Nuk ka asnjë fuqi grimi që mund të sfidojë atë të përsonalitetit

10 Shtator, 2020 - 10:27 pm

Nga Ambra Hysa

Për gratë që i japin bukuri dhe aromë kësaj bote.

Për gratë që nuk mund ta ngrejnë zërin, edhe përshpërima e tyre dëgjohet.

Gratë janë të bukura, të gjitha pa përjashtim, gjithmonë e kam besuar këtë.

Bukuria është relative, bukuria është në sytë e atij që e sheh, por çdo grua ka diçka magnetike, diçka që e diferencon, diçka që fshihet nën petkun e përsonalitetit të saj por reflektohet dhe së jashtmi e shkëlqen.

Nuk është kusht që gratë të jenë të bukura, ato thjesht janë.

Buzëqeshja është diamant në portretin e tyre, sytë i vezullojnë nga dashuria, dëshira për jetën, familjen, ëndrrat, të bukurën.

Gratë janë pasionante dhe kjo i bën ato jashtëzakonisht tërheqëse.

Nuk ka asnjë fuqi grimi që mund të sfidojë atë të përsonalitetit, një grua që vishet me vetëbesim dhe reflekton forcë karakteri, është më e bukura në botë.

Vetëbesimi është gjithçka që një grua duhet të posedojë, por ai nuk ngjan me parfumet, nuk mund të merret dhe të hidhet mbrëmjeve para se të dalësh, ngjan me virtytet, mësohet dhe përvetësohet ndër vite.

Gratë janë trimëresha, gratë luf-tojnë për të realizuar ëndrrat e tyre dhe kjo i bën ato të pandalshme.

Gratë dashurojnë fort, dhurojnë mirësi dhe përkëdhelje, kjo lexohet në portretin e tyre prej gjysmë hëne.

Asgjë nuk shkëlqen më shumë sesa një grua që ka dashuri brënda saj.
Kur e ke zemrën të mbushur me dashuri dhe je e lumtur, shikon të njëjtën gjë dhe tek të tjeret, kur të ka pushtuar mërzia dhe urrejtja, ndodh po e njëjta gjë. Bota është vetëm një reflektim i qënies sonë.

Gratë nuk duhet të tentojnë t’i përshtaten standarteve të bukurisë që shoqëria ka krijuar, ata nuk duhet të vuajnë dhe të përpiqen të qëndrojnë brënda kornizave që shoqëria imponon.

Gratë duhet të jenë të lumtura, të lira dhe autentike, vetëm kështu mund të ndjehen të bukura.

Ka ekzistuar gjithmonë një “garë e heshtur” bukurie mes grave, është koha që kjo të marrë fund.

Gratë duhet të festojnë autenticitetin e tyre çdo ditë dhe të ecin si mbretëresha duke drejtuar kurorën në kokat e njëra-tjetrës.

Nuk ka asnjë garë, gara e vetme është bukuria në zemrat tona, vetëm ajo bukuri reflektohet së jashtmi. Ne jemi ajo.

Një grua e shëndetshme mbetet e jashtëzakonshme, ata që i kanë krijuar standartet e bukurisë janë po ata të cilët mund dhe duhet ti rrëzojnë.

Një grua me strija është e jashtëzakonshme, një grua me thinja është e mrekullueshme, një grua me “defekte” është secila nga ne, sepse nuk ka qënie perfekte, bukuria vërtet qëndron në imperfeksion.

Ne jetojmë në trupin tonë, është detyra jonë të ushqehemi shëndetshëm, por nuk është detyra jonë ta “vizatojmë” atë për të iu përshtatur modeleve apo kornizave që shoqëria ka vendosur, të cilat ne shpesh përpiqemi t’i ndjekim deri në dëshperim, duke harruar se ata në të vërtetë nuk ekzistojnë.

Gratë janë të bukura.

E dashuroj kur evidentojnë bukurinë e tyre natyrale, të gjithë esencën dhe veçantinë, gra të tilla i konsiderojmë shpesh “të guximshme” , “unike”, ose “plot stil”.

Një grua mbahet mend gjithmonë për elegancën e saj dhe të qenurit ndryshe.

Nuk mund të lësh gjurmën tënde në këtë botë nëse përpiqesh të jesh dikush tjetër ose kërkon të përshtatesh me masën.

Rrudhat poshtë syve tregojnë se ti ke jetuar, çdo rrudhë ka një histori, kjo nuk e bën portretin tënd më pak të bukur, përkundrazi, e shton ëmbëlsinë.

Gratë janë të magjishme në çdo kohë, por ata shpesh e harrojnë këtë.

Gratë kanë nevojë të dëgjojnë shpesh se janë të bukura.

Shpirti i tyre i butë, veshur me forcën e një uragani, ka nevojë të ujitet dhe të përkëdhelet njëlloj si trëndafilat.

Gratë, nuk kanë nevojë të përshtaten, ato thjesht kanë nevojë të duhen. / KultPlus.com

Të ngjajshme