Teuta Skenderi për gruan kosovare që iu vra bashkëshorti dhe vëllai në luftë: Nerimane, ti do të jesh Trimja ime përgjithmonë

23 Maj, 2019 - 10:24 am

Shkruan Teuta Skenderi

Gruaja që buzëqesh në këtë fotografi me djalin e saj në ditën e tij të diplomimit është Nerimane Gërguri. Nëse do të mund t’a zgjidhja një emër tjetër për të, ky emër do të ishte Trime. Në këtë ditë, 20 vite më parë, ajo humbi vëllain e saj të vetëm Dritonin, dhe bashkëshortin e saj Mensurin. Ata u morën në orët e hershme të mëngjesit me 22 Maj nga forcat paramilitare serbe nga shtëpia e prindërve të Nerimanes në Vushtrri ku ata ishin strehuar. Ajo ishte 31 vjeçare. Në duart e saj po mbante tre fëmijë; Nderimin, i cili kishte festuar ditëlindjen e gjashtë dy ditë më parë; Urimin, 4 vjeçar dhe Emirën, e cila ishte vetëm 8 muajshe. Gjithë çfarë ajo ka sot është kujtimi për babanë e saj nga një fotografi.

74 burra u morën atë mëngjes. Ata u torturuan, u vranë dhe trupat e tyre u dërguan në Batajnicë. Në po atë vend, vëllai i vetëm i Nerimanes përfundoi shërbimin ushtarak në Ushtrinë Kombëtare Jugosllave. Kush do të kishte menduar që një ditë, trupi i tij i torturuar dhe i pajetë do të përfundonte aty. Për gjashtë vite e gjysmë ata nuk kishin asnjë informatë për vendndodhjen e tyre. Nerimanja po rriste fëmijët e saj me devotshmëri e dashuri të madhe, përderisa dhimbja në zemrën e saj po shërohej ngadalë nga dashuria e fëmijëve, në të cilët ajo shihte shumë nga dy burrat që ajo i deshi aq shumë dhe të cilët i humbi brenda një dite.

Sot ne duhet t’a njohim guximin e kësaj gruaje të jashtëzakonshme. Ajo është një shembull dhe frymëzim jo vetëm për ne shqiptarët e Kosovës, por për gjithë botën! Në zemrat e fëmijëve të saj të bukur e mendjendritur rrahin zemrat e babait dhe dajës së tyre. Nuk ka regjim fashist aq të fortë që do të mund t’a ndalte atë rrahje të zemrës. Do të vazhdojë të rrahë përgjithmonë, në fëmijët e fëmijëve të tyre, sepse një grua e bukur, e fuqishme dhe e guximshme nuk u dorëzua asnjëherë. Sepse, ajo buzëqeshi nëpër lotë e dhimbje dhe vazhdoi t’u këndonte ninulla fëmijëve të saj, të cilët kishin nevojë më shumë se kurrë për të. Dhe ajo ishte aty. Në çdo ditë të jetës së tyre. Ata sot janë krenaria e shtetit tonë të ri.

Nerimane, ti do të jesh Trimja ime përgjithmonë. Të dua. / KultPlus.com

Të ngjajshme