Roland Qafoku: Ismail Kadare apo Dritëro Agolli?

20 Tetor, 2020 - 1:03 pm

Nga Roland Qafoku

Shqipëria është një komb shumë i vogël për të pasur një shkrimtar të kalibrit të Ismail Kadaresë. Por Shqipëria është një komb po aq i vogël për të pasur veç tij edhe një poet dhe shkrimtar tjetër si Dritëro Agolli.

Kadareja si monark i letrave shqipe dhe Agolli si patriark, mbeten pa dyshim produkti më i mirë dhe unikal i së njëjtës periudhë në historinë e letërsisë shqipe. Por, kur dy talentet më të mëdha të shekullit të 20-të shpërthyen, mori udhë edhe një debat se cili është më i miri, Ismail Kadare, apo Dritëro Agolli.

Cili është më i pëlqyeri? Cili është më përfaqësuesi? Cili është më i njohuri ndërkombëtarisht? Cili është më i vlefshmi dhe cili është mbreti dhe cili është princi i letrave shqipe? Nuk besohet se e njëjta pyetje mund të jetë drejtuar kaq shpesh për dy shqiptarë bashkë?

Më kujtohet në shkollën e mesme se një nga debatet më naive që bënim me njëri-tjetrin mbështetej pikërisht te këto pyetje. Klasa ndahej në dy grupe që kuptohej qartë se shumë lehtë mund të ishte edhe me Kadarenë, por po aq lehtë mund të ishte edhe me Agollin. Sot kuptoj se e vetmja ndarje klasore që ndodhte në atë kohë në shkollë ishte nëse ishte në “klubin” e Kadaresë apo në të Agollit, dhe këtu futej edhe numri i librave me këta dy autorë që kishte lexuar secili nga ne.

Për disa, Kadare ishte më klasik, më i epërm, më me sqimë, më me ndjenjë, aq sa ishte pothuajse turp të mos dije përmendësh vargjet e tij dashurore “Ca pika shiu ranë mbi qelq/ Dhe unë për ty se ç’ndjeva mall./ Jetojmë të dy në një qytet./ Dhe rrallë shihemi, sa rrallë.” Apo të tjera akoma më me ndjenjë: “Jo nuk kish si ndodhte ndryshe/ Të ndodhte ndryshe s’kish se si./ U desh të zhdukeshin përbindshat/ që në këtë botë të vije ti”.

Për të tjerë, Dritëro Agolli ishte i shkrirë me masat, ishte më popullor, më me këmbë në tokë aq sa i jepnin të drejtë me vargjet e tij “Po Devoll, i tillë qenkam unë/ paskam marrë baltën tënde arave/ në një trastë leshi, ndënë gunë/ për t’ia sjellë Lidhjes së Shkrimtarëve.” I fliste kombit, gurëve, kafshëve, pemëve dhe të gjithë i dinim përmendësh vargjet: Nënë Shqipëri/ Mblidhen rreth teje burrat me thinja të lashta/ Mblidhen rreth teje vajzat dhe djemtë si zogjtë/ Me tokën tënde në duart e ashpra/ Me hekurin tënd në supet e fortë/. Por sa lart e ngrinte dashurinë Agolli nga Devolli, kur i thurte vargje nga Stambolli, bashkëshortes, Sadijes: E ku ta lija një lanete/ Një xhinde Shkodre, një kaproll./ Ajo me not do çante dete/ Dhe do më gjente n’Anadoll.

