Shkrimtarët dhe rezistenca intelektuale në vitet 90-të

18 Mars, 2022 - 4:00 pm

Vepra “Kultura e rezistencës” – shkrimtarët 1988, është një përmbledhje fjalimesh të shkrimtarëve të Kosovës që vë në dukje mendimet, idetë dhe gjykimet e tyre mbi autonominë e Kosovës, gjuhën, barazinë e popujve e mbi të gjitha që thekson qëndrimin e tyre mbi ndryshimet kushtetutese të propozuara nga Serbia.

Autori Ibrahim Berisha që në fillim thekson që rruga e shkrimtarëve të Kosovës domosdoshmërisht kalon nga paqja e letrave në konfliktin politik, përkatësisht në botën e politikës ku ata do të kontribuojnë për të ardhmen e vendit të tyre. Këtë vepër ai do ta realizojë sipas një rendi kronologjik të diskutimit, shkrimtarët me radhë do të shprehin idetë e tyre mbi ndryshimet e propozuara kushtetutese, mbi autonominë dhe gjykimet e tyre mbi propagandën serbe. Shkrimtarët paraqesin njëfarë uniteti brenda tekstit, kjo shihet jo vetëm në mendimet dhe qëndrimet e tyre, por edhe në konkluzion ku ata do të pajtohen mbi tri qëndrime të përbashkëta në raport me çështjet e diskutimit. Ai do të inkuadrojë edhe fusnota, ku shpesh do të ofrojë informacione, sqarime dhe fakte mbi gjendjen në Kosovës dhe do t’i paraqesë fjalimet e pjesëmarrësve në mënyrë që mendimet esenciale të tyre të vihen në pah si në formatin e veprës ashtu edhe në titujt që ai do të ia vendosë secilit tekst.

Ai do të përdorë termin shkrimtarë politikë si pasojë e gjendjes së Kosovës pas vitit ’66, pra  si domosdoshmëri e të qenit i tillë si pasojë e situatës dhe nevojës së vendit në rrafshin kultururor, diplomatik e zhvillimor. Do të theksojë edhe qëndimin e shkrimtarëve serbë në gjendjen e krijuar dhe mospjesëmarrjen e tyre në takimin e shoqatës së shkrimtarëve duke vënë në pah humbjen e tyre karshi shkrimtarëve shqiptar sidomos në rrafshin kulturor. Berisha prandaj e quan veprën e tij “Kultura e rezistencës” sepse e di që vetëm përmes kulturës arrihet rezistenca, dhe përderisa me kulturën identifikohet shkrimtari, vetëm përmes shkrimtarëve arrihet ose të paktën tentohet të arrihet rezistenca ndaj së keqes, ndaj asaj që është regresive për vendin në përgjithësi.

Diskutimi mbi ndryshimin e Kushtetutës

Çështja e ndryshimit të Kushtetutës, do jetë preokupimi kryesor i shkrimtarëve në këtë vepër, përkatësisht arsyeja kryesore e realizimit të mbledhjes së tyre. Ky diskutim fillon me shkrimtarin Ibrahim Rugova, i cili do të hapë mbledhjen duke zgjedhur kryesinë dhe duke kërkuar nga pjesëmarrësit të shprehin lirshëm mendimet dhe qëndimet e tyre edhe përkundër etiketimit të mundshëm të debatit.

Ibrahim Berisha do ta hapë këtë debat duke dhënë disa informacione që qarkullonin në atë kohë në shtypin serb të tilla që Kosovën e paraqesin vetëm si plaçkë tregu, ku ajo nga krahinë shndërrohet në pjesë të shtetit të Serbisë i cili potencon që Kosovën e ka fituar në luftë kurse e ka humbur në paqe. Ai thekson pozitën e Kosovës në raport me Serbinë dhe propagandën që paraqet Kosovën si refuzuese të bashkësisë socialiste, kurse Serbinë si të pafajshme.

Të gjithë shkrimtarët dalin kundër ndryshimeve kushtetuese që dalin të jenë imponuese nga një shtet që dëshiron të shkatërroi unitetin e krijuar në Jugosllavi. Ata janë të vetëdijshëm që Kushtetuta e fituar me luftë nuk mund të ndërrohet me presione e shantazhe, por edhe për rëndësinë e saj në jetën e tyre dhe në të ardhmen e shtetit (shpesh e përkufizojnë Kushtetutën, ashtu që për shumicën ajo nënkupton sovranitetin dhe të ardhmen e vendit). Ata janë të vetëdijshëm poashtu edhe për kërkesën e Serbisë që të dalë mbi tjetrin duke refuzuar demokracinë për të afirmuar shkrirjen e territoreve krahinore në tërësinë e vet, prandaj e shohin si obligim të shfaqin mendimin e tyre mbi këtë çështje. Të gjithë dalin pro Kushtetutës së 1974- tës e cila përcakton për të gjitha vendet jetesë të barabartë, afirmon gjuhën e kombësive dhe mundësinë e vetëqeverisjes përkatësisht vllazërimin mes vendeve përbërëse, e jo epërsinë mbi tjetrin që e nënkupton Kushtetuta e re e propozuar nga Lidhja Socialiste e Serbisë.

