Olluri, bartësi i temës humane

15 Nëntor, 2017 - 8:30 pm

Saranda Buzhala

“Bartësi i shpirtrave të përzënë”, nga shkrimtari dhe studiuesi Adil Olluri, bart shumë art, duke e futur lexuesin në një aureolë figurash e trajtash, për të nxitur leximin e tij me një frymë. Shquhet për narracionin, personazhet dhe motivet, që na vijnë si shkrirje mjeshtërore të njëra-tjetrës.
Tema e madhe e luftës së fundit në Kosovë, e afron dhe njëjtëson me banorin e këtij vendi, duke hapur një plagë të madhe në një letër të bardhë. Toposi dhe koha-ngjarja rrjedh vetëm brenda disa ditëve në roman, por ajo e nënkuptuara është disamuajshe, ndërtojnë imazhe dhe përfytyrime reale.

Romani shquhet për gjuhën, figuracionin, temën dhe motivet. Gjuha është e përshtatshme për karakteret e personazheve dhe tipike për nivelin e tyre intelektual dhe mendor. Valdetja, në njërën anë fliste si “grerëz”, me thumba dhe në dialekt, pa menduar shumë për goditjet e mundshme të fjalëve të saj, e Bardhyli, në anën tjetër, fliste me maturi dhe qetësi, që përkonte po ashtu me tipizimin e tij mashkullor nga ana e autorit si njeri me përgatitje për jetë dhe profesion.

Romani përshkohet nga llojllojshmëri figurash-nga ato prozaiket deri tek ato poetiket. E, ndër më të spikaturat ishin epitetet, kur autori për të mos iu referuar pushtuesit me emrin e tyre shume të urryeshëm “serb” ose “shkja”, zgjedh t’i referohet si uniformëkaltër ose kapelëkaltër, që zbut sadopak qasjen kontekstuale ndaj tyre në tekst. Sa i përket temës, mund të them se autori prek një dhembje të madhe, për ta ofruar si një imazh tekstual përmes rreshtash, si një përjetim tejkohor, që sa herë të lexohet, gjallërohet. E, motivet janë të shumta- nga ato imcaket deri tek ato që për t’u realizuar kërkojnë mjeshtëri. Ai niset nga motivi familjar-si dashuri dhe dhembshuri-për vajzën, babanë, vëllanë e gruan; ai profesional-si respekt për profesorin, i cili, ndonëse s’kishte pasur ndonjëherë ndonjë mendim kushedi çfarë për Bardhylin, ai vazhdonte ta respektonte në veçanti; motivi i pushtimit-i shoqëruar na një indinjatë ndaj të huajve, që donin t’i zaptonin rrugët që ai i kishte shkelur sa e sa herë, motivi i jetës-si frikë dhe tmerr për mundësinë humbjes së saj dhe pamundësinë e kontrollimit.

Personazhi i Ollurit është vrojtues. Ai merr pjesë jo duke qenë aktiv në ngjarje dhe ndodhi, por duke i vrojtuar dhe pasur qëndrim për ato. Madje, Bardhyli ka edhe këndin e tij vrojtues. Çdo ditë, teksa pinte cigaren, ai i afrohej dritares, duke e hapur vetëm një pjesë shumë të vogël të perdes, nga e cila si panoramë i del para rruga, që e kishte shkelur sa e sa herë. Nga ky kënd vrojtimi ai madje do të bëhet dëshmitar edhe i skenës së përgjakshme të vrasjes së dy të rinjve. Bardhyli do të vrojtojë edhe trokitjet e derës, duke mos pasur guxim ta hapë atë, duke dalë në pah në këtë formë edhe mosguximi apo frika si një tipar dallues i tij. Mirëpo, si anë tjetër e medaljes na pasqyrohet Valdetja, e cila, edhe pse vrojtuese në roman sikurse Bardhyli, do të tipizohet si dominuese dhe larg mentalitetit patriarkal. Por, pikërisht roli dominant i saj, dhe fakti që ajo ka një qëndrim për çdo fenomen dhe domosdo ka të drejtë, e bëjnë bartëse tipike të mentalitetit dhe mendësisë së gruas shqiptare. Nëse ndalemi pak tek elementi patriarkal, shohim që autori e zhvesh frymën e romanit të tij nga kjo dogmë jetese ndër shqiptarë, duke u nisur nga disa elemente: së pari, autori zgjedh që fëmija i tyre të ishte vajzë, dhe jo djalë, siç mund të dëshirohej në një familje shqiptare. Ata e duan pa masë kaçurrelsen e vogël dhe bëjnë çdo gjë për ta lumturuar atë. Pastaj, Bardhyli, si karakter, nuk përshkohet në asnjë neuron të tij nga patriarkalizmi, duke bartur një frymë shumë të barabartë dhe të lirë. Kurse, Valdetja, posedon çdo të drejtë dhe liri të një gruaje evropiane, ajo punon, flet e menaxhon. Olluri i tipizon personazhet e tij, duke u dhënë karakteristika dhe veçori, përmes të cilave ata ndërtojnë karakterin.
Digresioni është metoda ndihmëtare e Ollurit, përmes së cilës ai do të ndërpresë kronologjinë e ngjarjes. E realizimin e saj e bën përmes ëndrrës. Tani, koshienca dhe subkoshienca e Bardhylit ndeshen, duke u ballafaquar realiteti me frikën e tij më të madhe. Ai, gjatë gjithë rrugëtimit të tij me tren, pret momentin se kur do të hyjnë policët serbë për ta marrë. Dhe, posa e zë gjumi, në ëndërr ai do të përjetojë një episod të tij, ku, përveç gjithë tmerrit, ai do të jetë shkaktari edhe i shpëtimit të jetës së një të riu. Frika e tij dhe mosguximi, si vetëdije, dhe veprat e tij të mundshme heroike, si pavetëdije, dyzohen, për të dhënë një episod interesant brenda romanit.

Ndër më të veçantat e romanit është edhe narracioni fund krye në vetën e dytë, që e bën Ollurin novator dhe vë në pah zotësinë e tij prej shkrimtari. Kurse, shëtitja, herë në një kohë të pakryer, e herë në një kohë të kryer, vë në një teh realen, si diçka të kryer dhe pamundësinë për ndërhyrje në të, dhe idealen, si një peng të tejkohshëm. Pra, kohët ndeshen dhe shkëmbejnë mes vete faktin dhe atë që i mbetet një të ardhmeje të mundshme fiktive.

Olluri zgjedh ta bëjë fundin fillim dhe fillimin fund. Kjo teknikë bëhet qëllimshëm nga ana e tij, sepse, duke e skalitur çdo fjalë të shtypur në roman, ai ia lë luksin lexuesit që të shijojë artin dhe të mos ngarkohet me mendimet mbi fatin e personazheve. Dhe, bën shumë mirë me këtë zgjedhje, ngase romani ka tension, art e mjeshtëri, që nuk e lëshojnë lexuesin dhe i falin atij katarsisin gjatë procesit të leximit./KultPlus.com

Të ngjajshme