Më dukej si një lojë fëminore në atë kohë, por që nuk dukej edhe aq kur mësoja se një debat i tillë zhvillohej edhe në shkolla të tjera, në universitete, e deri tek institucione dhe grupe shoqërore. Edhe vetë shteti komunist e nxiste këtë duel. Herë i ngrinte në qiell të dy, e herë u fuste ndonjë kopaçe po të dyve, aq sa në mënyrë vulgare kryeministri i asaj kohe Mehmet Shehu tha në një takim: “Ju jeni dy shkrimtarët më të mëdhenj të Shqipërisë. Ty Dritëro dhe ty Ismail, Partia ju ka si dy qe që lërojnë tokën, por që herë pas here u çpojmë që të lëroni sa më mirë.” Dhe shpim për diktaturën ishte ndalimi i botimit të veprave. Ai ndodhte rregullisht, edhe me Ismailin edhe me Dritërorin dhe po aq rregullisht ata ngriheshin në qiell. Vetëm me një ndryshim: Ngritja në qiell vinte më shumë nga populli, se shteti i survejonte në çdo drejtim. Leximi i veprave të tyre ishte si një ngjarje. Librat e tyre, në fakt, nuk lexoheshin, ata përpiheshin. Ishte e vetmja arrati dhe i vetmi argëtim real në atë diktaturë.

Por ç’duhet të themi sot për Ismail Kadarenë dhe për Dritëro Agollin? Ç’duhet të themi, kur Kadareja pothuajse e ka mbyllur krijimtarinë e tij dhe nga lartësia e afër 85 viteve të jetës shijon pleqërinë e thellë, ndërsa Dritëroi, që nuk jeton më, e ka emrin i të skalitur në piedestalin e letërsisë sonë për gjithë prodhimtarinë e tij? A duhet të vazhdojmë me konkurse cili është më i miri? A duhet t’i ndajmë siç ndahemi në tifozë partish, apo duhet të kënaqemi që letërsia jonë nxori si kurrë më parë njëherësh dy talente, secilin me veçantinë e vet?

Po vetë ata me njëri-tjetrin si janë sjellë? A kanë pasur rivalitet? A ka pasur duel talenti i tyre? A e kanë vlerësuar njëri-tjetrin? A kanë qenë xhelozë? A janë grindur? A kanë pasur qejfmbetje?

Sigurisht që marrëdhëniet e tyre kanë pasur ulje-ngritje. Herë miq, e herë pa folur për vite të tëra. Por, ama madhështia e tyre është parë në shumë aspekte. Ka një sjellje kalorësiake të Ismail Kadaresë në vitin 2006, teksa shkroi në kapakun e librit të Dritëro Agollit, Zhurma e erërave rë dikurshme, fjalët: ‘Një nga librat më të mirë të kohës’. Libri u ndalua dhe u hoq nga botimi në vitin 1964 dhe pas 42 vjetësh, u ribotua denjësisht, duke pasur në kopertinë edhe këtë shënim të Kadaresë.

Edhe më kalorësiake është sjellja e Agollit tre vjet më vonë. Unë kërkova t’i merrja një prononcim, kur në vitin 2009 Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve i ishte drejtuar institucionit “Nobel” në Suedi që edhe Dritëro Agolli të ishte kandidat për çmim, krahas Ismail Kadaresë. Përgjigjja e Agollit ishte unikale: Shqipëria dhe letërsia shqipe ka vetëm një kandidat për çmimin “Nobel”. Ai është Ismail Kadare.

Kjo ishte në të gjallë të Dritëroit dhe nuk është pak. Por se çfarë vlerësimi kishte dhe ka Ismail Kadare për Dritëro Agollin është përjetimi që pati kur mësoi vdekjen e tij më 2015: “Ishte ndër lajmet më tronditëse. Jo vetëm për mua, por edhe për njerëzit e artit e gjithë shqiptarët. Dritëro Agolli do të na mungojë të gjithëve”, u shpreh ai. Ndoshta Kadareja duhet ta ketë kaluar në mendje ato çaste të gjithë historië e marëdhënieve me të, por më shumë besohet se duhet të ketë kujtuar kur në vitin 1993 Kadare u kthye për herë të parë nga Parisi, pas arratisjes, dhe në Rinas e priti pikërisht Dritëro Agolli. Sot pak e kuptojnë këtë, por në Shqipërinë e asaj kohe, kur një pjesë e quanin ende Kadarenë armik të popullit, kjo ishte sërish sjellje kalorësiake.

