займ на карту онлайн потребительский кредит

Për mua si arkitekt do të më mbetet përjetësisht zemërimi për arkitektin danez

17 Maj, 2020 - 9:19 pm

Ernest Ferizi – Arkitekt

Teatri kombëtar dhe Arkitekti danez Bjarke Ingels

Nëse dikush mund të ndikoj në mënyrën e jetesës së njerëzimit, padyshim se ai është Arkitekti. Përmes projektimit të hapësirave publike, e po ashtu edhe atyre individuale, ne përcaktojmë në mënyrë të vetëdijshme apo te pavetëdijshme mënyrën e lëvizjes, së punuarit, të ushqyerit, fjetjes etj. të njerëzve.

Prandaj me modesti e them, se ne Arkitektët jemi asistent të pazëvendësueshëm të Zotit.
Fal arkitekturës sonë, ndonjëherë edhe Zotit, ja vështirësojmë ose ja lehtësojmë punën.

Nuk është e rëndësishme nëse kemi krijuar arkitekturë të bukur apo të shëmtuar, njerëzit me kohë fillojnë te mishërohen, identifikohen dhe krenohen me godinën, lagjen dhe qytetin ku ata jetojnë. Është e njëjtë si “ Sindroma e Stokholmit” kur të kidnapuarit fillojnë të ndjejnë simpati apo mirëkuptim për kidnapuesit. Prandaj edhe përgjegjësia e jonë si Arkitekt, është jetike, duke e pas parasysh qe artin nga kiçi e ndan vetëm një fije e hollë floku.

Në orët e hershme errësire të datës 17.05.2020, në qytetin e Tiranës, si në filmat gangster, filloi shembja e Teatrit të vjetër kombëtar, duke e “ kontrabanduar” njëkohësisht edhe projektin për ndërtimin e Teatrit te ri, pas gati 3 vjetësh protestë dhe rezistencë për mbrojtën e Teatrit te vjetër nga artistët, intelektualët dhe shoqëria civile.

Për mua, fajtori kryesor për situatën e krijuar është padyshim Arkitekti i teatrit të ri, danezi Bjarke Ingels, i cili si duket, nuk mendoi apo nuk ofroi mundësinë të “ shkrinte “ objektin e vjetër me objektin e ri. Të bënte një lidhje arkitekturore-estetike mes dy objekteve , edhe pse e kam thënë dhe e kam shkruar këtë edhe shumë herë më parë.
Apo duke e pasur parasysh rëndësinë e Teatrit te vjetër , si një prej monumenteve të trashëgimisë kulturore, të merrte së paku mundin që fasadën karakteristike të Teatrit të vjetër, ta inkorporonte si pjese eksterieri apo interieri të objektit të ri.
Kjo gjë do të mund të bëhej, e them me përgjegjësi profesionale.

Kjo shprehje dhe gjuhë arkitekturore është shumë e shpeshtë dhe e domosdoshme në arkitekturën bashkëkohore, e sidomos te objektet e trashëgimisë kulturore. Këtë gjë e dimë pa përjashtim, të gjithë Arkitektet .

Tashmë, me shembjen e Teatrit në stilin taliban, janë shuar përgjithmonë edhe dritat e Teatrit të vjetër dhe perdja ka ra. Do na mbesin vetëm kujtimet për Teatrin e vjetër kombëtar.

Ndërsa mua si Arkitekt do të më mbetet përjetësisht zemërimi për arkitektin danez , që nuk arriti ta shpëtonte një monument të trashëgimisë kulturore të kombit tim.

Së paku te kishte tentuar ta shpëtonte./ KultPlus.com

Të ngjajshme