Rritjen e saj s’ia fal askujt!

Shtator 13, 2018 - 7:56 pm

Nga Donjeta Zejnullahu-Pllana, nana e Duas, ndjekëse e studimeve të doktoraturës në Marketing

Fëmija rritet shpejt. Shumë shpejt. Ma shpejt se ajo “shpejt” që ti e mendon. E ma e keqja/mira e kësaj pune është se fëmija rritet veç NJË herë.

Punën, shkollën, ndejat, shëtitjet, kafet, shoqërinë, krejt mundesh me i stopu për një kohë e me ju kthy prap. Krejt presin. Krejt munden me u jetu, e me u arritë në mënyrën ma të mirë të mundshme edhe pas disa muajve/viteve. POR, ama fëmija që e ke sjellë në jete, shkon veç njëherë këmba-doraz për herën e parë; veç një herë kapet e çohet në këmbë për herën e parë; veç një herë në jetë e ka “lugën e tij të parë”; veç një herë në jetë mundesh me i pa “hapat e tij të parë”; veç njëherë në krejt jetën tënde mundesh me ia dëgju për herën e parë “fjalën e parë”. E ma e rëndësishmja e krejt kësaj, për të mos thënë në mënyrë absolute, shumë nga ajo se çfare ai/ajo do jetë nesër, varet nga ajo periudha e jetës së fëmijës të cilës shumica i referohen me “hajt se i vogël, ça din ky…”.
E di, ka plot nana që nuk e kanë “luksin” me qëndru në shtëpi me pa fëmijën e vet tu u rritë. Jeta i nxjerr jashtë shtëpisë ato, dashtë e pa dashtë. Por, sa njoh të tilla, fatkeqësisht, ndoshta veç ma shumë kam njoftë nga ato që me kanë thanë “eh budallica, leja vjehrrës more, se fëmija rritet…”.

Rritet, e vërtetë që rritet. Ama, rritet veç një herë. E rritjen e saj nuk ia fali kërkujt. Nuk ia fali, as nuk e ndërroj me asigja të kësaj bote.

E di që gjithcka që synohet seriozisht në këtë jetë, arrihet. Ma ka dëshmu jeta, se në çdo devotshmëri ka shpërblim. Ama, për mua, çdo arritje tjetër është e pavlerë, nëse për atë që e solla në jetë me vetëdëshirë (pa lutjen/kërkesën e saj) kam dështuar të jem NJERIU që duhet të jem.

P.S. Rreshtat e mësipërm i kam ruajtur që t’ia lexoj vetes kur lodhem e bahem nervoz nga 15 dështimet e mia rradhazi për ta vënë atë në gjumin e natës. Ose edhe atëherë kur dështoj të mbush barkun e saj me llojin e tretë të ushqimit të përgatitur për të njejtin vakt. Ose, ose, atëherë kur ajo çohet në ora 3 të mëngjesit dhe e presim bashkë lindjen e diellit.

P.P.S. Sot më iku një afat! Një afat shumë i rëndësishëm! I ardhshmi është tek në dhjetor. Do ta kap atë, besoj. Dua kurrë më në jetën e saj nuk bëhet 15 muajshe./ supergratë/ KultPlus.com

Ky opinion nuk paraqet domosdoshmërisht qëndrimet e redaksisë së KultPlus-it.

Të ngjajshme