Po ç’ishte kjo rastësi në letërsinë shqipe që të rriteshin njëkohësisht dy korifenj “high profile” si Ismail Kadare dhe Dritëro Agolli? Të dy bashkë në një shkollë në Gjirokastër dhe të dy bashkë shkruan vjersha dhe tregime në këndin e shkollës. Të dy bashkë nisën të shkruajnë në gazetat “Zëri i Rinisë” dhe “Letrari i ri”. Të dy bashkë në Universitet në Tiranë. Të dy bashkë me studime në Rusi. Të dy bashkë gazetarë në Tiranë. Të dy bashkë talente që shpërthyen që në rininë e hershme. Të dy bashkë morën vlerësime për romanet dhe vjershat e tyre dhe të dy bashkë u goditën dhe iu ndaluan libra. Dritëroi e ka treguar vetë këtë me një pasazh që tregon shumë:

“Eshtë e vërtetë që ne të dy kemi pasur edhe shumë fate të përbashkëta në fushën e krijimtarisë. Mua, në mesin e viteve ‘60, m’u ndalua libri “Zhurma e erërave të dikurshme”. Por edhe Kadaresë iu ndalua novela “Përbindëshi”, “Netë kafenesh” etj. Madje, ne shpesh kemi këmbyer me njëri tjetrin edhe tema të ndryshme. Njëherë, unë njihja një piktor të Shkodrës. Dhe ai kishte bërë një pikturë nudo. Nëna e tij e kish mbuluar pikturën me një perde apo mbulesë, sepse atje shkonte hoxhë efendiu i qytetit dhe mund të dukej si skandal i madh. Kur veja unë atje, e gjeja gjithmonë të mbuluar. Unë doja ta bëja vetë tregimin, por një ditë i them Ismailit, “ti mund ta bësh këtë tregim më të mirë se unë”. Dhe ia dhashë si subjekt. Ai e shkroi. Duke nxjerrë një tregim shumë të mirë. Pra, nuk ishim fanatikë në këtë anë”.

Aaa. Edhe një detaj intim. Bashkëshortja e Dritëroit, Sadija, ishte shoqe e ngushtë e Elenës dhe në dasmën e Ismailit Dritëroi ishte caktuar kryekrushk. Aty u njoh me Sadijen e cila u bë shoqja e jetës. Dhe të katërt ishin për dekada miq të mirë, komshinj të mirë.

Në kulmin e diskutimeve përse nuk po i jepej çmimi Nobel Ismail Kadaresë dhe kur një takëm shqiptarësh lumturoheshin me këtë, Dritëro Agolli tha:

“Është një nder i madh që Kadareja të marrë çmimin “Nobel”, sepse, me sa shoh, edhe në botë nuk ka figura të mëdha sot që të konkurrojnë me Kadarenë. Ndonjëherë, ky çmim u jepet njerëzve që për ne janë të panjohur. Pra, ai që thotë se Kadaresë nuk duhet t’i jepet çmimi “Nobel” nuk e njeh letërsinë”.

Shpesh marrëdhënia e tyre të jepte përshtypjen se të dy bashkë ishin si dy drejtëza paralele që zgjateshin e zgjateshin, por asnjëherë nuk takoheshin. Dhe herë të dy bashkë dukeshin si heronjtë e Homerit që herë ziheshin e herë pajtoheshin.

Agolli e ka treguar vetë qejfmbetjen e madhe: “Kanë qenë 2-3 momente të tilla. Një herë për poemën “Pashallarët e kuq”, ku edhe unë isha koshient se ajo nuk shkonte. Edhe vetë ai mund të dëmtohej rëndë nga ky botim. Për mua, unë mendoj edhe sot se kjo poemë më mirë të ishte zhdukur e të mos ishte fare as në arshivë. Kjo ishte përplasja e parë. Një rast tjetër ishte diskutimi për “Nëpunësin e pallatit të ëndrrave”.