Shkrimtarët janë të bindur që ndryshimet e propozuara nuk nënkuptojnë progresin, por të kundërtën sepse ato cenojnë autonominë e fituar me luftë për të ofruar vetëm nënshtrimin ndaj Serbisë. Prandaj nuk pranojnë ndryshimet e propozuara që nënkuptojnë mosekzistencën që deri diku ia ofron Kushtetuta në fuqi si në rrafshin kulturor ashtu edhe në atë ekonomik. Prandaj, edhe Rrustem Berisha do të kërkojë që të gjitha zgjedhjet që nuk janë më të mira se të Kushtetutës së 1974 – shit, të mbesin zgjedhjet e 74 –shit. Duke pranuar ndryshimet e propozuara ata janë të vetëdijshëm që kthehen në të kaluarën e errët, në luftën këmbëngulëse për liri, prandaj e refuzojnë si mundësi duke shprehur dëshirën për të qëndruar në të tashmen, por edhe për ta arritur të ardhmen. Kushtetuta sipas Azem Shkrelit nuk krijohet për tjetrin, për armikun në rastin konkret, por për veten, për njeriun punonjës, për ndërtuesin e jo për prishësin, prandaj është e rëndësishme të mos ndryshohet. Rugova amandamentet e propozuara i sheh si unitare (vuajnë nga një gjuhë unitare do të thotë) pra si përjashtuese sidomos të krahinave, dhe regresive në raport me lirinë e njerëzore, për këto arsyje të papranueshme. Ky refuzim këmbëngulës nga të gjithë lidhet edhe me qëllimin përparimtar të shkrimtarit, i cili mbi të gjitha është pro harmonisë dhe qetësisë si të brendshme ashtu edhe të jashtme.

Shkrimtarët do të japin mendimet e tyre edhe mbi debatin përkatësisht mbi diskutimin që po  realizojnë, ata shpesh theksojnë pasojat që mund të ketë, por edhe ndërhyrjen e të tjerëve, përkatësisht të atyre lart,  të cilët e politizojnëpor edhe e shfrytëzojnë debatin dhe sidomos nga serbët që të agravojë edhe më shumë situata, përkundër qëllimit të pastër demokratik që e ka ky diskutim. Autori Berisha argumenton se shkrimtarët shqiptarë ndryshe nga ata serbë dalin kundër maskës publike, asaj që tjetërson faktet dhe acaron situatën, janë kundër ndërhyrjeve të jashtme në çështjet e brendshme dhe për unitetin midis popujve.

Barazia si kusht i autonomisë së Kosovës

Barazia ndërlidhet me demokracinë, të cilën e synojnë pothuajse të gjitha vendet progresive, por edhe Lidhja e Komunistëve të Jugosllavisë, prandaj shkrimtarët kosovarë tentativën e Serbisë për të krijuar shtetin që nënkupton pushtetin mbi tjetrin e shohin si anakronizëm në raport me zhvillimin e botës në këtë aspekt. Sipas shkrimtarit Rexhep Zogaj, Serbia tenton të prishë sintezën jugosllave, për të forcuar anën shtetërore të veten në dëm të bashkëjetesës dhe bashkëpunimit. Kjo shprishje e rendit të afërsisë dhe harmonisë shprishë barazinë që deri në momentin e propozimit të amandamenteve nga Serbia ekzistonte. Barazia që kërkon me ngulm kjo Republikë dhe që përmes propagandës arrin t’a paraqesë sikurse i takon epërsia mbi tjetrin, rrezikon autonominë e Kosovë. Kosova por edhe Vojvodina sipas Din Mehmetit janë krahina të pavarura, nuk janë në kuadër të Serbisë, prandaj duhet të kenë të drejta të barabarta me të gjitha republikat e tjera. E kaluara kushtëzon veçantinë përkatësisht kohën kur është njohur vetëm një shtet, kurse e tashmja dhe ardhmja bashkësinë dhe harmoninë që ndërtohet mbi barazinë dhe mosdallimin mes shteteve/krahinave të ndryshme.

Ata do të insistojnë në mendimin që populli shqiptar nuk është qiraxhinj, por është zot në territorin e vet, prandaj nëse është e nevojshme duhet t’a bëjmë të qartë autonominë e fituar me gjak shprehet Beqir Musliu, i cili do të rrëfejë një ngjarje që shërben si analogji e çështjes së autonomisë që i cenohet Kosovës: “Ti je Hasan Hyseni, por duhet me ta hekë një sy, me ta pre një dorë… – thotë prapë ti je Hasan Hyseni”. Pra, ndonëse si krijesë nuk i shuhet ekzistenca, ai cungohet nga tjetri, njëjtë sikurse tentohet t’i bëhet Kosovës. Ibrahim Rugova në emër të të gjithëve do të shprehet “kërkuam të realizohet barazia për ne e për të gjithë të tjerët”.

