Përdhunimi i 15 vjeçares dhe mungesa e reagimit qytetar, që na zhyt më shumë në llumin e thagmave shoqërore

4 Qershor, 2020 - 1:06 pm

Nga Arli Minga

Është kaq e dhimbshme, është sfilitëse, të ul në gjunjë, të plagos besimin nga çdo gjë që të rrethon, e të ngre pikëpyetje për gjithçka është dukur me vlerë dhe të hap sytë se çfarë vërtet është e pashlyeshme.

Kjo është ndjesia ime, po besoj edhe e shumë të tjerëve, pas rastit të pashembullt, makabër, të përdhunimit periodik të vajzës fatkeqe 15 vjeçare në Tiranë.

Reagimi është i natyrshëm, jo vetëm ndaj rastit, por edhe fenomenit.. do duhej të ishte kështu të paktën!

Rasti ka disa ditë që është bërë publik e është kaq i dhimbshëm, është një e vërtetë kaq e hidhur, sa të “tredh” edhe vullnetin qytetar e njerëzor, kur në fakt i vetmi kastrim do duhej të ishte për monstrat që kryen krimin.

Mes urrejtjes për atë ditëzi 65 vjeçar e ata djem të mallkuar dhe dëshirës për të pasur mundësinë për të zhbërë gjithë çfarë ka ndodhur, një reflektim mbi gjendjen e përgjithshme të shoqërisë i fanepset mendjes.

Bëjmë kaq shumë gabime si shoqëri, sa kur duhet të reagojmë, as nuk kemi forcën e duhur për të reaguar.

Nuk do ta pretendoja ndjeshmërinë kolektive si të amerikanëve pas vrasjes çnjerëzore të George Floyd, por të paktën një klithje njëzëri për drejtësi duhet ta kishim bërë të gjithë për rastin e 15 vjeçares së gjorë, që është viktimë papërgjegjshmërisë dhe indiferencës së përgjithshme në lidhje me fenomenin.

Përkundrazi, bashkëqyetarët e mi, sigurisht jo të gjithë, madje dhe unë vet, e kemi bombarduar rrjetin me sensibilizimin mbi racizmin, teksa kërkojmë drejtësi për Floyd-in, zezakun që është kthyer në martirin e vlerave njerëzore sot në botë.

Pse kjo qasje?!

Mungesa e besimit për një reagim kolektiv ndaj rastit të përdhunimit të 15 vjeçares dhe frika ndaj quasi aksiomës se do të bjerë me gjasë në vesh të shurdhët, ka bërë që shqiptarët ta gjejnë zenitin ndjesor te ulja në gjunjë e policëve amerikanë para protestueve, apo përpara protestave të paepura në një duzinë shtetesh në SHBA.

Në fakt, ky është një çast ku mund të shënojmë një kthesë reale përsa i përket fenomeneve negative shoqërore që një ditë mund të na prekin të gjithëve. Motrat, vajzat, nënat tona, të gjitha janë të rrezikuara ndaj instiktit kafshëror që prevalon herë pas here për të na kujtuar se e keqja është bashkëudhëtare e pandarë, e ne nuk duhet ta neglizhojmë, por ta luftojmë në çdo rast.

Thagmat sociale që na përfshijnë duhet të na rifresokojnë vetdijen për gjenezën e gabimit. E dimë të gjithë se Shqipëria që shohim përditë në rrjetet sociale, apo në qendrat më të mëdha urbane, ajo Shqipëri që hera herës duket gati më e emancipuar se SHBA-ja; më e shthurur seksualisht se metropolet evropiane; e më e dhënë pas drogës se “getot” latine; nuk është assesi ajo e vërteta. Ne vuajmë ende nga mentaliteti patriarkal e shtypës ndaj vajzave e grave, por është detyra e pjesës së çliruar nga këto “jelekë mentalë force” që të japë kontributin e ndihmën e saj, që këto hendeqe të mos thellohen, por të vijnë drejt zhdukjes.

Është në dorën tonë që familjet të edukojnë djem që ta vlerësojnë thelbësisht ekzistencën femërore, e jo ta shohin atë si një varg arritjesh, apo një objekt shfryrje të orgazmave kafshërore. Siç duhet patjetër që të rrisim vajza të ndërgjegjshme për vlerat e tyre, edhe për përgjegjësitë e tyre, e për më tepër, të vetdijshme se kanë forcën e duhur për të denoncuar e dënuar çdo padrejtësi.

Është në dorën e autoriteteve që të forcojnë strukturat arsimore e të mos lënë kurrsesi pas dore edukimin e nxënësve mbi fenomene të tilla. Të mos krijojmë më ekstremitetet e vajzave të përdala apo atyre të dhunuara e përdhunuara, as të meshukjve dhunues e kriminelë, e as të atyre të ndrydhur e të margjinalizuar.. të paktën t’i minimizojmë.

Është në dorën e medias që të mos promovojë më shëmti e kundërshembuj për dalldi klikimesh, por të denoncojë e të dënojë raste të tilla, sa të gëlojë e të gulçojë në çdo vesh e vërteta, e të mbillet frika në mendjet e cilësdo monstre që ka ndërmend të kryejë një krim të ngjashëm.

Është në dorën e çdo përfaqësuesi publik, çdo politikani, çdo ministri kopuk e ministreshe kokëleshe që të sensibilizohet me rastin e të mos ruaj balancet e neveritshme mes dikastereve. Ky rast, është edhe dështim politik! E patjetër, që dikush duhet të marrë kosto.

Është në dorën tonë të jemi më të drejtë, më të mirë, më të kujdesshëm e më të ndjeshëm kundrejt çdo padrejtësie. / KultPlus.com

Të ngjajshme