Plator Gashi: Incizimet e ‘Shingjergjat Po Sillen’ nuk përmbajnë asnjë referencë të interpretimit tekstual të versionit tim

20 Dhjetor, 2022 - 6:30 pm

Kënga “Shingjergjat Po Sillen” e kënduar nga zëri emocionues dhe shumë i veçantë i Plator Gashit, gjithmonë sjell ndjesi unike në shpirtin e dëgjuesit. Ndërkaq, këngën nëpër vite e kanë kënduar Hashim Shala, Rexhep Hajrizi e të tjerë mbledhës të foklorit shqiptar ndër vite, dhe së fundmi është botuar edhe një tjetër incizim me ç’rast sipas Gashit, këto incizime ndonëse kanë qartas për themel ripërshtatjen melodike e interpretimin tekstual të versionit të tij të këngës, nuk përmbajnë asnjë referencë të vetme që do të kishte bërë me dije, mbi të gjitha, se ai ekziston, përcjell KultPlus.

“Për t’i shmangë keqkuptimet, këtë punë nuk po e baj për ndonji inat apo mëni (ndjenja të cilat në raport me artistin duhet të rrijnë si voji me ujin), po thjesht për shkak të randësisë që kjo kangë ka për mu si njeri — si dhe të fuqisë së saj, që jo vetëm se ia ka dalë me i prekë shumë zemra e shpirtna, po edhe meplotgojën me i dhanë trajtë qenies sime artistike. Due gjithashtu me folë ni grimë për veprimtarinë e ripërpunimit të kangëve popullore, si dhe qëndrimet ndaj saj në ditët e sotme, po krejt pak”, ka shkruar ai.

Më poshtë gjeni postimin e tij të plotë:

Të dashtun miq e dëgjues,

Pa dashtë me marrë shumë prej kohës suej të vlefshme, deshta me i nda disa të dhana për kangën Shingjergjat po Sillen, meqenëse tash janë ba katër vjet nga botimi i saj dhe me kalimin e kohës kanë dalë disa incizime të tjera (ma e mbrama këto ditët e fundit), të cilat, ndonëse kanë qartas për themel ripërshtatjen melodike e interpretimin tekstual të versionit tim, nuk përmbajnë asnji referencë të vetme që kishte me ba me dije, mbi të gjitha, se ai ekziston.

Për t’i shmangë keqkuptimet, këtë punë nuk po e baj për ndonji inat apo mëni (ndjenja të cilat në raport me artistin duhet të rrijnë si voji me ujin), po thjesht për shkak të randësisë që kjo kangë ka për mu si njeri — si dhe të fuqisë së saj, që jo vetëm se ia ka dalë me i prekë shumë zemra e shpirtna, po edhe meplotgojën me i dhanë trajtë qenies sime artistike. Due gjithashtu me folë ni grimë për veprimtarinë e ripërpunimit të kangëve popullore, si dhe qëndrimet ndaj saj në ditët e sotme, po krejt pak.

Kangën Shingjergjat po Sillen, si dhe dashninë për traditën rapsodike shqiptare, i kam prej babës Osman Gashi. Për shkak të babës tim të dashtun kam pasë po ashtu mundësi qysh në moshë të njomë me lexu vepra të shumta mbi letërsinë popullore të anëve tona falë bibliotekës së tij personale. Po aty ndesha në nji botim të Institutit Albanologjik të Prishtinës të vitit 1979 me plot 353 kangë dashnie të vjela nëpër trojet shqipfolëse të ish-Jugosllavisë, ku gjendej edhe nji version tekstual i kësaj kange popullore pa autorësi të qartë. Ky version asht i qëmtuem në Tërstenik të Drenicës nga Jetish Kadishani (1948-2010), autor, bibliotekar, folklorist, gazetar, violinist dhe bashkëpunëtor i jashtëm i Institutit Albanologjik, bir i po këtij katundi. Ndërsa interpretuesi duket të jetë kanë i vëllai Durmish Kadishani (1938), rapsod i njohun në rajonin e Drenicës e në tanë Kosovën (ka knue shpesh në shoqninë Tahir Drenicës), që asht ende gjallë po ka pushue kangën për arsye shëndetësore, pasi ia ka falë traditës rapsodike gjashtë dekada të jetës së vet. Cufë Kadishani (1884-1986), i ati i tyne, njihet si nji ndër rapsodët e parë të Drenicës. Ky tekst, në bashkëpërkim me versionin e mavonshëm të mbledhësi të folklorit Hashim Shala që ma kishte lëshu baba, më shtyjnë me e përftu nji version fillestar timin që e kam incizu në kushte shtëpiake në vitin 2016. Dy vjet ma vonë, me ndihmën dhe kontributin muzikor të paçmueshëm të kusherinit dhuntishumë Shpat Morina ia kemi dalë me e incizu versionin e sotëm që ka tejkalu çdo pritje dhe asht dëgju pakmos 150 mijë herë, gja që e thom me shumë lumtuni e përunjësi. Ballina e kangës asht nji fotografi e axhës Petrit Gashi ku jemi unë e vëllau Gentian Gashi si fëmijë tu iu lshu nji kodre teposhtë në katundit tonë të Mramorit.

