займ на карту онлайн потребительский кредит

Rugova: Nuk kemi prodhuar asgjë konkrete si shtet që të mund të krenohemi ndërkombëtarisht, suksesi jonë i viteve të fundit është vetë Dua Lipa

20 Korrik, 2020 - 8:41 pm

Nga: Yll Rugova

Është i kuptueshëm reagimi ndaj postimit të fundit të Dua Lipës, shumë më mirë do të kishte qenë ta kishim ndonjë gjë tjetër për t’u krenuar ndërkombëtarisht, përveç të qenit autokton. Dyshoj, për shembull, se një foto e Nënës Terezë, ose e Ismail Kadaresë do të mund të përdorej si kundërargument ndaj fushatës së vazhdueshme serbe kundër Kosovës. Ose ndoshta është dashur të thotë “Kosovo Young Europeans”?

Ne si Kosovë nuk kemi prodhuar asgjë konkrete as si shtet, e as si popull që të mund të krenohemi ndërkombëtarisht. Në fakt, suksesi jonë më i madh i viteve të fundit është vetë Dua Lipa. Prandaj fakti që ajo s’ka gjetur ndonjë foto, a fjalë, a frazë më të mirë është dështim i yni.

Dështim së pari është për Ministrinë e Punëve të Jashtme, që as 2 dekada pas çlirimit nuk ka arritur të konsolidojë një imazh pozitiv në botë për Kosovën dhe popullin tonë. Për diçka të tillë do të nevojitej fushatë e vazhdueshme, lobim, e brendim, investim në sport, kulturë e në shkencë. Fatkeqësisht, nga këto fusha, Kosova ka shpenzuar veç në lobim, dhe atë lobim për interesa të individëve. Me paratë e shtetit për lobim është financuar botimi i një libri për Presidentin. E qysh po shihet nga raportimet e fundit, është lobuar edhe për ndarjen e Kosovës. Kaq sa i përket Kosovës.

Sukseset tona të vetme ndërkombëtare i kanë sjellur figurat si Dua Lipa. E mbase, nëse dikush nuk pajtohet me postimin e saj, le të bëhet vetë yll ndërkombëtar së pari, e pastaj le të postojë për vendin tondë diçka tjetër. Diçka të duhur. /KultPlus.com

Të ngjajshme