Pse sot nuk respektohet mësimdhënësi si autoritet?

7 Dhjetor, 2020 - 10:26 pm

Shkruan Labinot Kunushevci

      Mënyra se si sillet një shoqëri me mësimdhënësin, tregon shumë për kulturën e asaj shoqërie. Por a jemi ne një shoqëri që nuk e respektojmë profesionistin dhe ekspertin si autoritet, duke u munduar ta sfidojmë, ta gjunjëzojmë, ta fyejmë e degradojmë, për shkak të ambicieve, papërgjegjësisë, mungesës së vetëdijes dhe koncepteve të gabuara që i kemi për ta?

      Një shoqëri që i komprometon profesionistët e i ngritë demagogët, që i rrënon ligjet e i mbulon gabimet me improvizime. Pa informacione, plot konfuzione. Pa fakte, plot iluzione.

      Pyetjes ”çka është shteti?”, i përgjigjet duke përmendur emra politikanësh, presidentin e kryeministrin, qeverinë e ministrat. Mendon se shteti lidhet me politikanin, me qeveritarin, me pushtetin. Thuase shteti është pronë e tij e ai është pronar i shtetit. Kur shteti bëhet sinonim i emrit të kryeministrit, i pushtetit që dikton e jo i kryeshërbëtorit që shërben, aty veç shtet nuk ka. Aty ku shteti nuk merr frymë nga ngufatja e pushtetit të pangopshëm.

      Kjo tregon që njerëzit e votojnë liderin, figurën, protagonistin, karizmatikun, popullistin. Ata krijojnë iluzione për të dhe e glorifikojnë deri në adhurim dhe shenjtërim absurd. Ata vuajnë për ta bërë një fotografi me një lider, për ta shpërndarë dhjetëra herë në rrjete sociale. E sidomos nëse ai lider është pak karizmatik e elokuent, apo ka pak pushtet e fuqi, shkrihen pas tyre. E harrojnë historinë e skandaleve pas krekosjes me afërsinë e ”të pushtetshmit”.

      Disa e bëjnë të paprekshëm, e shpallin të pagabuar dhe i linçojnë e i kërcënojnë krejt ata që mendojnë ndryshe prej liderit. E përdorin emrin dhe kauzën e tij sa herë ata kanë interes. Dhe mundohen të krijojnë opinion të rremë, artificial, të imponohen në shoqëri, duke fituar ”respekt” dhe ”prestigj”, për shkak se janë ”të afërt” me një lider partie. Dhe shoqëria primitive i jep pëlqime e komente, ia ushqen iluzionin që e ka krijuar për të, e nderon në mënyrë të veçantë për diçka të paveçantë. Ndërsa kur takohen me ndonjë politikan apo zyrtar publik, servilohen para tyre. Kjo tregon mungesë totale të integritetit.

      Nuk votojnë për programe e platforma, nuk votojnë për strategji apo plane afatgjate, nuk votojnë për zgjidhje të problemeve shoqërore, për përmirësim të cilësisë së sistemit e për reforma në shoqëri, për efikasitet e vetëdije institucionale, për cilësinë e shërbimeve publike, nuk votojnë për të ardhmen dhe fatin e fëmijëve të tyre. Jo. Kjo nuk është vota dominuese në Kosovë.

      Pra, nuk votojnë për një qeveri që i garanton të drejtat e njeriut; që garanton përmirësimin e cilësisë së arsimit; krijimin e kushteve shëndetësore; lehtësime në krijimin e bizneseve; ngritjen e standardit të ekonomive familjare; që i qaset me një strategji mjedisit, natyrës, ajrit, deponive ilegale, florës e faunës; që i lufton dukuritë negative dhe nuk bën kompromis me ligjin. Mentaliteti primitiv i qytetarit nuk e ka këtë diskurs dhe kërkesë.