Kush e ka shkrue Shingjergjat po Sillen? Këtë punë shkurt e shqip nuk e dimë, po i kemi do të dhana intereresante. Mund të thojmë me siguri të plotë që Hashim Shala nuk asht autor i kangës, por shumë-shumë e ka mbledhë dhe e ka qethë e plotësu tekstin për versionin e tij. Incizimi ma i fundit i kësaj kange (nuk po e bashkëlidhi po mundeni me gjetë në internet) thotë “Kangë e vjetër folklorike Hashim Shala – Shingjergjat” po ka thuejse fjalë për fjalë tekstin e përshtatun nga unë (jo nga Hashim Shala) që asht mbledhë/këndu nga vlleznit Kadishani ne vitet e 70-ta, bashkë me nji pjesë origjinale prej meje — “merre qat udhë t’gatë o dylber o, merrëm edhe mu o shiqer o”. Megjithatë, aty përmendet vetëm Hashim Shala, duke u mohu jo vetëm puna jeme hulumtuese, po edhe sfondi i thellë e zemërthekës që shkon përtej nji rajoni e nji personi të vetëm.

Ekziston nji kangë me titullin “Kur të dalish n’bjeshkë-o bre gjalë” që mbas nji botimi të I. A. asht vjelë në Kotlinë të Kaçanikut dhe ka tekst për kureshtje shumë të ngjashëm:

Kjo ferexha e gat-o, bre dadë

Kjo m’i kputi kraht-o medet o

Of-o, kjo m’i kputi kraht-o, medet o

Kjo ferexha e shkurt-o, bre dadë

Kjo m’i kputi gujt-o, medet o

Of-o, kjo m’i kputi gujt-o, medet o

Edhe strofa e fundit përkon gati njimenji me ate të Hashim Shalës:

Mere ni pushkë t’gat-o, bre gjalë,

Ta vrasim qat plak-o, medet o,

Of-o, se s’na la rahat, medet o!

Fakti se ky tekst asht vjelë në Kaçanik na thotë shumë për prejardhjen e mundshme jo vetëm të (nji pjese) të tekstit, po edhe të identitetit melodik të kangës. Nji pjesëz tjetër e tekstit nga Kotlina asht kështu:

Tu m’i shku shullanit, bre dadë,

Tu m’i fkat jaranit, medet o

Of-o, tu m’i fkat jaranit, medet o.

(…)

O jarani i dadës, bre gjalë,

Lshomi dhent rreth arës, medet o.

Po këtë tekst, thuejse fjalë për fjalë, e gjejmë te kanga “Udhës së Shullanit”, e cila asht e mirënjohun ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut (madje asht këndu edhe në Festivalin Folklorik të Gjirokastres nga Salla Shabani dhe Rizvan Sinani në vitin 2004) po mbas të gjitha gjasave ka prejardhje nga Kërçova. Teksti që kam shtu, “merre qat udhë t’gatë, merrëm edhe mu” vjen si kushtim për “Udhën e Shullanit”, për me i lidhë në njifarë mënyre dy anët e penit, njana në Kërçovë e tjetra në Drenicë. Versionet e asaj ane i gjejmë edhe me çifteli/sharki e kavall/fyell, po edhe si kangë polifonike dyzanëshe, stil i cili njihet për Dibrën, Peshkopinë, Tetovën, Gostivarin, Dervendin e Shkupit, si dhe Kaçanikun, ku mund t’ketë nisë popullarizimi i kësaj melodie e këtij teksti në Kosovë. Këtu falënderoj sërish babën, i cili ka vrejtë këtë kundërvumje melodike për herë të parë.

