Shkolla Kombëtare e Baletit, garanci e së ardhmes për Baletin Kombëtar të Kosovës

14 Mars, 2019 - 10:40 pm

Shkruan: Sinan Kajtazi

Shkolla Kombëtare e Baletit,

Viti 2018, për Baletin Kombëtar të Kosovës, do të kujtohet si vit i suksesshëm meqë ky Institucion Kulturor ka realizuar afër njëzet shfaqje në qendra të ndryshme të Evropës si: Berlin, Hamburg, Paris, Helsinki, Ruse, Sveti Vlas etj., paraqitje këto që përveç tjerash, u pasqyruan edhe ne mediat evropiane si: Die Welt në Gjermani dhe Le Monde në Francë. Ky vit mund të quhet i jashtëzakonshëm për një Institucion kulturorë që edhe pse në kushte të vështira të punës, gjithmonë ka dhënë më të mirën nga vetja, në emër të pasionit dhe përgjegjësisë ndaj publikut.

Të shfaqesh në një qytet si Parisi, kryeqendra e kulturës botërore, për cilëndo trupë baleti në botë, përveç privilegjit, ngërthen në vete edhe peshën e përgjegjësisë së jashtëzakonshme, pasi që ke të bësh me një audience me shije të filtruar, por edhe para një kritike me “kritere pariziene”.

Balerinët e Baletit Kombëtar të Kosovës, që kanë shkelë skena evropiane, janë shkolluar në Kosovë. Pra, kudo që kemi shkuar dhe performuar, publiku ka pasur rastin të shoh para vetes, balerinë të cilët janë ngritur profesionalisht në një vend të pasluftës, mes shumë problemesh e sfidash, por mbi të gjitha me dëshirën dhe pasionin në rend të parë.

Shkolla e baletit nga e cila kanë dalë këto gjenerata, ka funksionuar për mrekulli për aq kohë sa ka qenë në harmoni të plotë me Baletin Kombëtar të Kosovës, duke nxjerrë kështu kuadro të cilat sot përbëjnë trupën e BKK. Për fat të keq, që nga koha kur ky bashkëpunim në mes të BKK dhe degës së baletit në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” është ndërprerë, nuk kemi as edhe një balerin/ë të vetëm të dalë nga kjo degë.

Gjatë qëndrimit tonë njëjavor në Paris, organizim ky i realizuar mrekullisht nga Ambasada e Republikës së Kosovës në Francë dhe falë iniciativës së Ambasadorit z. Qëndrim R. Gashi dhe znj. Ulpiana Lama, Ambasada jonë kishte organizuar një vizitë të balerinëve të BKK në shkollën e baletit në Paris.

Kjo shkollë e themeluar në vitin 1713, sot është një ndër shkollat më prestigjioze në botë dhe pritja e jashtëzakonshme nga drejtoresha e kësaj shkolle znj. Elisabeth PLATEL, ish – Prima Balerinë (Danseuse Etoile) në Operën e Parisit dhe stafi i pedagogëve, i shtoi qershinë mbi tortë kësaj vizite.

Shkolla e baletit e Teatrit të Operës së Parisit, që nga themelimi i saj, prej më shumë se 300 vitesh, ka qenë si arterie kryesore e trupës së baletit në Operën e Parisit, trupë kjo e cila është një nga më të njohurat në botë për nivelin e saj. 
Kjo shkollë është themeluar me qëllimin e vetëm që të furnizoj me kuadro Trupën Kombëtare të Baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit të Parisit. Sot kjo shkollë, përveç që është burim kryesor balerinësh për trupën e baletit të Operës dhe Baletit të Parisit, njëkohësisht është edhe pikë reference për shumë të rinj nga e gjithë bota, të cilët dëshirojnë të merren me artin e baletit.

Në këtë shkollë baleti, në të gjitha nivelet e shkollimit, historikisht kanë dhënë mësim ish-solistë të baletit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Paris. Pra, balerinë të cilët janë të dëshmuar në skenë. 
Kjo shkollë funksionon në harmoni të plotë me Ministrinë e Arsimit të Francës, dhe një grupi profesionistësh baleti, të organizuar brenda shkollës së baletit.

Shkolla e Baletit ë Paris, sot është pikë reference për shumë shkolla baleti në botë, duke marrë për bazë suksesin që ka treguar kjo shkollë në 300 vite histori.

Vizita në këtë tempull baleti, na shtyrë të lëvizim edhe më tepër në këtë drejtim, duke ripërsëritur në vazhdimësi kërkesat tona për ndërtimin e Shkollës Kombëtare të Baletit, shkollë kjo që duhet të marrë për bazë kurrikulën por edhe mënyrën e funksionimit nga shkolla e baletit në Paris.

Shkolla Kombëtare e Baletit, përveç që do ishte garanci e së ardhmes për Baletin Kombëtar të Kosovës, në të njejtën kohë, do të ishte edhe një mundësi e merituar për të rinjtë që dëshirojnë të merren me artin e baletit, ku për fat të mirë, kemi shumë të tillë.

Drejtori i Baletit Kombëtar të Kosovës, z. Ahmet Brahimaj (inicues i themelimit të shkollës së baletit në kuadër të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë, në vitin 2000) prej vitesh ka kërkuar nga ish-ministra të arsimit themelimin e Shkollës Kombëtare të Baletit.

Është për t’u vlerësuar që kërkesa e z. Ahmet Brahimaj për Shkollën Kombëtare të Baletit është marr parasysh nga Ministri i Kulturës z. Kujtim Gashi, i cili vitin e kaluar i drejtoi letër Ministrit të Arsimit z. Shyqiri Bytyqi, që të marr hapa në këtë drejtim. 
Poashtu, Baleti Kombëtar i Kosovës ka marrë mbështetje në këtë drejtim edhe nga Kryetari i Kuvendit dhe nga Kryeministri i Republikës së Kosovës.

Baleti Kombëtar i Kosovës është një storje suksesi, qoftë në Kosovë, qoftë në vende të ndryshme të botës. 
I rithemeluar pas lufte në kushte të jashtëzakonshme, ka arritur që të sjell në Prishtinë koreografë nga shumë vende të botës si: Shqipëria, Maqedonia Veriore, SHBA, Gjermania, Franca, Austria, Italia, Turqia, Kina, Bullgaria, Kuba, Rusia etj.
Falë rezultateve të treguara, BKK ka qenë target i shumë mediave të huaja, ku spikatë edhe dokumentari për Baletin Kombëtar të Kosovës, i realizuar nga kanali i famshëm evropian “ARTE” në fillim të këtij viti.

Pra, pa frikë e modesti e them se, Baleti Kombëtar i Kosovës është një aset kulturor i vendit tonë dhe e kemi për obligim ta garantojmë të ardhmen e tij. Duke pas parasysh që baleti është profesion jetëshkurtër, mënyra më e mirë e ruajtjes dhe e vazhdimit të funksionimit të këtij Institucioni, do të bëhej përmes edukimit të gjeneratave të reja të balerinëve, e këto gjenerata të reja vijnë vetëm pas ndërtimit të Shkollës Kombëtare të Baletit, e cila duhet të jetë në harmoni të plotë me Ministrinë e Arsimit dhe Baletin Kombëtar të Kosovës.

Të ngjajshme