Barazia si kërkesë për bashkëjetesën në Jugosllavi është shumë e rëndësishme për popullin shqiptar, ky qëndim i popullit shqiptar që e karakterizon atë si popull paqësor theksohet nga shumë shkrimtarë në tekst, Zogaj do të thotë që qëllimi i shqiptarëve nën Jugosllavi nuk ka qenë bashkimi kombëtar – krijimi i një territori të vetëm të përbashkët, por krijimi dhe ruajtja e bashkësisë jugosllave ku çdo vend/popull do të gëzonte autonominë e vet. Ali Podrimja do të theksojë dallimin midis popullit shqiptar dhe atij serb, ai thotë se populli shqiptar gjithmonë ka qenë i kënaqur madje edhe me varfërinë e vet, duke mos pasur synime sulmin por vetëm mbrojtjen e tjetrit: Serbët dhe malazezët mund t’i mbrojnë vetëm shqiptarët, siç i kanë mbrojtur edhe në të kaluarën. E në anën tjetër Berisha për shqiptarët pohon “Shqiptarët nuk kanë qenë në anën e luftës, e as të idelogjisë fashiste, madje janë ndër të vetmit në Jogusllavi që kanë pasur më së pakti kuislingë në shërbim”. Nga faktet që paraqiten shohim se shqiptarët janë të parët në Jugosllavi që kanë hapur shkolla në gjuhët e tjera edhe përkundër që fajësohen nga propaganda serbe për rrezikimin e gjuhës serbokroate.

Barazia mes gjuhëve si kusht për harmoninë mes popujve

Në kuadër të kërkesës për barazi, shkrimtarët shqiptarë shtrojnë çështjen e gjuhës shqipe, përkatësisht shenjtërinë e gjuhës në përgjithësi, moscenimin e saj. Ata madje do të bëjnë edhe propozime në këtë drejtim, duke kërkuar përdorim të barabartë të gjuhëve ashtu edhe siç e ka përcaktuar kushtetuta e vitit ’74. Serbët kanë krijuar tezën e gjuhës së dorës së dytë, aty përfshijnë edhe gjuhën shqipe, kjo tezë sipas shkrimtarëve shqiptarë është e papranueshme sepse shprish barazinë e synuar dhe njëkohësisht autonominë e secilit. Cilësimin si gjuhë e dorës së dytë pasi që është gjuhë krahinore e hedhë poshtë Agim Vinca, i cili argumenton se gjuha shqipe është gjuha e dytë apo e tretë për kah numri i njerëzve që e flasin në Jugosllavi. Ata dëshmojnë që gjuha shqipe nuk ka penguar askënd në Jugosllavi, madje edhe që janë lexuar tekste në këtë gjuhë dhe janë përkthyer edhe në mbledhje të rëndësishme jashtë Kosovës. Behram Hoti e sheh absurde tezën serbe dhe e ironizon duke thënë që përkudër respektit që kanë pasur gjuhët e tjera brenda territorit shqiptar vetëm “gjuhës serbe i është zënë fryma prandaj duhet të bëhen ndryshime në Kushtetutë”. Vehap Shita thekson se në ndryshimet që parashihen në lidhje me gjuhën, krahinat futen në rajonet ku flitet gjithçka, prandaj autonomia kulturore e Kosovës është në rrezik, ai do të përmend kohën e paraleleve të përziera, ku mësimi mbahej në gjuhën që e fliste profesori dhe masa duhej t’iu përshtatej vetëm një individi, prandaj edhe këtë kërkesë të Serbisë e sheh në të njëjtin nivel, prandaj e refuzon duke theksuar rëndësinë e zhvillimit të vendit përmes gjuhës së nënës, njëjtë mendon edhe Azem Shkreli, i cili pohon se “Gjuha është ose e barabartë ose e pabarabartë, zgjidhje të tretë nuk ka”, ai vlerëson gjuhën e barabartë duke thënë që asnjëherë nuk më ka pëlqyer të shoh gjuhën time përfundri një tjetre e as përsipër tjetrës. Të gjithë dalin pro barazisë në të gjitha fushat, prandaj edhe nuk pranojnë ndryshimet e propozuara që çthurin unitetin e tërësisë si në raport me gjuhën, territorin, qeverisjen por edhe në raport me mëvetësinë e secilit.

Në këtë vepër janë mbledhur refleksionet e shkrimtarëve në lidhje me ndryshimet e propozuara kushtetuese, e gjithë vepra sillet rreth çështjes së refuzimit të propozimeve kushtetuese, ata përmes argumentimit do të arsyetojnë qëndrimet e tyre. Shohim që çdo gjë që imponohet shkatërron rendin ekzistues, prandaj përderisa propozimet nuk janë më të mira sesa ato ekzistuese, shkrimtarët pajtohen që ato duhet të refuzohen sepse nuk parashohin të ardhmen as në rrafshin kulturor e as në atë ekzistencial duke rrezikuar kështu zhvillimin e vendit në përgjithësi.

Shënim: Punimi është paraqitur në lëndën “Letërsi aktuale shqipe”, që ligjërohet nga Prof. Dr. Sali Bashota, në studimet e nivelit master, dega e Letërsisë Shqipe, Fakulteti i Filologjisë, Prishtinë.

Albenita Xhemajli / KultPlus.com

Të ngjajshme