Salla e Kuqe dhe rekuizitat e vitit 1974

1 Tetor, 2019 - 6:00 pm

Në Sallën e Kuqe që nga viti 1974 janë të njëjtat rekuizita, të njëjtat karrige, të njëjtat dantella, të njëjta pllaka të ftohta prej mermeri dhe të njëjtit drunj të pafisnikëruar asnjëherë…

Nga: Bajram Mjeku

Shfaqjet kulturore në kryeqytetin e Kosovës, janë duke u pakësuar përditë e më shumë. Po të bëjmë një krahasim të aktiviteteve kulturore tash e më shumë se tridhjetë vjet më parë, për shembull në Prishtinë ka më pak shfaqje kulturore që ia vlejnë se dikur në Gjakovë, Pejë apo Prizren.

Më në fund pas disa muajsh, ndodhi një ngjarje kulturore në zhanrin e muzikës klasike në mbrëmjen e 27 shtatorit në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Sebep i kësaj ngjarjeje kulturore, ishte hapja e edicionit të ri të Filarmonisë së Kosovës. Artdashësit e muzikës klasike, të cilët ia kishin mësyer Sallës së Kuqe, nuk shquheshin për ndonjë solemnitet të veçantë as në pamje, as në veshje. Hynin brenda saj shkujdesur me njëfarë qetësie funebre.

Se deri në ç’përmasa bizare është duke u përbuzur arti, dëshmon pikërisht kjo sallë,për të cilën as edhe një herë të vetme nuk është kujdesur dora e shtetit që nga viti 1974. Atëbotë, kur isha vetëm dhjetë vjeç, udhëheqja komuniste e pat inauguruar Pallatin e Rinisë me pompozitetin e propagandës komuniste jo me para të shtetit, por nga vetëkontributi i punëtorëve të komunës së Prishtinës, Fushë-Kosovës, Obiliqit e Lypjanit, derisa tagrin për ngritjen e këtij Pallati pesë vjet me radhë e pati paguar edhe babai im.

Në këtë sallë deri vonë shquheshin vetëm dantellat e kuqe, ndërsa kohëve të fundit, të kuqet u zëvendësuan me të zeza dhe sikur në podiumin e saj në mbrëmjen e 27 shtatorit të mos ishin vendosur instrumentistët e orkestrës së Filarmonisë së Kosovës, secili nga ne mund të dyshonte se brenda pak qastesh në podiumin e saj mund të ekspozohej ndonjë kufomë. E në Sallën e Kuqe që nga viti 1974 janë të njëjtat rekuizita, të njëjtat karrige, të njëjtat dantella, të njëjta pllaka të ftohta prej mermeri dhe të njëjtit drunj të pafisnikëruar asnjëherë…

Në mesin e atyre që kishte ardhur të përcillte koncertin, shquhej edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip S. Kosnett dhe mysafirë tjerë të respektuar.

Megjithëse pavarësia e vendit është shpallur tash njëmbëdhjetë vjet, udhëheqja e Kosovës as që denjon që në kryeqytetin e Kosovës të ngrejë ndonjë objekt dinjitoz për shfaqje të eventeve të rëndësishme kulturore në njërën anë dhe për të dëshmuar kulturë dhe emancipim kombëtar në sytë e përfaqësuesve dhe miqve tanë të huaj në anën tjetër.

Sa herë hyjmë në të ashtuquajturën Sallë e Kuqe, domosdo na kujtohet një ish-ministër naks, injorant e zhvatës, i cili para disa vitesh pati hapur një gropë të madhe afër Fakultetit Teknik në Prishtinë, e cila na e kujtonte gropën prej përbindëshi e njohur si gropa e Hajdin Sejdisë sapo ra komunizmi në Tiranë. Sipas fjalëve të ish-ministrit të Kulturës, në personin e të cilit më së paku kishte kulturë, për të ngritur Teatrin e Operas dhe Baletit duheshin hiç më pas se 25 milionë euro! Për t’ia mundësuar më lehtë vetes zhvatjen e ndonjë milioni në sy të institucioneve, të komunitetit të kastruar të artistëve dhe këtij populli të mjerë, ish-ministri thoshte se objekti grandioz i Teatrit të Operas dhe Baletit, do ta ketë edhe prapashtesën “Ibrahim Rugova”.

Po kaq të mjerë tash njëzet vjet jemi dëshmuar edhe me Teatrin Kombëtar, në të cilin paradite organizojmë akademi përkujtimore, ndërsa mbasditeve provojmë të bëjmë ndonjë shfaqje sa për të thënë se edhe në kryeqytetin e Kosovës kinse inskenohet ndonjë dramë dhe kinse bëjmë teatër.

Derisa improvizojmë gjëra të këtilla, harrojmë se bëjmë teatër brenda teatrit, godina e të cilit në vitin 1946 me punë të detyruar angarie u ngrit në fillim si shtëpi e kulturës. Këtë vit dhe brenda natës, kushedi cilit udhëheqës komunist mund t’i ketë shkuar mendja se godina mund ta kishte emrin Teatri Krahinuer, i cili sot mbas shtatëdhjetetre vjetësh mban emrin kinse Teatri Kombëtar. /KultPlus.com

Të ngjajshme