Rëndësia e edukimit seksual dhe riprodhues në eliminimin e mendësisë tradicionale – paragjykuese

16 Mars, 2019 - 6:00 pm

Hera Luma

Në shoqërinë tonë kosovare ende ekziston stigma për të folur rreth zhvillimit dhe mbrojtjes seksuale, pasi që vetë tradita dhe kultura e ka klasifikuar gjithnjë këtë temë si diçka për t’u turpëruar. E një situatë e tillë paraqet shqetësim më të madh kur edukimi dhe informata nuk përcillet nga vetë institucionet kompetente të kësaj fushe, siç janë institucionet arsimore dhe shëndetësore.

Sikur të ofrohej një edukim për shëndetin seksual, të drejtën riprodhuese, rëndësinë e kujdesit dhe pasojat shëndetësore në rast të mospërfilljes së këtyre, shoqëria jonë do të ishte më e vetëdijshme dhe nuk do të përballeshim në përditshmëri me lajmet të cilat tregojnë se si ekzistojnë shifra alarmante të abortit në klinika të palicencuara. Sipas Preportr nga 122 klinikat gjinekologjike të cilat gjenden në Kosovë vetëm 5 nga ato kanë licencë për të realizuar abort(Leonida Molliqaj, 2016, Turpi mbi Turpin), dhunime seksuale që shënojnë mbi 13 raste në dy vitet e kaluara ndaj të miturve dhe mbi 60 raste të pedofilisë në vitin 2018, keqpërdorime seksuale nga partnerët, rritja e numrit të shtatëzanive të padëshiruara dhe vdekjet e grave disa orë pas lindjeve.

Të gjitha këto ngjarje tregojnë se sa e madhe është hapësira sa i përket njohurisë lidhur me të drejtat themelore të personave dhe sa shumë është prezente mendësia që këtë temë e trajton si tabu. Andaj, në orën e biologjisë nuk duhet të anashkalohet mësimi ku shpjegohet për shëndetin seksual dhe riprodhues, personeli shëndetësor duhet të japë informata mbi te drejtën riprodhuese dhe efektet shëndetësore lidhur me aktivitetin seksual edhe tek personat të cilët nuk janë të “martuar” dhe prindërit duhet t’i diskutojnë këto tema me fëmijët.

Kornizat ligjore sa i përket Ligjit për të Drejtën Riprodhuese, parashohin që çdo njeri e gëzon të drejtën që t’i ofrohet një edukim dhe informim gjatë të gjithë ciklit jetësor, mirëpo praktika tregon se institucionet gjithnjë e më shumë po i japin hapësirë përforcimit të normave tradicionale dhe kulturore, duke mos punuar mjaftueshëm që ligjet të funksionojnë ashtu siç duhet. Përmirësimi i pozitës aktuale të shoqërisë tonë sa i përket edukimit për shëndetin seksual dhe të drejtën riprodhuese mund të arrihet me anë të eliminimit të mendimit se një diskutim i tillë është “turp”, prandaj avokimi mbi këtë çështje duhet të vetëdijesojë organet ekzekutive dhe legjislative për të ofruar politika me anë të së cilave do të përmirësohen shërbimet mbi shëndetin riprodhues, mbrojtjen seksuale dhe edukimin seksual.

Organizata “Gruaja Bashkëkohore” në Prizren, implementoi projektin: “Stigma e shoqërisë mbi seksualitetin”, mbështetur nga Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK) dhe financuar nga Austrian Development Agency(ADA), ku u mbajtën takime me vajzat e reja me qëllimin rritjen e vetëdijes për rëndësinë e shëndetit seksual dhe riprodhues, ngacmimet e dhunën seksuale.

Hera Luma studion Shkencën Politike dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare. Ajo është një aktiviste dhe punon si projekt menaxhere në organizatën Nevo Koncepti.

Përmbajtja e këtij botimi nuk reflekton qëndrimet e implementuesve apo të donatorëve./ KultPlus.com

Të ngjajshme