займ на карту онлайн потребительский кредит

Pse Qeveria e Kosovës vendosi të ndalonte xhirimet e filmit “Unë dhe Millosheviqi”

21 Janar, 2020 - 8:14 pm

Arben I. Kastrati

Skenari i filmit i përket zhanrit dramë-komedi. Ngjarja e filmit ndodhë në Kosovë, në Serbi, në Hollandë dhe në Francë. Filmi përbëhet nga një kast i mrekullueshëm aktorësh, përfshi: Gerard Depardieu, Alessandra Martines, Pamela Bowen, Ellen Birgitte Winther, Blerta Syla, Xhevdet Doda, Afrim Kasapolli etj.

Skenari i filmit, që është vlerësuar nga figura madhore të kinematografisë botërore, është mohuar nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Mbretëria e të paditurve institucional, përbëhet nga figura tragjike, që kanë nivele të frikshme të intelegjencës. Ata, kanë lindur nga një degjenerim (politik). Ata, në vazhdimësi, ushtrojnë kontroll politik në çdo lëmi. Përjashtim nuk përbënë as puna ime, që vazhdimisht vëzhgohet nga një ish-ministër, poltronist profesionist. “Dežurni” i përhershëm i punës time, ka një obligim të vetëm, ta eliminoj atë. Ai është asistenti më i devotshëm i “shefit”. E “shefi”, është një paradox i frikshëm.    

Një pjesë e madhe e filmit, do të xhirohej në ish kampin Gjerman të KFOR-it në Prizren, (Parku Inovativ), që administrohet nga Qeveria e Kosovës dhe Organizata Jo Qeveritare, GIZ. Produksioni i filmit dhe përfaqësuesit e GIZ-it, pas vizitave, matjeve dhe fotografimeve të lokacioneve (në kohëzgjatje prej një viti), ishin dakorduar për të gjitha modalitetet, përfshi dhe datat e xhirimeve. E gjithë skenografia e filmit ishte ndërtuar, në bazë të parametrave të lokacioneve të kampit, për ç’gjë, produksioni kishte marrë aprovimin dhe lejen e xhirimit, paraprakisht.        

Një javë para fillimit të xhirimeve të filmit, Qeveria e Kosovës, kishte dërguar një delegacion të sajë në zyrat e GIZ-it, takim ky që do të zgjaste përtej orarit të punës. Qëllimi i vizitës së shpurës së Qeverisë së Kosovës ishte, që përkundër marrëveshjes ekzistuese, t’i bindtte përfaqësuesit e GIZ-it, që me “vetëdëshirë” t’i ndalonin xhirimet e filmit. Gjithashtu, Qeveria e Kosovës, ju kishte dërguar Letra (Proteste), Ambasadës së Gjermanisë dhe Ambasadës së Francës, përmes së cilës i njoftonte qeveritë e shteteve përkatëse, që filmi:

““Unë dhe Millosheviqi” nga Arben I. Kastrati, ishte: film antishqiptarë, kundër shtetit të Kosovës, i financuar nga Rusia, konkretisht nga Presidenti i Rusisë, Z. Vladimir Putin, ndërsa ndërmjetës na paskësh qenë, aktori i mirënjohur, Z. Gerard Depardieu.”

Informacionin mbi epilogun e takimit dhe përmbajten e letrave, m’a dëftuan  në telefon. Nuk besoja se ç’po dëgjoja. Ishte pasdite dhe vendosa të ndërmerja një mision të pamundur, të shpëtoja projektin. Në (atë) pamundësi, kisha dy mundësi: të dështoja, ashtu siç kërkohej nga unë, ose të vdisja duke provuar të kundërtën. Lajmërova Drejtorin më të mirë të Fotografisë që ka sot kinematografia botërore, Z. Christian Berger, që së bashku me ekipin e tij dhe pasijet (tani më të siguruara), të mos niseshin nga Viena për arsye se: “…

Mora dhe habinë e tij të pabesueshme dhe u nisëm për në Tiranë. Nuk kishim as lokacione, as skenografi, as ekip filmi, as aktorë, as bileta avioni me destinim Tiranën. Kishim vetëm zotimin e Z. Depardieu (me asistentët e tij) se po vinte të xhironte, siç ishim dakorduar.

