Pentagrami i Primo Shllakut

4 Nëntor, 2017 - 7:55 pm

Ag Apolloni
Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje tregimesh që rrëfejnë për të kaluarën dhe aktualitetin shqiptar, me një gjuhë të pastër dhe me një stil të pasur. Pjesa më e madhe e librit është novela “Muzikantët”, nga e ka marrë edhe titullin vepra, ndërsa tregimet e tjera janë: “Loja”, “Unaza”, “Pema në mes të sheshit” dhe “Të nesërmen e barbarëve”.

Të gjitha tregimit e këtij libri janë sa aventura në kujtesën emocionale të autorit, aq edhe përvoja kulturore të tij në kontakt me letërsitë e tjera. Pra, këto tregime përveç që sjellin një përvojë nga realiteti, nga e kaluara dhe aktualiteti, ato sjellin edhe shoqërime të teksteve me drejtime e rryma letrare dhe filozofike europiane, nga të cilat impresionizmi si drejtim letrar modernist dhe ekzistencializmi si rrymë filozofike, alternohen gjithandej nëpër libër. Derisa stili impresionist korrespondon me temën që zgjon nostalgji, qasja ekzistencialiste përfshin gjithë diskursin narrativ me qëllim të thellimit të vertikales semantike.

Të gjitha tregimet e këtij libri janë shkruar si dromca kujtese, herë të autorit, herë të personazheve, prandaj edhe shkalla e motivimit të natyrës fragmentare të tyre është e lartë. Mbledhja e dromcave të kujtesës ka krijuar atë që Derrida e quante diskurs brikolar, kur i referohej përzierjes së motiveve, fragmenteve dhe stileve. Primo Shllaku ka vënë në praktikë shumë koncepte të teorive letrare aktuale për ta provuar funksionalitetin e tyre. Në këtë mënyrë, ky libër me tregime është gjithashtu një libër me proza eksperimentale, pasi kështu dëshmohet bindja e autorit për eksperimentin si mundësia më e mirë për të sjellë risi.

Primo Shllaku, i njohur kryesisht si poet, edhe në prozë ka integruar mjaft elemente poetike, madje, përveç mbushjes me figura, shpesh diskursi i tij kalon nga gjuha metonimike në gjuhë metaforike, duke e prishur qëllimisht ligjin e Jakobsonit. Gjuha e prozës së tij është një punë me limë, një gdhendje dhe latim prej mjeshtri.

Libri “Muzikantët” i Primo Shllakut është një përmbledhje që përmban brenda një univers narrativ tejet interesant e të paparë në prozën shqipe. Sado që për nga tema, koha dhe hapësira, tregimet kryesisht mjaftohen me hapësirën shqiptare, për nga poetikat që u përmbahen ato mund të shihen në relacion me shumë shkrimtarë modernë dhe bashkëkohorë (Joyce, Mann, Hesse, Camus, Sartre, Buzzati, McCarthy etj.) prej të cilëve Primo Shllaku ka mësuar të shkruajë për “jetën e vogël” (la vie mineure) dhe janë pikërisht këto minirrëfime ato që e rigjallërojnë letërsinë shqipe të lodhur nga metarrëfimet. Ndryshe nga rrëfimet e njohura të letërsisë socrealiste në Shqipëri, të mbushura me ngjarje “madhore”, këto janë kryesisht tregime të mosngjarjeve dhe të ngjarjeve “të vogla”.

Pesë partiturat

Tregimi i parë, Muzikantët, në dukje është prozë imazhiste, por që imponohet njëkohësisht si pikturë dhe muzikë. Rrëfimi nga pesë perspektiva narrative dhe nga po aq zëra narrativë, e kthen atë në një lojë vizuale dhe auditive që kënaq syrin dhe veshin e lexuesit. Me gjuhë kinematografike, do të mund të thuhej se ky tregim është një lojë e shkathtë për nga mënyra e këndeve dhe planeve të xhirimit, si dhe për nga mënyra e montimit.

Tregimi “Loja”, proza më dramatike dhe më frojdiste e librit, ka për temë dashurinë, përfshirë edhe atë edipiane. Nëpërmjet lojës, protagonisi rastësisht zbulon fytyrën e vërtetë të së dashurës së tij dhe, pastaj, refuzon maskën e dashurisë të cilën ajo mundohet kot ta mbajë prapë. Për Ninin, protagonistin e tregimit, loja e ka zbuluar të vërtetën, prandaj ai s’pranon ta falë Lelën. Po ta falte, aty do të fillonte loja ku ata do të bënin sikur duhen, sikur dashurohen. Pra, te ky tregim loja e zbulon dashurinë, por dashuria refuzon të jetë lojë. Ashtu si Mario te novela “Mario dhe magjistari” e Thomas Mann-it, , edhe Nini te tregimi i Primo Shllakut, nuk e pranon lojën me ndjenjat më të thella humane. Nini nuk vret, por largohet i zhgënjyer dhe ky zhgënjim na e kujton ikjen e Fridemanit, të një tregimi tjetër të Mann-it, pas refuzimit që i bëhet nga femra të cilën e dashuron. Kështu, “Loja” e Primo Shllakut është një lojë e bukur intertekstuale.

