër dorë.
Ndërroji edhe ti “drejtuesit e tu të policisë” që të rikthejnë sigurinë jo vetëm tek shkodranët, por tek të gjitha qytetet ku krimi rritet më shpejt se lulet.

Na fal nëse shprehjen “me kenë shkodran, t’tana i ban”, e kemi kapur mbrapsht dhe kemi bërë ato që s’duhen bërë. Riktheji dramat aty ku kanë vendin, në teatrin përballë ish-5 heronjve që prapë na krenon, dhe jo të gjithë qytetin në dramë.

Riktheji prapë bisedat mes shkodranësh për numër shfaqjesh, e jo për numër viktimash.
Derisa ti t’i realizosh këto, lutem të mos ma ndërpresë prapë kafen telefonata nga redaksia: “Lajm i fundit. Hajde shpejt. Vrasje në Shkodër”. / KultPlus.com

Të ngjajshme