      Ata votojnë për një pagë, për një vend pune, për një përfitim material, për hir të njëri-tjetrit, në emër të grupeve e klaneve, dhe mashtrohen lehtë nga deklaratat, premtimet e fushatat ”mbresëlënëse”. Ata ndikohen nga turma sepse janë shoqëri e turmave. U duartrokitin liderëve, jo ideve.

      Të marrim shembullin e mësimdhënësit. Pse ai sot nuk është autoritet i respektuar në shoqëri, madje as në vetë shkollën ku punon? Ku mbeti prestigji, autoriteti dhe privilegji i të punuarit si arsimtar ose profesor, si edukator i gjeneratave të reja? Kurse sot edukimi si mision është shndërruar në një profesion teknik, që fillon e mbaron në një kohë të caktuar, si detyrim që kompenzohet me pagë në fund të muajit.

      Ne kemi votuar për 20 vjet qeveri injorante, që nuk e dinë peshën e arsimit dhe kulturës. Dhe kjo qeveri çdo herë ka caktuar ministra të kulturës e arsimit njerëz që nuk kanë lidhje me kulturë e arsim, por që u shërbejnë ”besnikërisht” qeverive dhe agjendave politike. Duke qenë vetë të paaftë, pa mbështetje të qeverisë, natyrisht që këta s’kanë mundur të bëjnë ndonjë ndryshim pozitiv. Sepse nuk bëhet ndryshimi pa e pasur mbështetjen e një qeverie e cila i ka të gjitha kapacitetet politike, profesionale e morale. Me njerëz të komprometuar nuk rregullohet as arsimi e as kultura, dy institucionet më të rëndësishme të një shoqërie moderne.

      Barra më e madhe ka rënë në përgjegjësinë e mësimdhënësit, i cili duhet të punojë në kushte mjaft të vështira sepse udhëhiqet prej një sistemi improvizues në arsim. Këtu ka improvizim arsimor, jo strategji arsimore. Duke u ofruar nxënësve vetëm ngarkesa shkencore, pa u plotësuar nevojat për kulturë dhe shkathtësi për jetë.

      Po çka i duhet një shoqërie një nxënës që synim ka vetëm numrin, suksesin shembullor, ku në çdo lëndë duhet ”domosdoshmërisht” të ketë nota të njëjta (5)? Ku prindi e thërret arsimtarin në telefon dhe e qorton duke i thënë se vajza apo djali im gjithmonë notat i ka pasur 5 (pesë), e vetëm te lënda jote e ka marrë 4 (katër)?

      Pra, duke tentuar që t’i sigurojnë notat në libreza e dëftesa sipas iluzionit, mirëpo duke mos e shkathtësuar fëmijën e tij në ndonjë lëndë apo profil të veçantë, duke mos ia zbuluar talentin dhe prirjen e tij, duke e mos e shtyrë aty ku ka më shumë motiv dhe sukses – por në mënyrë robotike njësoj gjithkund, në fakt, i aftë askund. A s’është ky mjerim? Aty ku vlerësimi dhe testi shihet si detyrim dhe ngarkesë stresuese, jo si matje e rezultateve dhe progresit të arritur. Pastaj duke u krekosur me notat shembullore përmes publikimit në Facebook. E pas nëntë viteve të shkollës fillore, ku është më shumë i orientuar fëmija i tij dhe mbi cilën prirje do ta orientojë në shkollë të mesme? A ka ky prind përgjigje?

      Raporti i shumë prindërve me mësimdhënësit e fëmijëve të tyre nganjëherë është jokorrekt dhe jo i rregullt sepse jo pak raste në Kosovë ndodhin që, një nga mënyrat nëpërmjet së cilave mësimdhënësi degradohet dhe sulmohet, vjen edhe nga prindërit e papërgjegjshëm, të cilët vazhdimisht kanë ankesa e kërkesa absurde, ku nuk i kursejnë as kërcënimet ndaj mësimdhënësve, ku shfrytëzojnë lidhjet nepotiste e politike që kanë në institucione publike për ndikime apo presione në dëm të shkollës apo të mësimdhënësve, e deri te konfliktet e krijuara, të improvizuara e të inskenuara.