Producentja e filmit Shqipja dhe unë, kishim gjashtë ditë kohë dhe fare pak buxhet të sajonim ekipin dhe të ndërtonim të pamundurën, për të cilën duhen ekipe të tëra profesionistësh, vite kohë dhe shumë buxhet. Brenda gjashtë ditësh, duke iu falenderuar miqëve tanë në Tiranë dhe këmbëngulësisë sonë, sajuam të pamundurën dhe i përfunduam xhirimet e planifikuara.

Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të gëlltitur marrinë. Kisha kohë që kisha humbur aftësinë për të pranuar poshtrime institucionale. Prandaj, atë natë, ju dërgova një letër personazheve kryesore të kësaj historie. Në përgjigjen time, thuhet:

  • Pse duhet Qeveria e Kosovës, performanca e së cilës është për t’u qarë me vajtojca, ta vlerësoj skenarin e filmit: “Unë dhe Millosheviqi”?!!!!
  • Kush janë përfaqësuesit e specializuar në Qeverinë e Kosovës që vlerësojnë skenarët e filmave dhe pse?!!!! 
  • Ndalimi i xhirimit të një filmi, dëfton që Qeveria e Kosovës përbëhet nga polic të mendimit opozitar.
  • Në këtë sistem të quajtur Demokraci, që është larg të qenit perfekt, por që e kemi zgjedhur vet, liria e të shprehurit, është një nga garancitë themelore. 
  • Skenari i filmit” “Unë dhe Millosheviqi” nuk është kundër Kosovës, përkundrazi, është në të mirë të Kosovës. Prandaj, sikur ta financonte Presidenti i Rusisë, Z. Vladimir Putin, siç pretendoni ju, do të shkoja menjëherë në Kremlin ta nënshkruaja kontratën, para gjithë mediumeve të botës. (P.S. – Nëse keni informacion që Z. Putin ende shpreh interesim ta financojë filmin, jam i gatshëm të shkoj në Kremlin që sot dhe ta nënshkruaj kontratën, gjithmonë, duke qenë transparent dhe në prani të mediumeve).
  • Akuza që më ka bërë Qeveria e Kosovës se unë qenkam antishqiptar, është sikur të akuzosh Papën se është mysliman.
  • Z. Gerard Depardieu, të cilin padrejtësisht dhe qëllimisht e keni akuzuar si të deleguarin me mision nga Z. Putin, është aktor aq i vlerësuar botërisht, sa që s’kam nevojë të bëjë biografin e tij. Ai duhej të vinte në Kosovë të xhironte, gjë që do të përbënte lajm. Prandaj, mëse dyzetë mediumeve të vlerësuara ndërkombëtare, kishin prenotuar ardhjen e tyre në Kosovë. Unë nuk u ktheva përgjigje mediumeve, që ta mbaja arsyen e vërtet të zhvendosjes së xhirimeve, të fshehur. Që ta ruaja Kosovën nga turpi.    
  • Ish Ambasadori Françez në Kosovë, kur kuptoi që krenaria Françeze,  Z. Depardieu do të vinte në Kosovë të xhironte, punën time e quajti, “nderë për Kosovën”, sepse si rrallë herë, një lajm i mirë nga Kosova, do të dërgohej në botë. Por, Kosova vendosi ta dënonte dhe dëbonte, lajmin e mirë.
  • Z. Depardieu nuk erdhi në cilësinë e të deleguarit të Z. Putin, por në cilësinë e aktorit, të xhironte skenarin që e vlerësonte shumë. Ai erdhi, xhiroi, la gjurmët e madhështisë së tij dhe iku. Ai nuk i komentoi as fyerjet shqiptare dhe as ofendimet serbe. Sepse qëndron lartë, shumë lartë mbi marritë primitive të të dyja palëve.  

Përkundër faktit që një sërë politikanësh të fuqishëm, të kamur, vendimmarrës, të frikshëm por të mjerë që merren me pastrimin e njerëzve të kulturës dhe të dijes, dhe një numër i madh “artistësh”, i bashkuan forcat kundër një projekti filmik. Filmi nuk dështoi. Dhe as që ka për të dështuar. Dështuan të gjithë ata, që u mobilizuan ta ndalojnë filmin. Ata, arritën të dëshmonin “artin” e tyre të madh që i karakterizon, vogëlsinë dhe mjerimin e tyre.

“Quell horreur”.

Kur ngjizen mjerimi dhe turpi, krijohet Qeveria e Kosovës, dhe “artistë” të shumtë. Shpresoj të mos shtohen. Sepse asgjë nuk vjen nga asgjëja. /KultPlus.com        

Të ngjajshme