Për fëmijët dhe nënat e punësuara

19 Tetor, 2018 - 6:59 pm

Nga Teuta Haxhimusa-Çerkini.

Në kohën e komunizmit një punonte në familje dhe të gjithë ia dilnin mbarë. Tashmë e dijmë që në një familje duhet të punojnë edhe burri edhe gruaja për të plotësuar nevojat e kërkesat e familjes së sotshme.

Ekonomia e tregut, kapitalizmi, janë terma që i dëgjojmë edhe në fjalimet e politikanëve, pushtetarëve. Por, jo domosdo duhet kopjuar gjithçka nga shtetet tjera kapitaliste. Familjet kosovare të lëna të vetgjinden ekonomikisht, sipas vullnetit të lirë, thjesht detyrohen që të dy prindërit domosdo të punojnë për mirëqenien financiare të familjes.

Shumë nëna të reja detyrohen të lënë fëmjët në qerdhe, qendra ditore të kujdesit, apo të marrin kujdestare në shtëpi që t’i zëvendësojnë ato deri të kthehen nga puna. Pushimi i lehonisë është një vit, por shumë nëna kthehen më herët në punë, sepse e ndjejnë se puna mund tu rrezikohet. Këto nëna dorëzojnë krijesën më të rëndësishme në jetë, fëmijën tek dikush tjetër çdo ditë kur ato shkojnë në punë.

Një nënë që s’ka fjetur gjithë natën, zgjohet herët, rregullohet dhe paraqitet në punë, mund të ndodhë shpesh që fëmijën nuk e ka edhe aq mirë nga shëndeti, kur ia dorëzon mësueses në kopsht. Vetëm një nënë tjetër qe ka përjetuar të njejtën pervojë mund ta kuptojë se prapa grimit, fshihen ato qeska të mavijosura poshtë syve nga pagjumësia. Por, ajo ndjek takimet, kryen raportet, punët, orë e çast duke parë nga telefoni mos po e thërrasin nga qerdhja.

Jo, po bie nataliteti, jo femrat ende s’kanë arritë barazinë e mundësive të zhvillimit profesional si meshkujt, dëgjojmë fjalime, tryeza, debate! Përderisa shteti nuk e fut fëmijën dhe femrën në strategji kombëtare të mbrojtjes dhe përkrahjes, (me anë të politikave, ligjeve incentivuese) nuk ka as edukim të mirëfilltë të fëmijëve, nuk ka as familje të balancuar, nuk ka as mundësi për barazi profesionale midis gjinish.

Çfarë do duhej të përmbante ajo strategji kombëtare? Femrës nuk duhej t’i jepej kuota mëshire në parlament, po duhej dhënë siguri financiare të ndjehet vërtetë nënë, pa e pasur kërcënim humbjen e punës.

Ajo strategji nuk duhet ta dekurajon sektorin privat që mos të merr femra në punë për shkak të lindjeve, por në të kundërtën do duhej stimuluar sektorin privat që t’i rekrutoj ato, duke i marrë vetë shteti përsipër të gjitha shpenzimet e lehonisë, duke krijuar mundësi të punës nga shtëpia, për gratë lehona, duke ofruar trajnime profesionale për nënat gjatë lehonisë që të mos mbesin prapa profesionalisht.

Një vit lehoni nga ligji aktual i punës, nuk majfton për nënat e reja. Mund të jetë më i mirë se ligji i punës së ndonje shteti, po më i keq se disa shteteve të tjera. Ne duhet të shikojmë çfarë është e rëndësishme për ne si shtet. Shëndeti i fëmijës dhe nënës duhet të jetë prioritet shtetëror! Familja është qeliza e shoqërisë.

Me një presion të vazhdueshëm që vazhdon të ketë familja moderne kosovare, e ka shumë të vështirë të mbetet e shëndoshë. Ka rrezik të tkurret. Ka tendenca nga çiftet e reja që të mos kenë fare fëmijë, ose të kenë vetëm një. Ku po vemi si shoqëri kosovare nëse nuk e mbrojmë familjen, femrën dhe fëmijën!/ KultPlus.com

Të ngjajshme