Pandemia, ‘Kafiqi’ – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?

18 Shtator, 2021 - 12:32 pm

Shkruan: Ballsor Hoxha

1.

‘Kafiqi’ – harta e shpirtit të Prishtinës

2. Pandemia, ‘Kafiqi’[1] – a jemi përballë kotësisë së vlerave tona?

Pandemia e virusit COVID është sigurisht fenomeni më tragjik dhe më shënjues i kohës sonë. Që nga koha e murtajave dhe e kohërave biblike. Kjo ka nxjerrë në sipërfaqe tërë vlerën, apo hiç më pak se kotësinë e jetëve tona. Që prej shkollës, në religjione, e deri tek luftërat si ajo e këtyre ditëve në Afganistan ndërmjet dy palëve terroriste (ISIS dhe Talebanët) ngjajnë të parëndësishme përballë pandemisë. Dhe, së paku deri në tërheqje të pandemisë, asgjë nuk ka kuptim dhe asgjë nuk është e sigurt.

Mund të duket e pandjeshme, dhe edhe e pakuptimtë, por në të vërtetë, siç edhe na mëson historia jonë kosovare gjatë tragjedive tona, vlerat dhe jeta që e bëjmë mund të shpërfaqen krejtësisht të kota. Në këtë, ‘Kafiqi’, jo si ekonomi, apo hedonizëm, por aq më shumë si sociologji, është një prej shenjave dhe problemeve që e ka nxjerrë në pah krejt vlerën apo kotësinë e kësaj jete që e jetojmë.

Andaj, po ia shtojmë jetës në pandemi edhe krahasimin e kësaj tragjedie me ‘kafiqin’! Çka del nga jeta e natës, nga hedonizmi, dhe nga socializimi në ‘kafiq’? Del aq e qartë se ‘Kafiqi’ mund të jetë të dyja: 1. kulturë dhe shpirt, sociologji libertine (lexo: e pa/nevojshme); 2. Apo një domosdo e jetës, së paku nën ankthin e tranzicionit global të sociologjisë dhe psikës së njerëzimit!!

Por, ‘kafiqi’ apo ‘kafeneja’, qysh prej lindjes dhe burimit të tij/saj (që nga kohërat e kafenesë në shoqëritë Islame), tregojnë se njeriu ka qenë në ankth. Në ankth për shkak të hapjes së botës dhe takimit e kalimit të njerëzimit në të vetëdijshmen përkundër shpirtërores dhe të pavetëdijshmes. Duke qenë se vetëdija nuk ka ekzistuar, por e tëra ka qenë një shpirtërore!

“Kafiqi” në të vërtetë është gjurmë e rikthimit të libertines, të para – religjiozes, dhe të asaj që njihej e njihet p.sh. si dioniziane. Si mund të jetë kjo e vërtetë: çdo prezencë e jona, çdo prezente e jona, në të vërtetë është kompleks i të kaluarës dhe të tashmes. Nuk ka një prerje ndërmjet kohës së kaluar dhe asaj të tashmes. Nuk ka një të tashme të cilën mund ta jetojmë pa gjurmët e vetë të kaluarës brenda saj. Që, mund të merret shembull, dëshmohet prej mbijetesës së instinktit e deri tek parakja brenda nesh, dhe ende aktuale dhe ende të gjalla. E deri tek rikthimi hedonizmit dhe të epshit trupor si obsesion në tërë njerëzimin, që prej Hip Hop e deri tek presidentët “pazarxhi” e “body buildera”!

Apo të ktheemi prapa në kohë dhe të marrim shembull po ashtu edhe ankthin e shoqërive të tëra të njerëzimit ndaj vetë kafes si konsum, e kjo si inicim i kafenesë. Derisa në shoqëritë Islame, dhe më vonë në vendet latine, kafeneja ishte përhapur në mënyrë masive, në vendet skeptike dhe më konservative të kësaj kohe, si në Angli e tutje, kafja pikërisht, ishte shpallur pije e djallit, dhe, pikërisht në këto shoqëri nuk është konsumuar dhe as nuk ka pasur kafene deri në kohërat moderne. Në të vërtetë prej këtu lind dhe dallimi, apo thënë saktë, versioni i ‘kafiqit’ si Pub, Bar e Klub në këto vende, etj. Fenomen, që paradoksalisht, më tutje në kohë kalon në të kundërtën: derisa në shoqëritë perëndimore përhapet ‘kafiqi’ dhe versionet e tij, në shoqëritë Islame kjo kalon në mëkat dhe në gjynah! (sigurisht, kjo ndodhë me përfshirjen e alkoolit në këto fenomene sociologjike. Por, shih paradoksin, po e njëjta, pra rakia, ka buruar dhe është përhapur nga vetë shoqëritë Islame, si ushtritë otomane!).

