Poezia e poetit Sali Bashota në rumanisht

2 Maj, 2020 - 7:05 pm

Mimoza Hasani Pllana

Historia e gjuhës dhe letërsisë shqipe ka ndërlidhje të fortë me Bukureshtin e Rumanisë. Bukureshti është qyteti ku u botua abetarja e parë shqipe, Evetari (1844) dhe qyteti ku rilindasi i njohur shqiptar, Naim Frashëri, botoi poemën idilike e atdhetare Bagëti e Bujqësia (1886). Në kontekstin historik, këto dy libra me vlera të veçanta për gjuhën dhe letërsinë shqipe, frymëzuan dhe u bënë nxitëse të krijimit të një vargu veprash letrare që përveç mësimeve të gjuhës dhe artit të fjalës, ndriçuan mendjen, hapën zemrën dhe shtuan guximin e bashkëatdhetarëve për ndryshimet e mëdha në kontekstin historik, kulturor, gjuhësor e letrar për shqiptarët. 

Shenja të hershme të kulturës dhe letërsisë shqipe në Rumani

Marrëdhëniet kulturore shqiptaro-rumune janë të hershme. Kryeqyteti rumun, Bukureshti, që në shek. XIX krijoi hapësirë për themelimin e shoqatave kulturore dhe atdhetare shqiptare, nëpërmjet të cilave u realizuan aktivitete për gjuhën, letërsinë, kulturën dhe historinë shqipe, për shqiptarët në Rumani, në qendrat tjera Europiane dhe në vatrat e tyre.  Në procesin e vështirë të zhvillimit të kulturës, artit dhe gjuhës shqipe, Rumania, la gjurmë të përjetshme, me krijimin e mundësive për botimin dy librave të mëdha shqipe, Abetares së parë shqipe, Evetarit (Naum Veqilharxhi,1844) dhe Bagëti e Bujqësia (Naim Frashëri, 1886). Bukureshi, la gjurmë edhe për krijimet e çmuara të shoqërive kulturore e atdhetare, “Drita”, “Shpresa”, “Bashkimi” dhe të gazetave “Drita” dhe “Shqipëtari”.

Të gjitha nismat për zhvillimin e gjuhës, artit, kulturës dhe nismat atdhetare për pavarësimin e Shqipërisë nga Perandoria Osmane u morën nga elita e kolonisë shqiptare të Bukureshtit, e mbështetur nga elita kulturore e qeveritare rumune. Për vite me radhë, Bukureshi ishte një nga qendrat kryesore për furnizimin e bashkëkombësve shqiptarë në Shqipëri, Kosovë, në disa pjesë të Maqedonisë dhe Mal të Zi, me libra dhe materiale tjera të shkruara në gjuhën shqipe. Intelektualët shqiptarë të Bukureshtit, krijuan ura të forta komunikimi dhe bashkëpunimi me intelektualët dhe bashkëatdhetarët shqiptarë në Sofje, Selanik dhe Stamboll.

Dëshmi të fundit të letërsisë shqipe në Rumani

Në gjysmën e dytë, të shek XX., në gjuhën rumune u përkthyen veprat e mbi njëqind poetëve, prozatorëve dhe dramaturgëve shqiptarë. Me intensitet më të madh, përkthimi i letërsisë shqipe në gjuhën rumune u arrit pas hapjes së kufinjve të Shqipërisë (1990) e tutje. Por, ky fat nuk ishte i caktuar edhe për autorët shqiptarë të Kosovës. Krahasuar me veprat e përkthyera të autorëve të Shqipërisë, autorët e Kosovës janë pak të njohur për lexuesin rumun.

Letërsia shqipe u bë e njohur në rumanisht falë interesimit dhe vullnetit të përkthyesve shqiptarë e rumun. Disa nga përkthyesit më të njohur të veprës shqipe në rumanisht janë: Ardian Kyçyku, Baki Ymeri, Kopi Kyçyku, Marius Dobresku. Ndërsa, autorët shqiptar, vepra e të cilëve tanimë është e lexueshme në rumanisht përfaqësojnë thuajse gjithë brezat e letërsinë shqipe, që nga F. Konica, F. Noli, Migjeni, N.Mjeda, Asdreni, M. Kutelit, L. Poradeci, M. Camaj, E. Koliqi, Z.Zorba, F. Rreshpja, A. Pashku, I. Kadare, A. Podrimja, S. Bashota, M. Ramiqi, B. Qapriqi, I. Berisha, I. Kadriu, pastaj autorët e rinj si F.Acka, M.Ahmetaj, R.Syla. K. Shala, H.Meçaj, J.Neziraj, A. Leka, L. Lleshanaku dhe autorë tjerë.