      Ndërsa, në anën tjetër, janë mjaft indiferentë, nuk marrin përgjegjësi për sjelljet dhe rezultatin e dobët të fëmijëve të tyre dhe bëhen shumë jobashkëpunues, duke shpërfillur trekëndëshin pedagogjik prind – mësimdhënës – fëmijë. Si për ironi, dështimin e tyre ia faturojnë mësimdhënësit duke i kërkuar llogari. E madje edhe përzihen në kompetencat e vlerësimit që janë ekskluzive të mësimdhënësit.

      Ky është realiteti, i cili, në mungesë të mbështetjes nga institucionet, duke filluar nga menaxhmenti i shkollës e deri në nivelet komunale e ministrore, vetëm po prodhon e riprodhon pasoja. E kjo ndodh më shumë në ato shkolla që për pozitën e drejtorit janë zgjedhur njerëz në baza partiake – drejtorë me merita dhe argate politike, të lidhur ngushtë me kryetarët e komunave dhe partitë komunale në pushtet, të cilët nuk tregojnë kolegialitet, bashkëpunim, motivim, që nuk marrin masa për menaxhimin e problemeve të shkollës, nuk i shfrytëzojnë kompetencat dhe kapacitetet e nevojshme, nuk i trajtojnë nxënësit problematikë dhe problemet e delikuencës, tregohen autoritarë dhe arbitrarë – të njëanshëm për mësimdhënësit – për disa privilegjues e për disa diskriminues.

      Të prirur t’i keqkuptojnë dhe paragjykojnë kërkesat dhe ankesat e mësimdhënësve dhe të paaftë për t’i zgjidhur problemet dhe konfliktet potenciale, duke ushqyer rivalitete në grupe të caktuara. Drejtorë të tillë akuzojnë vazhdimisht mësimdhënës të devotshëm e joservilë, që kanë integritet moral dhe profesional, duke u kërkuar llogari dhe përsosmëri në punë në kushte të pafavorshme, injoruese, kërcënuese e degraduese, ndërsa harrojnë se si kanë ardhur vetë në ato pozita të pamerituara, ku vetë atyre u ka humbur autoriteti para nxënësve, paradoksalisht të dominuar nga mediokriteti profesional, nga kompleksi i superioritetit dhe injoranca e thellë, të ”legjitimuara” në mënyrë të paligjshme, nga pushtete të komprometuara. Normalisht duke mos e përjashtuar faktin se ka një numër të vogël drejtorësh që i menaxhojnë shkollat në mënyrë shumë profesionale dhe korrekte.

      Një sistem që i ka reduktuar dhe kufizuar kompetencat e mësimdhënësit deri në pikën ekstreme ku mësimdhënësi edhe nëse fyhet nga ndonjë nxënës, siç shohim raste nganjëherë, ai nuk guxon të reagojë në mbrojtje të dinjitetit të vet dhe ta ndëshkojë nxënësin. Aty ku s’funksionon mekanizmi i ndalesës dhe ndëshkimit.

      Mësimdhënësi sot është i sulmuar dhe i pambrojtur nga të gjitha anët. Mëkati ndaj mësuesit është mëkat që s’falet. Vetëm nëse i referohemi trajtimit të mësimdhënësve të viteve ’90-të, që punonin pa paga, në kushte okupimi, në shtëpi-shkolla, shohim sa jonjerëzore dhe jomorale ka qenë zhvatja dhe injorimi për një kohë të gjatë i kompensimit të kontributit të tyre nga Qeveria e Kosovës, ndonëse filloi dikur vonë, tek në fund të vitit 2019.

      E të mos flasim për format e tjera, si komedia kosovare për shembull, që gjithmonë rolin dhe portretin e mësimdhënësit në Kosovë e paraqet si një mësues primitiv, provokues, të padijshëm, ekstremisht lojal, që i thyen parimet e veta, që përdor zhargon dhe gjuhë vullgare.