Tregimi “Unaza” trajton krizën e një çifti, nga perspektiva e burrit. Ndryshe nga rrëfimet e autorëve të shekullit XIX që krijuan skemën e dashurisë tragjike nëpërmjet trekëndëshit të ashtuquajtur romantik, ku një pretendent i rritur prish rehatinë e çiftit, në tregimin “Unaza” këtë krizë duket sikur e ka sjellë fëmija i çiftit. Duket se burri ka humbur privilegjin e të qenit lodër argëtuese për gruan e tij, rol ky të cilin e ka zënë fëmija. Në jetën e tij më nuk ndodh asgjë interesante, prandaj ai mendon ta “varrosë” unazën, si simbol të lidhjes tashmë të harxhuar. Ankthi që e shoqëron gjatë “varrimit” dhe pastaj gjatë kërkimit të unazës, tregon se burri ka një ëndërr, që është dëshirë dhe frikë, njëkohësisht.

“Pema në mes të sheshit” është tregimi tjetër që tregon fundin e një peme, shkuljen e një peme nga shtrëngata. Pema ka zënë rrugën dhe personat që mblidhen rreth saj kanë mendime dhe kërkesa të ndryshme për të. Dikush shqetësohet, sepse ajo ka përfaqësuar rrënjët e qytetit, një tjetër bluan kujtimet që e lidhin me atë pemë, një i tretë mendon si ta marrë dhe të bëjë skulptura prej trungut të saj, një person me karrocë që kur kishte qenë i ri kishte rënë nga pema, gëzohet kur e sheh pemën të rrëzuar. Kështu, rreth pemës së rrëzuar mblidhen njerëz të ndryshëm: kryetari, famullitari, historiani, skulptori, inxhinieri dhe qytetarë të tjerë, të cilët e përcjellin pemën në funeralin e saj. Të nesërmen, pasi e kanë prerë dhe larguar çdo shenjë të pemës, kryetari kalon aty ku ka qenë pema dhe sheh vetëm gropën që i duket si plagë: “funerali kishte marrë fund, por gropa kishte mbetë e hapun”.
Tregimi i fundit, “Të nesërmen e barbarëve”, ka si impuls autorial kaosin e vitit 1997 në Shqipëri, që më së shumti mund t’u ketë leverdisur pronarëve të dyqaneve të arkivoleve, çfarë është edhe personazhi kryesor i këtij tregimi. Tregimi herë te kujton horizonte të shkreta si në filmat “western”, herë pamje apokaliptike si te “Rruga” e Cormac McCarthy-it. Në fund, pas shkretimit që i është bërë vendit, vjen një femër, e cila me brekët e saj të bardha, duket sikur simbolizon lirinë e abuzuar dhe paqen e lakmuar.

Shpirti dhe maska

“Muzikantët” është një libër i përbërë nga tregime që karakterizohen prej diskurseve që oscilojnë nga stili realist deri tek ai surrealist dhe, në këtë mënyrë, tekstet e tilla fitojnë statusin e surfiksionit. Primo Shllaku luan me perspektiva narrative dhe me zëra narrativë, duke u nisur nga temat e zakonshme për t’u katapultuar në një simbolizëm transcendental. Tregimet e tij krijojnë efekte të forta nga detajet, të cilat fokusohen nga autori për t’u kthyer në sugjestion semiotik. Duke qenë dakord me Truman Capoten se një tregim mund të fundoset edhe nga një ritëm i gabuar në fjali, ose nga një gabim në paragraf apo pikësim, Shllaku na i ofron tregimet si partitura muzikore ku me dorë mjeshtri është fiksuar melodia e gjuhës.
Primo Shllaku, i njohur për lirikat e tij të thella, me këtë libër vjen si autor i tregimeve dhe mendimeve të thella. Personazhet e tij, këto maska të ideve që vijnë si rezultat i një meditacioni filozofik autorial, pohojnë mendimin e filozofit Nietzsche se çdo shpirt i thellë ka nevojë për një maskë./KultPlus.com

Të ngjajshme