Ky komunkim i ri në mes përkthyesve rumun dhe shqiptarë me veprën e hershme e të re shqipe, është tregues i fuqishëm i vazhdimësisë së marrëdhënieve të mira shqiptaro-rumune.

Poezia e poetit Sali Bashota në gjuhën rumune

Sali Bashota, poet i pranishëm në letërsinë shqipe për më shumë se tre dekada, nëpërmjet veprës së përkthyer lexohet në disa gjuhë të rëndësishme europiane. Vepra poetike e Bashotës mund të lexohet në gjuhën angleze, frënge, gjermane, italiane, suedeze, bullgare dhe rumune.

Poezitë e përkthyera në gjuhën rumune i përkasin dekadës së fundit të shek. XX., por të qasshme në gjuhën rumune në fillim të shek XXI.  Librat “Ekzili i Shpirtit”(Exilul Sufletului: Bukuresht 2004) dhe “Shiu pa ty” (Ploaia fara Tin: Bukuresht 2008), e bën të njohur poetin Bashota për lexuesin dhe kritikët letrar rumun.

Poezitë e veprave të zgjedhura nga kritika rumune i përkasin një kohe të rëndë historike, politike, sociale, ekonomike dhe kulturore të Kosovës, që e ndikojnë poezinë e Bashotës. Në këtë kontekst lexohen poezitë e Bashotës nga kritikët rumun, studiuesit e motiveve të tragjedisë nacionale, fatkeqësisë personale dhe shoqërore, që në Kosovë rrodhën si pasojë e një realiteti të ri të përafërt me realitetin e rumunëve të Besëarabisë. Kritika rumune, më shumë ndalet te situatat dramatike, që Bashota, sikur shumë poetë të brezit të vet, e bëjnë pjesë të poezisë si dëshmi historike dhe kulturore të vendit. Ndërsa, kërshëria e përkthyesve zgjohet nga tema e njohur e vdekjes e shoqëruar me emocionet e dhembjes, habisë e frikës së poetit, e që për përkthyesit, këto ndjenja veprën e bëjnë interesante dhe tërheqëse për lexuesin rumun.

Në tërësi, këto janë tri elemente ndikuese për përfshirjen e Bashotës në listën e poetëve modern ballkanik dhe europian të përkthyer në rumanisht. Gjithashtu, poeti vlerësohet edhe për formën e poezisë dhe gjuhën simbolike.

Dan Anghelescu, poet, kritik letrar dhe profesor universitar rumun, poezitë e librit “Ekzili i Shpritit” i vendos në kategorinë e poezive me origjinë në përjetimet unike të subjektit, nëpërmjet të cilave shpërfaqen pjesë nga historia e shqiptarëve të Kosovës (Bashota, 2012: 105). Nga një vlerësim i tillë, kuptohet se poezia e Bashotës, përveç promovimit të vlerave letrare përtej kufijve nacional, bëri të njohur për lexuesin rumun edhe një dekadë historike të kombit shqiptar.  Kështu, përveç vlerësimit estetik, në variantin e përkthyer, vepra e Bashotës, vlerësohet edhe për barrën e promovimit të vlerave kulturore, nacionale e historike të shqiptarëve të Kosovës. Ndërsa, në kontekstin e komunikimit ndërkulturor ndërmjet vendeve të Ballkanit, vepra poetike e Bashotës vlerësohet për forcimin e urave të komunikimit në mes dy popujve me miqësi shekullore. Poezitë (përfaqësuese) me motive personale dhe kolektive të vuajtjes, dhunës, luftës, në variantin e përkthyer pranohen si poezi me elemente të përbashkëta me poetët e frymës liridashëse të Besarabisë. Një nga poezitë me motive dhe tematikë të përafërt me poezitë e kësaj fryme, vlerësohet poezia me titull, Ah kjo vdekje:

Si ta përpij tmerrin në dyluftim me hijet/Copa e granatës në pjatë

Vrasësit duke i fshirë njollat e krimit nëpër mure

Fytyra e skuqur e dheut në pasqyrë/përpara vdekja pastaj gjaku

Fëmijët me bukë në fytë i gëlltisin shpresat

Ëndërrat e bardha për lodrat që i tremben vdekjes

Kjo është vërtetësi njerëzore/që kërkon mëshirën e Zotit (Bashota 2004: 97)

Poezia 1. Varianti orgjinal i poezisë “Ah kjo vdekje”