Për të hapur më tutje këtë çështje, mund të themi se qoftë edhe vetë pandemia është rikthim, ringjallje, dhe gjurmë e të kaluarës brenda nesh! Është gjurmë edhe e pandjeshmërisë së njeriut (në instinktiven e tij, në trashëgiminë e tij të parakes) ndaj tërë asaj që është tjetër prej tij; dhe edhe gjurmë e pafuqisë dhe pandihmshmërisë së njeriut në raport me tokën (jo botën, bota duke qenë sajesë e ndërtim i yni!). Është gjurmë e të kaluarës kur njeriu ishte i vetëdijshëm për pafuqinë e tij, përkundër megalomanisë së njeriut në të sotmen që e sheh veten omnipotent ndaj tokës! Është gjurmë e të kaluarës në të tashmen tonë, si përkujtim i vdekshmërisë së njeriut, vdekjes, dhe ankthit ndaj vdekjes.

Në të vërtetë, trupat e vdekur të më të afërmeve tanë kthyer nga spitali mbyllur hermetikisht dhe varrosur pa u “pjekur në ndarjen e fundit”, janë dëshmi e shndërrimit të jetës, përkujtimit se nuk jemi dhe aq “mbi tokë e botë”.

Por, kjo ka lindur problemin dhe dhembjen globale, atë të pamundësisë së socializimit, vazhdimit të sociologjisë dhe të zbutjes së ankthit përbrenda këtyre. Gjë që, pavarësisht dhe edhe duke përfshirë dhembjen e tragjedisë që po shkakton pandemia, të bën të pyetesh nëse lëvizja “no lockdown”, nëse ‘Kafiqi’, nëse fenomeni sociologjik në fjalë, është vetëm pyetje e ekonomisë dhe mbijetesës në qytete të mëdha si Prishtina, apo është fenomen libertin dhe mundemi edhe pa ta. Në të vërtetë, nëse ‘kafiqi’ është vetëm zakon i ngulitur i cili përballë tragjedisë së pandemisë është vetëm kulturë, vetëm vetëdije përballë ankthit të vdekjes, apo përballë pandjeshmërisë së natyrës e tokës ndaj njeriut!!

A na duhen ‘kafiqat’ në pandemi? Kjo pyetje fare nuk ka të bëj me ekonominë! Kjo pyetje ka të bëj me shpirtëroren dhe me njerëzoren, humanizmin dhe aftësinë e njeriut që në ‘kafiq’ të kalojë dhe zbutë ankthin e një hataje si kjo pandemi. Dhe më tutje, a është më me rëndësi shoqërimi (socializimi), apo ekonomia e shëndetit?

Sigurisht, nuk ka një përgjigje, dhe nuk ka një kontroll, dhe as nuk ka  një zgjidhje. Ka vetëm njerëzore, dhe nevojë të njeriut për njeriun. Nuk ka as kuptim dhe as që duhet të nxirret një kuptim, derisa jemi dëshmitarë të pafuqisë së njeriut në përmasa globale, apo tashmë duke përfshirë edhe jetët e fëmijëve në rrezik. Dhe nuk ka as parashikim, as mundësi kontrolli, të pandemisë por as edhe të nevojës njerëzore, posaçërisht brenda një tragjedie si kjo që po e kalojmë.

18 persona të vdekur në një ditë. Sa milion të vdekur gjatë tërë kësaj kohe. Po ta shikonim para se të ndodhte, apo edhe pasi që të kalojë pandemia, sepse do të kalojë një ditë, do të paralizoheshim nga frika. Jemi brenda një hataje të papërsëritshme në historinë e njerëzimit. Por brenda jemi të pandashëm, e edhe të pafuqi. Cila është më e rëndësishme, jeta e njeriut, apo shpirti i tij, sigurisht nëse shpirti i njeriut është vetë shoqëria dhe dashuria ndaj njëri tjetrit të cilat nuk bëjnë pa tjetrin, pa vendin ku këto shprehen e përjetohen – ‘kafiqin’.  


[1] Kjo shprehje është përdorur me qëllim. Arsyeja dhe qëllimi i kësaj shprehje në këto shkrime shpjegohet në pjesët e radhës! / KultPlus.com

Të ngjajshme