Rugova drejtoi procesin e shtetndërtimit të Kosovës…

3 Dhjetor, 2017 - 11:56 am

Historiani Jusuf Buxhovi shkruan me rastin e 73 vjetorit të lindjes së Ibrahim Rugovës.

Dr Ibrahim Rugova tashmë e ka vendin e sigurt në oltarin e shtendërtimit të Kosovës jo vetëm si presidenti i parë historik, i legjitimuar në zgjedhjet e para të vitit 1992 dhe i rikonfirmuar në ato parlamentare të vitit 2002, por pse i priu lëvizjes kombëtare e cila çoi te shteti i pavarur i Kosovës.

Roli i dr. Rugovës në këtë proces historik matet me atë se lëvizja kombëtare që e drejtoi, e koncipuar nga elita intelektuale e kohës ndër më të përgjegjshmet në historinë e shtetndërtimit shqiptare në përgjithësi, kaloi nëpër dy binarë paralel: atë të rrënimit të komunizmit, me çka shqiptarët treguan përcaktimin e tyre për demokracinë perëndimore dhe qytetërimin e saj si dhe të shkëputjes nga pushtimi serb, me çka krijoheshin rrethanat për shpalljen e shtetit të pavarur, ndër të cilat, domethënëse ishin Deklatata e Kushtetuese e 2 korrikut 1990, Kuvendi i Kaçanikut më shtatë shtator 1990 kur Kosova u shpall republikë si dhe Referendumi për pavarësi i 26 shtatorit 1991, me të cilin u shfrytëzua e drejta e vetëvendosjes për shtet të pavarur.

Por, krijimi i infrastrukturës me të cilën do të legjitimohej vullneti politik i shqiptarëve, do të ishte i pa kuptim, po që se ato nuk do të përcilleshin me veprimet konkrete, siç ishte organizimi i shtetit paralel (me të gjitha ministritë, duke përfshirë këtu edhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe të Punëve të Brendshme) edhe në rrethanat e pushtimit ushtarak serb dhe të terrorit të vazhdueshëm që ushtronte ndaj shqiptarëve, që ata të shkëputeshin nga ky përcaktim. Kështu, për tetë vite, pushteti paralel i shqiptarëve të Kosovës,u kthye në një armë të fuqishme kundërvënies serbe. Rezistenca insitutcionale, në të cilën u përfshi edhe ajo e armatosura (në fazën e fundit) kur për të u krijuan rrethanat, animoi faktorin ndërkombëtar që të përdor edhe ndërhyrjen ushtarake, siç ndodhi gjatë fushatës ajrore të NATO-s nga 24 marsi deri më 10 qershor 1999.

Në këtë zhvillim historik, roli i Rugovës ishte domethënës, ngaqë nuk iu nënshtruar as presionit ushtarak të Serbisë, që të heq dorë nga rezistenca insitucionale dhe shteti i pavarur, e nuk iu nënshtruar as prapaskenave të brendshme që i vinin nga grupet e ndryshme ideologjike të dirigjuar nga Tirana, Beogradi dhe Moska, të cilat luftonin për pushtet pa ngurruar që të përdornin metodat kriminale të kërcënimeve dhe të vrasjeve, që për pasojë patën likuidimin e disa bashkëpunëtorëve të dr. Rugovës gjatë dhe pas luftës …/ KultPlus.com

Të ngjajshme