      Ose në rastin e përhapjes së pandemisë globale Covid 19, ku preku edhe Kosovën në muajin mars 2020, që po vazhdon edhe sot, ku përderisa rastet e para të infektimeve zbuloheshin në disa shtete evropiane – shkurt 2020, kohë kur unë fillova të shkruaja librin tim të dytë pjesë e së cilit është ky artikull, u shfaq një virus i fshehtë me pasoja të paparashikuara. Prandaj, për shkak të ruajtjes së shëndetit publik, u pezullua mësimi i rregullt në gjithë Kosovën, ndërsa u aplikua alternativa e mësimit online. Disa mësimdhënës nga e gjithë Kosova, në mesin e tyre edhe unë, në kushte pandemie e rreziku të shëndetit publik, por me vullnet dhe entuziazëm të madh, përveç obligimeve të rregullta në shkollë, morëm edhe detyra shtesë dhe nuk ngurruam të jepnim kontributin tonë, duke iu përgjigjur formës së organizimit të mësimit online nga Ministria e Arsimit dhe Drejtoria e Arsimit në Prishtinë, gjë i cili vazhdon edhe sot të realizohet dhe transmetohet në Radio Televizionin e Kosovës, por që vetë Ministria e Arsimit nuk po tregohet mirënjohëse dhe korrekte ndaj kontributit të ligjëruesve dhe mësimdhënësve.

      Madje, në muajin shtator të këtij viti, para fillimit të xhirimeve të reja, Ministria e Arsimit organizoi një trajnim lidhur me përdorimin e Zoom-it në inqizimin e video-ligjëratave, ku trajner ishte një regjisor teatri, i cili me kompleksin e tij të superioritetit, gjatë trajnimit nuk arriti të bëj asgjë tjetër pos t’i nënçmojë e ofendojë mësimdhënësit për mënyrën se si ata ligjëronin. Ndërsa në takimin që kisha me shefin e kabinetit të ministrit, më 7 dhjetor, ku pjesëmarrës ishin edhe mësimdhënës tjerë, në ambientet e Fakultetit të Edukimit, me ironinë e tij, gjoja në shenjë solidarizimi, na thoshte se nuk duhet lejuar askënd që t’i nënçmojë mësimdhënësit. Ndërsa unë i thash se pikërisht ju i keni fajet si institucion sepse ju i keni krijuar dhe imponuar rrethanat e nënçmimit sepse i keni detyruar mësimdhënësit të shkojnë në një trajnim ku trajner është një person që mendon se shkolla është teatër dhe i cili nuk ka lidhje me pedagogji. Për këtë arsye ai ofendon sepse nuk arrin ta kuptojë rolin, mundësitë dhe kreativitetin e mësimdhënësit, në rrethana krejt të jashtëzakonshme pandemie.

      Kur një pastrues i një institucioni, një roje apo shofer i një politikani, merr pagë më shumë se një mësimdhënës që edukon gjenerata, çka pritet prej asaj shoqërie? Një sistem i cili eksperimenton me arsimin duke i përdorur mësimdhënësit si instrument. Mos të flaim për procesin e pranimit të mësimdhënësve të rinj, se çfarë gare jokorrekte organizon Komuna e Prishtinës në konkurset publike, ku në shumicën e rasteve pranohen mësimdhënës në baza nepotiste dhe politike.

      Mësimdhënësit sot nuk përfaqësohen denjësisht në asnjë institucion, madje as në sindikatë. Më shumë se ngritje koeficienti meritojnë dinjitet, siguri, mbrojtje, kushte pune, meritokraci, motivim, korrektësi, mirënjohje.

      Me të drejtë eruditi i Rilindjes Kombëtare thoshte se nëse do të mbjellësh për një vit, mbill misër edhe grurë. Nëse do të mbjellësh për tërë jetën, mbill arsim dhe kulturë./ KultPlus.com

Të ngjajshme