Poezia që buron nga shpirti

11 Qershor, 2018 - 11:30 am

(Dritëro Agolli: “Prit edhe pak”, botoi “Dritero”, Tiranë 2016)

Shkruan Liridona Selmani.

Përmbledhjen poetike “Prit edhe pak” shkrimtari i njohur i letërsisë shqipe, Dritëro Agolli e botoi në 85 vjetorin e lindjes së tij, njëherësh vit jubilar i cili ishte mjaft i suksesshëm për të. Këtë vëllim poetik Agolli ia kushtoi gruas se tij Sadijes.

“Mendova që këtë përmbledhje vjershash t’ia kushtoja gruas sime, Sadijes, e cila ka mbi gjysmë shekulli, që ecën krahë meje. Për vargjet e mia ajo vuan pothuajse si unë.”- Shkruan në hyrje të librit Dritëro Agolli.

Karshi poezive tjera të botuara më parë nga Dritëro Agollit, përmbledhja poetike “Prit edhe pak” në brendësi ka poezi të cilat i takojnë një niveli pak më ndryshe. Pleqërinë, Dritëroi e sheh shumë normale dhe vdekjen e pret shumë i qetë ,ai në hyrje na e definon këtë çështje: “Aspak s’e kisha menduar se do të botoja tani edhe një libër tjetër me vjersha në një kohë, kur i kam kaluar të 80-të vitet dhe kur, siç thotë Noli Milto Sotir Gurrës “Ata andej nga varrezat po na e bëjnë me sy”

Kjo përmbledhje poetike përveç se është e pasur me poezi brilante, ajo sjell edhe përjetime të bashkëshortes Sadije. Parathënia e librit është e shkruar nga ajo. Duhet vlerësuar lart përkushtimi i Sadijes që për 53 vite i qëndroi pranë Dritëroit, duke e ndihmuar në çdo aspekt. Ajo qysh në fillim e zbulon metaforën e titullit të përmbledhjes “Prit edhe pak”:

Megjithatë, duke lexuar gjithë poezitë e këtij vëllimi, të shkruara gjatë viteve të fundit, ju do të gjeni poetin Dritëro duke i thënë vdekjes:

“Prit edhe pak, se kam përsëri për t’i folur shoqërisë; dua t’i këndoj tokës, njeriut me hallet dhe gëzimet e tij, natyrës, fëmijëve, shpresës, që më jep optimizëm, për të jetuar herë-herë me dhimbje e vuajtje, jo vetëm nga pleqëria, por më shumë nga gjendja shoqërore, kudo që ndodhemi në Shqipëri apo në vende të tjera të botës, ku janë shpërndarë bashkëkombësit tanë.

Konkretisht të emërtimi i përmbledhjes mund të shohim një titull i cili është i huazuar nga poezia e Gëtes “Prit edhe pak” Shikuar në kuptimin figurativ autori lutet që dikush ta presë edhe për një kohë. E në këtë moshë kujt tjetër do ju kishte lutur përveç vdekjes. Pra krahas poezive përkushtuese të Dritëroi shohim edhe poezi të cilat me tepër na ndërlidhen më filozofinë jetësore. Autori shprehet së është i gatshëm të ikë nga kjo botë, por në realitet pena e tij nuk do të ndalet deri në frymën e fundit:

“Të gjithë i themi Tokës nënë,
Së toka na mëkon:
Dhe kurë çdo gjë ja kemi ngrënë,
E heshtur na mbulon.”

Këtë fenomen jetësor Agolli na e shfaqë në poezinë “Shpërblimi i Tokës” e cila shpalosë një ide mbi ecurinë e jetës dhe jep forcë për të kaluar në amshim.

