Quo Vadis

21 Mars, 2020 - 8:23 pm

Ekspozitë e artistes Adriana Sedaj, e shfaqur ditë më parë në Galerinë e Fakultetit të Arteve – Prishtinë.

Në gjykimin tim, ekspozita e krijueses – tashmë me një artikulim të verifikuar, Adriana Sedaj, e titulluar ”Quo Vadis”, do që të trokasë mbi rrethanat dhe paragjykimet jetike karshi portretizimit të bërthamës femërore, përkatësisht, rreth karriges së nxehtë, e cila, për nga forma dhe përmbajtja, do të qëndrojë brenda vibrimeve të skajshme magnetike. Ndërsa, çelësi i të vërtetës ideore do te ngelej mister i një shoqërie të hermetizuar, që ka pretendime për të depërtuar nëpër damarët e ngushtë të thelbit të bërthamës së gruas, për të tejkaluar këtë ambient që përfytyrohet si i kontaminuar. Moduli me të cilin tematikisht piktorja paraqitet para publikut të Prishtinës, përkon dhe projektohet me rrjetën e merimangës, në relacion me të qenunit gjykatës i përpëlitjeve gjinore, e cila, në qelizat e vrojtimit dhe mendimit, do të përthithë substanca narkotike, për të ushqyer egon e një mendësie të izoluar, meqë, moduli ideor, ka të bëjë me bërthamën e plleshmërisë femërore.

Andaj, me shpresë dhe me besim në kulturën artistike të autores, nuk do donim ushqyer gabimisht kujtesën, mbamendjen, detyrimin prindor, social e biblik, karshi fenomeneve të caktuara shoqërore, që mund të jenë të diagnostifikuara me alfabetin diabetik, gjersa nën vetullat e vëzhgimit të tyre, strehojnë brushën e abuzimit, në të kundërt, ky momentum artistik, do të ishte recetë për të ikur nga yndyra e gjykimit provincial karshi unit të femrës shqiptare, përkatësisht, karshi vagonit të botës femërore këtu e në botë, kudo, ku nuk respektohet mjaftueshëm, gjinia femërore. Në këtë syzhe ideor, gjykoj se përroji i saj vërshues, do të ndërthurej me kapërcimet e gardhit të mendimit krahinor, e provincial! Andaj, veprën e Adrianës, duhet parë me optikën e një mesazhi të qëndisur artistik, së dyti, si brum unik, se treti, si gjetje universale dhe së fundmi, si pikë reference në relacion me gjendjen emocionale, me perjetimet dhe përshkallëzimet që i bëhen frutit të pemës, nga e cila mund të bartet fetusi gjinor e rasor! Pra, pa u ndikuar emocionalisht apo nga logjika hermetike, le t’i japim hapësirë mendimit të lirë, për të rrjedhur lëngshëm fabula nëpër vargun poetik, për të ngelur e lëngshme në kapërcimet e kurthit të barazisë gjinore! Ekspozita e artistes Adriana Sedaj, në kontekstin meditativ, mund të interpretohet si vepër unike brenda një shoqërie relativisht të re e cila ka vullnet për të kapërcyer vetveten, megjithatë, ende duhet varguar me mendje të lirë, që të kuptimësohet figura e gruas në shtëpi, në rrugë, apo në ambiente të tymuara! Autorja, do të thurë medalionin e saj me qaforen e ambicjeve mashkullore, njëherësh përbiron nëpëmes rruazave të saj, qëllimin për gjunjëzimin, meqë, nuk ka mjaftueshëm guxim qytetar, për ta shartuar në percepcionin tonë real sythin e saj, ku do të buronte lëngu i etjeve të mëdha, për të krijuar gurthemelet e një shoqërie të përparuar. Është rast frymëzues, ndërsa, veprat e saj do ti gjykonim si bazament filozofik, si poezi erotike, apo momentum artistik, por, asesi, nuk duhet që ta gjykojmë si mendjemadhësi artistike, përkundrazi, ky planet artistik, në vetvete, dhe brenda qiellit ideor, është i mbushur me xixa që ndriçojnë mendje dhe që reflekton dëshirën për një dashuri dhe një paqe të qëndruar për secilin nga ne! Mesazhet janë të fshehura në minimalizmin e vrullit të prushit, të brushës së saj, ekspresiviteti shpirtëror shfaqet si vullkan që shpërthen njëherë, por jo vetëm njëhëre. Zjarri i saj ngelet si peshqesh për shëndetin tonë! Pra, është ekspozitë paqësore, dhe ka një transparencë të detajuar sa abstrakte po aq reale, brenda një estetike të rafinuar dhe të balancuar, në aspektin e koloritit ideor. Pra, kemi të bëjmë me një format që trokëllen mbi kalldërmat e një shoqërie të përgjumur, do të thoshte poeti ynë tashmë i përjetësuar – Ali Podrimja.

Naser Shatrolli |Kurator

(Me këtë tekst recensional autori ka bërë hapjen e ekspozitës së artistes Adriana Sedaj)  /KultPlus.com

Të ngjajshme