Këto vargje nuk pranohen ndryshe as nga poeti dhe kritiku letrar rumun George Gibesku. Gibesku, poezinë e Bashotës e vlerëson për emocionet e thella shpirtërore që transmeton, por më shumë për motivet dhe elementet e përafërta tematike me një pjesë të poezisë rumune. Krahasimet e para i bënë me poezinë e autorëve rumun Lucian Blaga dhe Aleksandru Filipide për faktin e ngjashmërive tematike që ato kanë si dhe për motive që ndërlidhen me ëndrrën për një të ardhme më të mirë, luftën dhe historinë e një populli të martirizuar. Më pas, duke lexuar më thellësisht poezinë e Bashotës, duke interpretuar metaforat ekzistenciale, ai gjen të përbashkëta edhe në mes të fatit persekutues të shqiptarëve të Kosovës, rumunëve të Bukovinës së Veriut, deri diku edhe me atë të rumunëve të Timokut (Bashota, 2012: 166-168).

Cum să cuprind întunericul în duel cu umbrele    

Bucatile de grenadă pe farfurie

Ucigasii stergand petele crimei pe pereti

Fata înrosita a patriei în oglindă

Mai întâi moartea apoi sângele

În loc de pâine copii înghit speranţe

Visele albe despre jucăriile care se tem de mparte

Acesta este adevărul durerii umane

Care caută mila Domnului

Poezia 2. Variant i përkthyer në rumansht i poezisë “Ah kjo vdekje”

Përveç për studiuesit rumun, edhe për studiuesit kosovarë, ndikimi i konteksteve jetësore e socio-politike është i pranishëm në vargjet simbolike dhe metaforike të poetit Bashota, prej të cilave dallohet dukshëm figura e gjarpërit. Këtë figurë, profesori i letërsisë shqipe, Nysret Krasniqi, e sheh si figurë universale të helmit, e që nëpërmjet saj, poeti Bashota, sipas Krasniqit, jep poezitë e refleksioneve të helmeve të shpirtit nëpër situata të vështira ekzistencës njerëszore, qofshin ato personale apo familjare (Krasniqi 2016: 700).

Në përurimin e dorëzimit të dhembjes personale

Hapeni portën e shpirtit mos ta zërë terri i natës

Kur në pjesën tjetër të atdheut

Gjarprinjët e zinj shtrihen lakuriq. (Bashota 2004: 89)

Poezia 3. Varianti origjinal i poezisë Në pjesën tjetër të atdheut

În festivitatea înmânării durerii personale…. 

Deschideţi poarta sufletului ca să nu-l prindă  întunericul nopţii

Când în cealaltă parte a patriei   

Şerpii negri se-ntind goi                 

Poezia 4. Varianti i përkthyer i poezisë Në pjesën tjetër të atdheut

Ekzili i Shpirtit/ Exilul Sufletului, është përmbledhje poetike nën një titull metaforik, ku rendi i poezive ndahet në dy libra poezish: 1. Shpirti im i shkretë dhe 2. Dasma Shqiptare.  Poezitë janë të lexueshme në të dy gjuhët, në variantin e përkthyer rumanisht dhe në variantin origjinal shqip. Pjesa e fundit e librit përmbanë disa mendime të kritikës letrare rumune për veprën dhe për krijimtarinë poetike të Bashotës të përkthyer në gjuhën rumune në kohë të ndryshme.

Ekzili i shpirtit, si një përmbledhje metaforike bën bashkë poezitë e krizave emocionale të poetit gjatë një procesi të rëndë shpirtëtor dhe fizik. Ekzili i shpirtit vjen si një tentim ikje nga vetja dhe vendi i përfshirë në një luftë të padrejtë. Ekzili fizik, figuron largimin e dhunshëm të autorit nga vendlindja, derisa ekzili i shpirtit, ikjen edhe nga vetvetja. Megjithë pjesën e tmerrit, vepra e Bashotës, e ofruar për lexuesin rumun, merr pak nga poezitë e melankolisë, shprehjes së mallit,  poezitë e dhembjes, pengut që e shqetëson poetin, por edhe poezitë e thirrjeve të dashurisë, si : A s`të thashë e dashur, Mesditë e heshtur, Zanë mali apo vetëm dhimbje, etj. Këta tituj plotësojnë raportin e lexuesit rumun me veprën e Bashotës, përmes vlerave të reja estetike e tematike, si një qasje e re e komunikimit të publikut me veprën poetike.  

Përkujtim: Në historinë kulturore dhe letrare shqipe, Rumania kujtohet si një nga vendet që me shekuj fuqishëm përkrahu zhvillimin, avansimin dhe promovimin e letërsisë shqipe./KultPlus.com

Të ngjajshme