Mua në atë kohë, me orientim nga Komiteti Qendror, më erdhi se këtu aludohej për shumë gjëra në lidhje me funksionim e politikës aktuale. Vetë Kadareja reagoi dhe kundërshtoi. Mua vetë më dukej se kjo vepër së bashku me “Kronikë në gur”, janë dy nga veprat më të mira të tij. Por unë nuk kisha çfarë të bëja për këtë. Mbase mund të kisha luftuar edhe më shumë, por ishte një situatë e atillë, kur ishte e vështirë ta bëja këtë.

Mbase ishte edhe periudha ngaqë Kadareja kishte lidhje me djalin e Mehmet Shehut dhe hidheshin lloj-lloj argumentash e supozimesh. Pastaj rasti i tretë kishte të bënte me reçensionin për librin “Koncert në fund të dimrit”. Këto ishin tri momentet e keqkuptimit. Ai gjithmonë i ekzagjeroi dhe pastaj u nxitën edhe të tjerë që bënë disa libra kundër meje”.

Por kush gëzohej nga sherret dhe debatet mes tyre? Përsëri Agolli e ka shpjeguar më së miri. “Sepse ka shumë thashethemexhinj që vijnë tek unë dhe që shkojnë tek Kadareja. Mua më flasin ndryshe, ndërsa atij ndryshe. Ata duan të fusin sherrin midis nesh. Po ju tregoj vetëm një rast, me një shokun tonë. Ai shkonte dhe i thoshte Kadaresë: ‘Dritëroi të ka sharë’, pastaj vinte tek unë dhe më thoshte të njëjtën gjë. Madje, një ditë Sadija ndërhyri dhe i tha atij: Hajde në shtëpi dhe thuaji Kadaresë çfarë ke thënë për Dritëroin, dhe thuaji Dritëroit çfarë ke thënë për Ismailin”. Është perlë ajo që ka thënë Sadija për Ismail Kadarenë dhe familjen e tij, teksa jetonin në një pallat familja e Dritëroit një kat më sipër: Kadaresë i kërkoj falje vetëm për çezmat që i kam lënë hapur.

Për ta mbyllur me letrën që Helena Kadare i dërgoi Elonës kur ndërroi jetë e ëma, Sadija. Një letër dërguar pikërisht vajzës që Ismaili i kishte vënë emrin. “Ne nuk rrinim më bashkë aq shpesh si dikur, por fijet e miqësisë nuk i premë asnjëherë… kur unë shkrova romanin tim të parë i kërkova babait tënd të më shkruante një skenë fshati që për mua ishte diçka krejt e panjohur. Dritëroi, pa më të voglin hezitim, madje duke qeshur, ma shkroi aty mbi tryezë. Ishte një dialog me punë fshati, skenë që edhe sot e kësaj dite vazhdon të jetë në roman ashtu siç e ka bërë ai me dorën e tij atë mbrëmje. Nëna jote e bukur, Sadija dhe unë, për vite të tëra e ruajtëm të pacenuar miqësinë tonë nga turbullirat e kohës”.

Si për t’i nderuar të dy bashkë dhe jo veç e veç, mjeshtri Pirro Milkani ka meritën që në vitin 2011 realizoi takimin e parë pas shumë vitesh mes tyre dhe të fundit të jetës. Ishte pjesë e skenarit të një filmi të Milkanit dhe biseda aty tregoi se ata të dy kanë qenë, janë dhe do të mbeten bashkë. Ishin dhe mbeten të dy mendje të ndritura, sepse jeta dhe krijimtaria e tyre kishte talent, por më shumë se kaq, të vërteta. Dhe të mos harrojmë që këtë talent e lëvruan nën diktaturë, për të cilën i shkon aq për shtat ajo që ka shkruar Helena Kadare në “Jetë e Pamjaftueshme” se letërsia dhe tirania ishin të dyja të pamëshirshme, si dy bisha që kafshojnë njëra-tjetrën. Mbetet fati ynë që i kishim, i kemi dhe do t’i kemi përherë të dy, Ismail Kadarenë dhe Dritëro Agollin. / Koha Jone / KultPlus.com

Të ngjajshme