Ekziston dhe nji version i Rexhep Zajazit i incizuem nga Jugotoni në Kroaci. Dëshmi shtesë për prejardhjen e kësaj nga Kërçova janë edhe kangët tjetër që kanë melodinë identike, sikur Vjeshta moj virane, e cila në disa versione përmend edhe Shën Gjergjin, i cili si datë/periudhë ka pasë randësi të madhe në organizimin e martesave:

Vjeshta moj virane, bre gjalë

Shën Gjergjin na e solle medet o.

Ndonëse nuk e kemi nji histori të përmbledhun, të shkoqitun e të kënaqshme të traditës rapsodike ndër shqiptarë, mjafton me thanë që ajo ka qenë ma e ndërlidhun sesa që mendojmë dhe ka mbijetu cok për shkak të komunikimit që asht lëvru mes shahirëve dhe ndërkëmbimit të përvojave nëpërmjet udhëtimeve e lojës me shoqi-shojn. Gjithë këto motërzime e ky zhvillim tejzhanror asht zhvillu përmes përmes këtij komunikimi dhe respektimi të shtresave pararendëse që i kanë falë kësaj tanësie nji trohë nga vetja — pa i dhanë kryet e vendit ndonji interpretuesi, po tu i mirënjoftë të gjitha ata që kanë gjujtë nga nji dru për me e ruejt zjermin e votrës.

Ky do t’duhej me kanë parimi që nxit riinterpretimin e kangëve nga gurra jonë popullore, po fatkeqësisht nuk asht në të shumtën e rasteve. Simbas mendimit tem, bota muzikore asht nji vargue pa fillim e pa fund qi naltësohet e mëkohet përmes ndërndikimit e nderimit të njani-tjetrit, tu e shtu kujdesin me të cilin u avytemi këtyne kangëve dhe tu i lanë anash afektet e llojllojshme njerëzore që ndonëse dijnë me pru veç katandi, vazhdojnë e përsëriten në sajë të nji amnezie të pashpjegueshme. Nji sqarim për këtë mund t’jetë obsesionimi me “origjinalen”, i cili asht nji fiksion i paharrshëm që vazhdon me vepru si kleçkë për shumë artistë të rij e të moçëm. Domethanë, krijimet “e mira” janë përçudnisht ato qi krijohen “në vakum”, gjoja pa ndikime, si dhe ato që interpretohen nga versionet “e pastra” të “artistëve të mëdhej” (ndonëse kanga nuk buron prej tyne), ndërsa çdo gja tjetër asht me nji kambë në lamin e artit, e me kambën tjetër në botën mondane që s’ka haber për artin. Ç’asht e vërteta, bile edhe fjalët që i nyjëtojmë janë joorigjinale dhe i kemi mësu prej dikujt, po përmes tyne ia dalim edhe dashunohemi, edhe të hakërrohemi, edhe të shkruejmë qindra-mijëra libra që na prekin në qindra-mijëra mënyra të ndryshme, pra ky obsesionim dhe moskujdes asht për t’ardhë keq e asht sidomos në dam të muzikantëve e rij qi dojnë me nisë diçka, po ndihen të ndrydhun nga perceptimet e shtramume për “artistin e vërtetë” dhe “artin e vërtetë”, si dhe nga komunikimi katastrofal mes artistëve.

Dëshira jeme asht që Shingjergjat “me u sjellë” përtej kufizimeve të ditaditshme, si testament i nji dëshire e afshi për me shprehë dashni me njani-tjetrin tu e përdorë artin si mjet, po e dhe tu e respeku rrugëtimin e saj dhe njerëzit qi kanë lanë traga në atë shteg. Se mos të harrojmë: edhe kur na vjen miku i shumëpritun në shpi, pyetja e parë mbas urimit “shyqyr që mbrrive” asht “qysh kalove udhës”!

Ju falënderoj nga loçka e zemrës që ngoni muzikën teme e ju uroj fundvit të ngrohtë me buzë në gaz e me ma të dashtunit tuej përkrah! / KultPlus.com

Të ngjajshme