“Prit edhe pak” përmbledhë krijime me poezi të viteve të ndryshme, ku si gjithmonë spikatë talenti dhe gjenialiteti i poetit të madh. Mes tyre ka edhe epitafe dhe testamente poetike që marrin vlera universale. Poezia e Agollit paraqet një emocion të veçantë, e mbështjellur me sarkazmë therëse dhe lirizëm muzikor ajo deperton shumë lehtë në intelektin e lexuesit:

“Këtu po prehet Dritëroi në gjumë.
Nën dhe si mëkatar dhe si poet.
Mëkate ndofta nuk do bënte shumë.
Sikur mos kishte qënë deputet.”

Epitafet janë mbishkrime mbi varr, por autori në kuptimin figurativ dhe në kontekst të letërsisë i shkruan ato për të përcjellur para lexuesve një sarkazmë e cila do të godasë si duhet në personalitetin e njeriut të sotëm.

Poezitë e vëllimit poetik “Prit edhe pak” përveç elementeve personale, kanë edhe mesazhe të forta për aktualitetin tonë shqiptar. Në të trajtohen problemet sociale, politike dhe shqetësimet e njeriut të sotëm.

Paralajmërimin se këtë vëllim Dritëroi do ja kushtonte gruas e bënë që në fillim:

E dashur Sadije,

“Të dua si jetën time, madje edhe më shumë; dëshiroj sinqerisht që unë të vdes dhe ti të jetosh. Unë edhe i vdekur, do të ndjek për të të parë buzëqeshjen tënde, megjithëse kjo buzëqeshje, brenda errësirës së varrit nuk duket, por unë do të bëj të pamundurën, qoftë edhe me anën e një fluture, që do të dalë nga kockat e mia.” Dritëro Agolli, 13 Maj 2014

Dashuria si koncept personal, por edhe universal zë një vend të rëndësishëm në këtë përmbledhje, ajo arrin ta përmbushë atë boshllëk në shpirtin e poetit. Dritëroi këtë lloj të shkrimit e vendos në sfondin e poezisë përkushtuese, e cila lidhet drejtpërdrejt me figurën e Sadijes dhe përmes sajë bartet kah universalja.

“Dashuria fillimisht është e turbullt.
Dashuron, po cilin aspak s’është e qartë,
Dhe agimi kur vjen, është i mugët,
Sendet s’kanë as formë e as trajtë.”

Motivi lirik i dashurisë zë një vend të rëndësishëm në përmbledhjen poetike “Prit edhe pak”. Autori bashkëvepron me gruan .Krahas kësaj Agolli shpalosë edhe horizonte tjera. Ai nuk mund t’i ikë tematikës krijuese të mëhershme, e cila ishte e ndërlidhur me tokën e cila i mbanë të gjallë njerëzit.

“E tillë ka lindur kjo tokë”- është një poezi e cila konstaton një fenomen natyror, i cili është real dhe nuk mund të ndryshohet. Faktori njeri është ai që e përsos dhe e ndryshon në një përqindje të vogël, këtë autori e shpalos mjaft bukur:

“Siç thotë i pari,
Je në tokë a në det
Ti je i rrethuar keq nga përmbytjet dhe zjarri:
Këtej një vullkan, andej një termet.”

“Prit edhe pak” është përmbledhje poetike që në vete ka poezi të cilat personifikojnë shumë ide e kohëra të ndryshme, për dallim nga përmbledhjet tjera të Dritëro Agollit kjo përmbledhje ka një thjeshtësi në aspektin e ndërtimit. Poezitë kanë një freski dhe mund të jenë të kuptueshme nga të gjithë.

Arti krijues poetik i Dritëro Agollit ka një vlerë të madhe, prandaj, mund të konstatojmë se poezia shqipe kishte një përfaqësues të denjët që dha shumë nga vetja e tij. Mendojmë se përmbledhja poetike “Prit edhe pak”do të lexohet dhe studiohet me një interesim të madh.

(Autorja është studente e nivelit Master në Fakultetin e Filologjisë, në Degën e Letërsisë shqipe. Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe” dhe botohet për herë të parë)./ KultPlus.com

Të ngjajshme