‘Plazma keksat nuk janë emblemë e statusit social, pra nuk janë Iphone, Timberland, Nike’

22 Nëntor, 2018 - 5:36 pm

Rrahman Paçarizi

Keksat “Plazma, prodhim i kompanisë “Bambi” (hopa qysh po e ditkam) nga Pozharevci janë tashmë sinonim I produkteve nga Serbia. Plazma keksat kanë një histori në Kosovë – ishin ushqim për foshnjat dhe fëmijët, por jo për të gjithë.

Plazma keksat ishin koxha elitarë në mesin e keksave që shiteshin në ish-Jugosllavi, shumë më të shtrenjtë se për shembull keksat e Kestlinit nga Maqedonia, të Minexit të Ferizajt apo të llojeve të tjera të keksave pa firmë, ku shkruante vetëm “Petit beurre” e që shiteshin me kilogramë, ndryshe nga paketimi ekskluziv i Plazma keksit. Pra, Plazma keksat përcaktonin edhe statusin social të blerësve. Një skeç i Cimës në ish-RTP i bëri edhe më të famshëm Plazma keksat (Pllazma keksat, siç shqiptohen në Kosovë).

Siç duket, jo vetëm paketimi që luan rol të rëndësishëm pr shitjen e një produkti të ngulitur në mendjen e konsumatorit dhe as cilësia (pasi receta e “Sempre”-s që e prodhon “Liri” i Prizrenit është e njëjtë me atë të “Plazma”-s), por statusi social që kishte Plazma keksi ka bërë që shqiptarët e Kosovës le që të mos mund të jetojnë pa plazma, por të ndiejnë keqardhjen për pjesën tjetër të globit që jeton dhe rrit fëmijët pa plazma.

Unë ende tmerrohem kur e kujtoj qershorin e vitit 1999, kur forcat serbe të kapitulluara tashmë ende endeshin nëpër rrugët e Kosovës dhe unë me Miniren e Laurin njëvjeçar teksa po shkonim për të parë nëse kishin shpëtuar anëtarët e familjes së gruas sime u ndalëm për të blerë qumësht për djalin dhe i vetmi qumësht që gjendej ishte qumështi i Beogradit. Po e përsëris, askund tjetër por në zemër të Drenicës, vetëm pak ditë pasi kishte mbaruar lufta kishte qumësht taze të sjellë nga Beogradi dy ditë më parë, domethënë pas përfundimit të luftës dhe jo qumësht që kishte mbetur në rafte.

Kjo kujtesë më bën t’i shoh gati absurde vendimet e fundit tëe qeverisë së Kosovës – jo se më dhimbset Serbia që e dëmtuakemi me taksat tona, por sepse tash e njëzt vjet Serbia është dashur ta kishte tashmë të vënë taksën jo 100 por 1000 për qind, jo nga qeveria, por nga qytetarët e Kosovës. Në një situatë të tillë nuk do të ishim ne ngucakeqët, pasi qeveria do të mund të shpallte politikë të taksave zero për prduktet nga Serbia, të cilat qytetarët e vetëdijesuar e patriotë nuk do t’i blinin.

Vendimet euforike janë me rrezik dhe nëse ky është vendim i tillë atëherë është i gabueshëm. Nëse është vendim me të cilin Kosova një herë në historinë e saj ia kallxon dhëmbët Serbisë, taktikisht mund të prodhojë ndonjë efekt pozitiv (duke mos qenë njohës i ekonomisë, nuk besoj më shumë sesa një mobilizim të brendshëm). Varianti i tretë është pengimi i vazhdimit të dialogut me Serbinë, që i bie të jetë një veprim stretgjik në luftën e pashpallur ende ndërmjet presidentit dhe qeverisë.

Çka ka ndodhur deri më tash? Thaçi nuk është deklaruar fare, por ia kanë zënë derën ambasadorët e Quintit. Nuk janë deklaruar amerikanët, britanikët dhe gjermanët. Mogerini ndërkaq është shqetësuar për dështimin e vazhdimit të dialogut, pasi Vuçiqi ka thënë se dialogu nuk vazhdon pa heqjen e taksës prej 10 për qind madje. A ka instrumente Kosova për ta ndaluar Thaçin në punë të dialogut dhe çka ndodh nëse ndërpritet dialogu? Këto janë pyetje të rënda për t’iu dhënë përgjigje vogëlsitë tona, pasi i gjithë procesi është aq jotransparent saqë, vështirë se mund t’i japin përgjigje kryeministri e zëvendësminstrat e tij, e madje as ministri i jashtëm. A duhet të qajnë liderët institucionalë të Kosovë për dështimet e njëpasnjëshme apo të ndërmarrin veprime? Sigurisht që të ndërmarrin veprime, por veprime të menduara mirë. Zyrtarë të qeverisë po thonë se vendimi i fundit nuk ishte i atypëratyshëm, por i menduar dhe i studiuar në detaje. Pasi ua kemi besuar votën, po u besojmë edhe këtu.

Mirëpo, Vuçiqio sërish u dhodh në ofensivë – e ndërroi diskursin triumfalist të një dite më parë dhe me lutjet që i bën për fqinjësi të mirë e mirëkuptim, duke derdhur madje edhe lot e duke u bërë sikur Serbia do të gjunëzohet nga goditja që i bëhet 3 për qindëshit të eksportit të saj, po fiton poena politikë me diskursin që mbështetet në fqinjësi të mirë.

Megjithatë, vendimi i qeverisë për vënien e taksave 100 për qind ndaj produkteve serbe është një sallto mortale. Salltot mortale kanë dy rezultate: janë akrobacione me të cilat gjimnasti e fiton zemrën e publikut dhe medaljen e artë ose nëse shkojnë keq gjimnasti e thyen qafën, pandaj janë sallto mortale. Krejt çka du me shpresu në këtë mes është që të lutem si të gjithë shqiptarët konspirativë “ishalla janë marrë vesh me Amerikën, Anglinë e Gjermaninë!”

Morali i rrëfimit:

Plazma keksat nuk janë emblemë e statusit social, pra nuk janë Iphone, Timberland, Nike etj. Nga 7.53 miliardë njerëz sa llogaritet që jetojnë në Tokë, nja 7 miliardë e 522 milionë syresh nuk e kanë provuar kurrë plazma keksin dhe jetojnë të lumtur ose të palumtur, por jo për shkak të mungesës së plazma keksit;
Me papërgjegjësinë tonë (paaftësinë për t’u marrë vesh mes vete dhe rezultatet e dobëta në planin ndërkombëtar) Serbisë po ia blejmë një veshje prej qengji të pafajshëm. Serbia është ujku që në ia turbullojmë ujin poshtë rrjedhës, por kush na beson se. / KultPlus.com

Të ngjajshme